Mjerimi i vetëdijes historike

Alfons GRISHAJ

Bota e qytetëruar përpiqet që historinë ta sjellë sa më reale, mbështetur në një aparat të mirëfilltë shkencor, pa ngarkesa emocionale e romantizma, pa hiperbolizma e fanatizma, pa subjektivizma krahinorë e pa hamendësime ideologjike.
Historia është çmimi i kujtesës që ndrit të shkuarën, programon të tashmen dhe tërheq vëmendjen e shoqërisë drejt së ardhmes. Gjatë viteve të komunizmit jemi lodhur me gënjeshtrat e neveritshme të një armate historianësh të pandërgjegjshëm, të cilët vunë në funksion të diktaturës, gjithë energjitë e tyre, sa sot i gjithë opinioni e pohon nevojën për ta rishkruar historinë nga e para, edhe pse ka ende zëra që thonë se “edhe një retushim do të ishte i mjaftueshëm”, propozime që vijnë kryesisht nga ata të cilët e kanë të vështirë të shohin përmbysjen e tezave të tyre pseudoshkencore.
Shkrimtari dhe mendimtari anglez, George Orwell, shkruan: “Rruga më efektive për të shkatërruar njerëzit është dënimi dhe fshirja e kuptimit të historisë tyre!”.
Fshirja e kuptimit të historisë i pat dhënë dhe vazhdon t’i japë efektet e veta edhe në periudhën postkomuniste. Konfuzioni dhe çorientimi i klasës politike është vetëm njëra nga dëshmitë e shumta të kësaj pasoje. Dëmi tjetër dëshmohet nga fakti se rëndom pranohet një nivel i ulët kulturor, që është dukshëm i pamjaftueshëm për sfidat historike të shekullit të parë të mijëvjeçarit të tretë. Vetëm një grup i vogël studiuesish konseguentë, si dhe puna tejet e vështirë që menaxhon Instituti i Studimit të Krimeve të Diktaturës, ka dhënë disa fryte vërtet të dobishme lidhur me ndriçimin e periudhës së komunizmit në Shqipëri. Krahas tyre janë për t’u shënuar edhe botime me kujtime apo ditarë të ish-të vuajturve dhe familjarëve të tyre, të cilat edhe kur nuk japin të dhëna që i shërbejnë çështjeve madhore historike, prapëseprapë, ato vlejnë sepse dokumentojnë shkallën e lartë të terrorit dhe krimit shtetëror. Historianë e studiues si Uran Butka, Kolec Topalli, Romeo Gurakuqi etj., kanë shkruar studime e monografi të rëndësishme për ngjarjet kryesore të historisë së dekadave të pushtetit komunist. Rrugëtimi i tyre ka ndeshur dhe ndesh shpesh në ato vështirësi që lidhen me dokumentacionin që sot gjendet i shkapërdarë në xhunglat arkivore të shtetit, të cilat, sidomos në lidhje me të përndjekurit politikë apo klasën e të përmbysurve, siç quhej dikur, deri më 1991, ruheshin të plota madje me indekse të gatshme për t’u përdorur edhe në raste urgjente. Kuptohet që veprat e këtyre studiuesve, mund të mos jenë të mirëpritura nga grupi i historianëve të tezave të historigrafisë totalitariste, por a janë ato burim referimi, për ata të cilët, të paktën për trashëgimi, duhet t’i kishin lexuar këto vepra qoftë edhe për hir të unitetit kulturor?! Mjerisht, duket se jo.
Lexova së fundi dy shkrime të njëpasnjëshme për “Kryengritjen e Postrribës”, si “kryengritja e parë” antikomuniste në Shqipëri. Nderim për martirët e Kryengritjes së Postrribës, të cilët, i dëshmuan botës jo vetëm trimërinë legjendare, por edhe vetëdijen e lartë politike, duke kërkuar demokraci, kur e gjithë Europa Lindore ishte zhytur nën terrin e komunizmit. Por ajo nuk është kryengritja e parë. Tetëmbëdhjetë muaj më parë, në Malësinë e Madhe, më saktë në aksin Shkrel-Kastrat-Këlmend, në harkun kohor janar–shkurt 1945, është zhvilluar kryengritja antikomuniste e Malësisë, ndërkohë që rezistenca kreshnike e kësaj treve ndaj forcave të ndjekjes, ka zgjatur deri në pranverën e vitit 1946. Unë nuk mund ta kuptoj se si antikomunistët në vitin 2016 të shfaqen përtej një uniteti kulturor me dy apo tri histori që kundërthonë rendin kronologjik të ngjarjeve. Këtë gjë, unë nuk mund ta konsideroj ndryshe veçse shprehje të mjerimit të vetëdijes historike.
Fatmirësisht, gjatë lëvizjes demokratike për përmbysjen e komunizmit dhe instalimin e demokracisë në Shqipëri, kam njohur mjaft nga pjesëtarët e familjeve të Kryengritjes së Postrribës, me të cilët kam pasur nderin të bashkëpunoj për të njëjtat ideale. Duke qenë dhe unë me prejardhje nga e njëjta shtresë, kam ndarë vazhdimisht me miqtë nga Postrriba të njëjtën ndjeshmëri dhe të njëjtin respekt për vlerat e përbashkëta.
