Moshapja e negociatave ka emër, KEQQEVERISJE!

Ardit GJINALI

Saga e hapjes së negociatave vijon….shkaku nuk është skepticizmi europian apo rrethanat e ndërlikuara globale , të tillat të deklaruara nga KryeKreu fjalëshumë, por punëmirë aspak gjatë një interviste në revistën “FORBES”. Revista “FORBES” duhet të ishte vitrina e prezantimit të Shqipërisë ballëlartë në arenën ndërkombëtare, por e njëjta është përdorur nga ngrehina e propagandës për të treguar Shqipërinë në versionin 3-D; tashmë version retorik, jo teknologjik i prezantuar nga makineria që tenton shpëlarjen e trurit të Shqiptarit halleshumë.

Shqipëria e sotme është kokëulur përballë partnerëve dhe aleatëve ndërkombëtarë; flamuri i saj kombëtar nuk mund të valëvitet krenueshëm krah simboleve të vendeve mike-tashmë po përdoret gjithnjë dhe më pak në takime protokollare sepse vizitat e liderëve të vendeve anëtare të BE po rrallohen deri në kufijtë e mungesës totale të të tillave; pasaporta kombëtare ka një vlerë krenarie që ka mbetur në vendnumëro prej periudhës së liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë- pasaporta që mbetet peng i verifikimeve intensive në secilën pikë kufitare të vendeve anëtare të BE duke u rradhitur si qytetarë jo-europianë;

ata bashkëqytetarët tanë që rendin në turravrapin e trishtueshëm në aeroportet tranzite gjatë udhëtimit të tyre për të arritur në kohë avionin e rradhës që i largon përfundimisht nga vendi i tyre; ata..bashkë-qytetarët tanë, të tillët që pavarësisht përkatësisë politike janë objekt i verifikimeve shteruese sepse gjatë këtyre 7 viteve dhe në vazhdim ata..qytetarët nuk kanë udhëtuar për qëllime turistike, por janë arratisur nga “sytë-këmbët” ;- aspak nga ndonjë armik i jashtëm apo pushtues; qytetari është larguar nga mundësitë dhe shanset ekstremisht të munguara- largimi prej një errësire shoqërore që shkakton KEQQEVERISJA.

KEQQEVERISJA është një aliazh që ndërthur paaftësinë, paturpësinë, pafytyrësinë politike, lëmshin e qëllimtë institucional, gënjeshtrën e vogël, mashtrimin e madh, vesin lokal, mëkatin politik kombëtar, rushfetin nën dorë, korrupsionin në letra, megalomaninë dhe delirin;-shumëçka negative e përmendur më lart që formojnë profilin cinik të zyrtarit shtetëror dhe profilin arrogant të pushtetarit politik që cënon lirinë, demokracinë, llogaridhënien dhe transparencën duke ngritur shtatin politik të autokracisë qeverisëse;-infeksion qeverisës që shndërrohet në virus kombëtar duke ngërthyer trupin institucional të Republikës.

PO! JO-ja e qartë për moshapjen e negociatave ka vetëm një emër;-KEQQEVERISJE. KEQQEVERISJE që do të thotë angazhime të munguara, kushte të papërmbushuara, regres i vazhdueshëm politik, ekomonik dhe institucional, luga bosh në një tepsi të zbrazur nga makutëria , korrupsioni, babëzia…..në tepsi ka mbetur vetëm ndryshku, i tilli që nuk pastrohet dot nga të tillët që tentojnë të tjetërsojnë fytyrën shtetëtore të Republikës. Shqipëria e së sotmes nuk ngjason me Shqipërinë e së djeshmes së afërt; – e tilla e së djeshmes së afërt realizoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, anëtarësoi Shqipërinë në NATO, liberalizoi vizat, përmbushi kushtet për statusin e vendit kandidat, përtej problemeve kishte institucione që balanconin pushtetet dhe frenonin tendencat e atykëtushme autokratike;- së bashku, duhet të përpiqemi për Shqipërinë e së nesërmes ku përmbushja e 15 kushteve është misioni patriotikqë do ti kthente fytyrën institucionale Republikës dhe do të rendiste Shqipërinë në rradhën e vendeve normale me synimin më të lartë;- atë të Integrimit Europian.

25 Prilli është afati kohor aspak i vonë që do të ishte fillesa e një ndryshimi thelbësor; ndryshim që do të realizohet përmes një bashkimi të madh për ditë më të mira me një shpresë të re; një Shqipëri ndryshe që meriton të kthehet e rëndësishme sërish përmes një qeverisjeje normale dhe Kryeministri normal, gjithashtu. Koha për një bashkim të madh dhe një shpresë të re është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë….

Artikulli paraprakPandemisë po i vjen fundi
Artikulli tjetërSi hyri Italia në luftën e Kosovës, flet ish-Kryeministri italian, D’alema