Modriç rinovon deri në vitin 2020

Pas Kasemiros dhe Toni Krosit, Reali i Madridit “blindon” një tjetër xhevahir të mesfushës. Luka Modriç e ka rinovuar me dy vjet kontratën që e mbante të lidhur deri në qershor 2018. Lajmin e ka bërë të ditur klubi madrilen me një komunikatë të publikuar sot në ueb-faqen zyrtare. “Reali i Madridit dhe Luka Modriç kanë rënë dakord për rinovimin e kontratës së lojtarit me klubin deri në qershor 2020. Modriç do të dalë para mediave të mërkurën në orën 13:30 në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’”, thuhet në njoftimin e Realit.
Rinovimi i 31-vjeçarit vjen vetëm pak ditë pas atij të Toni Krosit, i cili u lidh me klubin nga kryeqyteti spanjoll deri në vitin 2022. Ndërkohë, në gusht 2015 hodhi firmën mbi kontratën e re deri në vitin 2021 edhe braziliani Kasemiro, duke “blinduar” në këtë mënyrë treshen e mesfushës.
Luka Modriç iu bashkua “Los Blancos” në gusht 2012 dhe që atëherë është shndërruar në një nga pikat kyçe të ekipit. Ai ka luajtur 180 ndeshje me fanellën e bardhë dhe ka fituar dy Champions, dy Superkupa të Europës, Botërorin e Klubeve, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës. Karrierën si profesionist 31-vjeçari e nisi te Dinamo e Zagrebit, ndërsa ka luajtur në huazim edhe me boshnjakët e Zrinjski Mostarit dhe Inter Zapreshiç në Kroaci, para se të transferohej te Totenhemi në 2008-ën.
Aktualisht Modriç është duke u riaftësuar nga një dëmtim në gju pas operacionit që kreu në fillim të tetorit si pasojë e një goditjeje të pësuar gjatë barazimit 2-2 kundër Borusia Dortmundit në Ligën e Kampioneve.

Artikulli paraprakKarlos më shpëtoi
Artikulli tjetërNejmar rinovon me Barcelonën