Mori 20 mijë lekë për t’i dhënë 4 vota PS-së në zgjedhjet e 2021, GJKKO e dënon me 8 muaj burg

GJKKO ka dënuar me 8 muaj burg një qytetar nga Lezha me akuzën e “korrupsionit pasiv në zgjedhje”. Nga hetimet e SPAK, shtetasi Gëzim Paplekaj nga Lezha rezulton se ka marrë një shumë prej 20.000 (njëzet mijë) lekë, në këmbim të sigurimit të katër votave, për të votuar në favor të subjektit politik Partia Socialiste, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të zhvilluar më datën 25.04.2021.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit G.P, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

NJOFTIMI:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 25.07.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurit G.P akuzuar për figurën e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Fakti penal i atribuar të pandehurit G.P ka të bëjë me marrjen e një shume prej 20.000 (njëzet mijë) lekë, në këmbim të sigurimit të katër votave, për të votuar në favor të subjektit politik Partia Socialiste, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të zhvilluar më datën 25.04.2021.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani, bazuar në nenin 328/b të Kodit Penal, si dhe në nenet 4/2, 190/1, 390, 406/1 393/1 dhe 485 të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin Nr. 74, datë 09.11.2023 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit P, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” e parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësiperme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri P me 8 (tetë) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin P fillon nga dita e zbatimit të këtij vendimi dhe do të vuhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
Në bazë të nenit 190/1 të K.Pr.Penale provat materiale një CD dhe një DVD me pamjet filmike të mbeten pjesë e fashikullit.
Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit si dhe shpenzimet gjyqesore i lihen në ngarkim të pandehurit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brënda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

Artikulli paraprakMarrëveshja për refugjatët/ Kërkohet përjashtimi i Ramës nga PSE
Artikulli tjetër“Prioritet lufta kundër korrupsionit”, Soreca: SPAK t’i japë fund pandëshkueshmërisë, kanë mbështetjen e BE-së