Marrëveshja për refugjatët/ Kërkohet përjashtimi i Ramës nga PSE

Partia Demokratike italiane është gati të regjistrojë kërkesën për përjashtimin nga Partitë Socialiste Evropiane, për kryeministrin shqiptar dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Peppe Provenzano, kreu i punëve të jashtme në sekretariatin Schlein, e njoftoi vendimin për “La Repubblica”: “Ne do ta ngremë çështjen në kongresin e PSE, i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër në Malaga, në prani të të gjithë socialistëve të mëdhenj të kontinentit, nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, te kancelari gjerman Olaf Scholz”.

Në sy të demokratëve është marrëveshja e diskutueshme e nënshkruar nga Rama me kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila parashikon devijimin drejt Shqipërisë të një pjese të madhe të emigrantëve të kapur nga anijet italiane, deri në 36 mijë në vit, për t’u vendosur në portin e Shëngjinit dhe në Gjadër.

Sipas Partisë Demokratike, marrëveshja shkel të drejtën ndërkombëtare dhe “gjithashtu vlerat e familjes socialiste”, shton ish-ministri Provenzano.

Rama me PSSH-në e tij është anëtar vëzhgues i PSE-së, si partitë socialiste të vendeve të tjera që do të donin të anëtarësoheshin në Bashkimin Evropian. Teorikisht, Rama do të kishte mundësinë të paraqitej në eventin dyditor në Malaga, qoftë edhe vetëm për t’u mbrojtur, por sipas organizatorëve që punojnë për ngjarjen, ai në fund nuk do të jetë aty. “Ndoshta e ndjeu”, shkruan Repubblica.

Italia, me Partinë Demokratike, do të kërkojë të zbatojë të njëjtën procedurë të miratuar për kryeministrin e ri sllovak Robert Fico: pro-rus, aleat me të djathtën ekstreme, ai u përjashtua nga PSE në mes të tetorit, as dy javë pas fitoren elektorale në Bratislavë.

“Për Ramën – vijon Provenzano – procesi duhet të jetë edhe më i shpejtë, duke qenë se ai është një vëzhgues i thjeshtë dhe Shqipëria nuk është pjesë e BE-së”.

Për kryeministrin shqiptar, një divorc politik traumatik me familjen e socialistëve të BE-së, një nga dy partitë e mëdha që qeverisin Brukselin, rrezikon të ketë pasoja edhe për kandidaturën e Tiranës për në BE, raporton media italiane.

Artikulli paraprakPD, Alfrida Marku Dedgjonaj: Transparenca dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje, kushti i parë për qeverisje të mirë
Artikulli tjetërMori 20 mijë lekë për t’i dhënë 4 vota PS-së në zgjedhjet e 2021, GJKKO e dënon me 8 muaj burg