Basha me Walter Gloss, për ligjin e ndalimit të simboleve të komunizmit dhe modernizimin e PD

Së shpejti, Partia Demokratike do t’i propozojë Kuvendit ligjin që ndalon simbolet e komunizmit në Shqipëri. Partia Demokratike në bashkëpunim me fondacionin Konrad Adenauer dhe ekspertizën gjermane do të hartojë ligjin për ndalimin e simboleve të komunizmit.
Dje, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me drejtorin e fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri, Walter Gloss. Takimi kishte si qëllim bashkëpunimin dhe ekspertizën gjermane në hartimin e ligjit për ndalimin e simboleve të komunizmit, si dhe për reformimin e modernizimin e Partisë Demokratike.
Me ardhjen e socialistëve në pushtet, rikthimi i simboleve të komunizmit jo vetëm si një akt provokimi ndaj shqiptarëve, por edhe si një dëshmi e trashëgimisë së diktaturës në pushtetin e sotëm kanë shndërruar në një domosdoshmëri hartimin e një ligji të mirëfilltë që i ndalon këto simbole.
Shfaqja e portretit të diktatorit Enver Hoxha, parullat me simbolet dhe thëniet e regjimit hoxhist, homazhet ndaj diktatorit dhe klikës së regjimit në shumë ceremoni zyrtare shtetërore jo vetëm që nuk janë dënuar dhe as evituar asnjëherë në këto katër vite, por përkundrazi janë nxitur edhe më shumë. Gjatë gjithë qeverisjes socialiste e në vijim deri para pak ditësh, ka një tendencë të dukshme për rikthimin e simboleve të komunizmit.
Dy ditë më parë i pyetur nga mediat, lideri demokrat Lulzim Basha tha se kjo është një sëmundje e vjetër e socialistëve dhe premtoi se këto simbole do të ndalohen me ligj në Shqipëri. “Është një sëmundje e përsëritur, të cilës s’mund t’i jepet ilaçi me propozime fasadë. Ne kemi kërkuar ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, gjermanëve dhe shumë shpejt do të propozojmë në Kuvend një projektligj për ndalimin dhe kriminalizimin e përdorimit të simboleve të komunizmit sipas ligjit që përdorte Gjermania lidhur me simbolet e nazizmit”, tha Basha përpara selisë së PD-së.
Dje gjatë takimit në selinë e Partisë Demokratike, Gloss shprehu angazhimin e fondacionit Konrad Adenauer për të ndihmuar këtë iniciativë ligjvënëse të Partisë Demokratike. Kryetari Basha vuri në dukje se Partia Demokratike do të ndërmarrë një proces të gjerë konsultimi dhe bashkëbisedimi me të përndjekurit politikë dhe të gjithë faktorët shoqërorë për të pasqyruar shqetësimet dhe sugjerimet e tyre në këtë projektligj.
Nga ana tjetër, krahas bashkëpunimit për ligjin mbi ndalimin e simboleve të komunizmit, Partia Demokratike dhe fondacioni Konrad Adenauer do të bashkëpunojnë për të thithur ekspertizën gjermane edhe në procesin e modernizimit të Partisë Demokratike. Partia Demokratike do të nisë një proces analize dhe konsultimi me anëtarësinë për t’i paraprirë ndryshimeve statutore që do të mundësojnë rritjen e rolit të anëtarësisë në vendimmarrje.

Shqipëria, i vetmi vend që nuk ka dënuar krimet e komunizmit

Shqipëria është ndër të vetmit vende ish-komuniste që nuk ka dënuar ende krimet e komunizmit. Katër shtetet anëtare të BE-së kanë legjislacionin kombëtar për mohimin e krimeve të kryera nga regjimet totalitare, e cila përfshin në mënyrë eksplicite krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste: Në Republikën Çeke Kodi Penal përmban një vepër të veçantë për një person, i cili publikisht mohon, e vë në dyshim, miraton ose përpiqet për të justifikuar gjenocidin fashist apo komunist apo krime të tjera të nazistëve apo komunistëve kundër njerëzimit. Në Poloni mohimi publik dhe kunderfaktual për krime naziste, krimeve të komunizmit dhe krimeve të tjera kundër paqes dhe njerëzimit ose krimeve të luftës është një vepër penale. Në Hungari refuzimi publik, vënia në dyshim ose degradimi i faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit të kryera nga regjimet socialiste dhe komuniste kombëtare është një vepër penale. Në Lituani, lejimi publikisht, mohimi apo vënia në dyshim e krimeve ndërkombëtare dhe krimet e kryera nga BRSS (Bashkimi Sovjetik) apo Gjermania naziste kundër Republikës së Lituanisë apo banorëve të saj, është një vepër penale”. Nga të dhënat zyrtare rezulton se 59,009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 prej tyre kanë humbur jetën. Po sipas të dhënave të këtij instituti, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, ndërkohë që 6.027 persona janë vrarë gjatë diktaturës. Po ashtu, nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit. Janë me mijëra qytetarë që janë vrarë nga viti 1944-1955, por një pjesë e madhe nuk ekziston në arkiva. Instituti i Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë në bashkëpunim me shoqatat e të përndjekurve politikë, që operojnë në çdo qytet e trevë të Shqipërisë, ka nisur një projekt të regjistrimit të saktë të mijëra qytetarëve të pushkatuar pa gjyq në vitet 1944-1955, emrat e të cilëve nuk gjenden në asnjë arkiv. Zbardhja e fatit tragjik të këtyre qytetarëve është një detyrë e domosdoshme e institutit tonë dhe një hulumtim i saktë mbi numrin e qytetarëve të pushkatuar për të dhënat e sakta të shifrës së tyre, çka nuk përputhet aspak me të dhënat e deritashme zyrtare. Topografia e terrorit komunist do të titullohet harta ku do të jenë të evidentuara të gjitha kampet e punës së detyruara, po ashtu burgjet në të gjitha trevat e Shqipërisë. ISKK tashmë e ka përfunduar punën hulumtuese në terren për të dhe ka evidentuar burgjet e kampet e punës së detyruar nëpër gjithë territorin e Shqipërisë për të bërë një hartë sa më të saktë, ku të përcaktohet ‘topografia e terrorit komunist’, sipas qyteteve dhe trevave të Shqipërisë. Po kërkojmë rrugë e mundësi të pajisjes së këtyre vendeve të vuajtjes me tabela, memorialë e pllaka përkujtimore. Instituti vijon të përkrahë e nxitë studimet shkencore rreth krimeve të komunizmit me doktorantë të huaj e shqiptarë pranë Universiteteve të Europës e Amerikës, duke u afruar atyre dokumentet dhe literaturën e nevojshme dhe konsulencën shkencore në këtë drejtim.

Artikulli paraprakMogherini takon Thaçin e Vuçiçin në New York
Artikulli tjetërThaçi takon Trump, ridimensionim i politikës amerikane në rajon