Kemi folur për dy lëvizjet e asaj kohe, të “Kryengritjes së Malësisë së Madhe” dhe “Kryengritjes së Postrribës”. U kam shpjeguar për luftën antikomuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945, për rezistencën dhe terrorin, për qindra të pushkatuar, për burgosjet, për shtëpitë e djegura dhe të plaçkitura, për internimet e panumërta në kampet famëkeqe. Pinjollët e familjeve të patriotëve të Postrribës më patën treguar se si dhe familjet e tyre ishin ngritur në vitin 1946 duke marshuar me armë në dorë kundër komunistëve në Shkodër, mjerisht duke pësuar të njëjtin fat si kryengritësit e Malësisë së Madhe. Bisedonim për kohën e shkuar, por dhe për ditët që ne ishim protagonistë, e natyrisht për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme ashtu siç e kishin dëshiruar dhe ëndërruar edhe të parët tanë. Nuk rrihnim gjoksin, se kush ishin të parët e kush të dytët. Ishim pjesë e së njëjtës njësi vlerash dhe ndjenim edhe përgjegjësinë për ta ruajtur atë unitet.
Në mos gabohem, më 9 janar të vitit 1991, në mitingun që organizoi PD në Bajzë, Dodë Kaçaj, lartësoi pas 46 vjetësh, të gjithë emrat e nacionalistëve të Malësisë së Madhe, që u pushkatuan, u burgosën dhe internuan. Shtypi i PP-së volli vrer ndaj mitingut dhe figurat e nacionalistëve i përdhosi edhe një herë si kuislingë e tradhtarë. Ai ishte mitingu i parë publik që lartësonte martirët e lirisë, ndërsa Enver Hoxha u krahasua me Hitlerin. Doda u kërcënua me vdekje, po ashtu edhe Azem Hajdari, i cili në fjalën e tij sulmoi ashpër Ramiz Alinë. Të gjendur në atë atmosferë të vetëdijes së lartë politike, besonim dhe shpresonim shumë, ndoshta edhe sepse jehona e ngjarjeve të mëdha historike ishte në kulmin e vitalitetit të vet.
Më vonë, pinjolli i familjes së madhe patriotike Butka, Uran Butka, trokiti derë më derë për të ndriçuar këtë histori të varrosur nga diktatura. Ai nuk u lodh kurrë duke pyetur dëshmitarët e mbijetuar të asaj kohe dhe duke gërmuar arkivat e Ministrisë së Brendshme, realizoi një vepër monumentale historike: “Kryengritjet e para kundërkomuniste”. Kjo vepër madhore na ka dhënë tablonë e ngjarjeve në dimensionet e tyre historike, shkaqet dhe rrethanat në të cilat lindën kryengritjet, pasojat e shtypjeve të tyre, jo vetëm në planin lokal e individual, por si humbje mbarëshoqërore. Vepra e Butkës nuk ka në faqet e veta asgjë për t’u kontestuar. Sigurisht, ajo mund të pasurohet me daljen në dritë të dokumenteve të reja, por esencialja, ajo që shërben për ta përcjellë mesazhin historik tek lexuesit është dhënë dhe për këtë, përveç lëvdatave, autorit i duhet dhënë respekti maksimal duke ia lexuar veprën me mirënjohje dhe jo duke ia injoruar atë, siç u bë me apo pa dashje në shkrimet e fundit.
Me veprën e tij “Kryengritjet e para antikomuniste në Shqipëri”, z. Butka bëri që pseudohistorianët të turpëroheshin duke u bërë dëshmitarë të përmbysjes së tezave të tyre. Butka na ofroi krahas veprës edhe modelin e historianit modern. I tillë nuk është thjesht ai që mbaron shkollën për histori, por cilido studiues, që duke u mbështetur në metoda rigorizisht shkencore, gjurmon të vërtetat historike dhe i pasqyron me vërtetësi ato. Vetë historiografia botërore na ka dhënë shembuj të shkëlqyer të këtij modeli. Por ne s’kemi pse shkojmë larg. Shqiptarët, “Historinë e Skënderbeut”, e mësuan nga një prift shkodran, Marin Barleti, i cili duke iu qasur humanizmit, u bë ndër humanistët më të rëndësishëm të kohës! E pra, me Barletin shënohet edhe lindja e historiografisë shqiptare.
Çka ndodhi me shkrimet për Kryengritjen e Postrribës e natyrisht edhe me fjalimet e mbajtura me rastin përkujtimor, i shkon për shtat më së miri atyre që shohin në këtë diskordancë kulturore mungesën e kohezionit dhe të vitalitetit të vetëdijes historike, e po ashtu fragmentarizmin, krahinorizmin dhe egoizmin në radhët e shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Mjerisht këto gabime janë bërë edhe nga përfaqësuesit e subjekteve politike të qendrës së djathtë!
E vërteta është se, “Kryengritja e Postrribës” nisi një vit e tetë muaj pas “Kryengritjes Malësisë Madhe”. Malet e Malësisë së Madhe me në krye Kelmendin luftuan me javë (!) kundër Briagadave  I, XXIII, XXIV *. Vlen për t’u theksuar se brigadat e komunistëve në shtypjen e kësaj kryengritjeje u mbështetën dhe nga ushtria Jugosllave! Pra, Internacionalizmi Proletar kundër Nacionalizmit Shqiptar! Ky ishte definicioni i asaj lufte. Ka pasur përpjekje për ta ndryshuar këtë definicion, duke e quajtur si luftë vëllavrasëse. Nuk është bërë pa qëllim. Të fshihen fajtorët. Komunizmi dhe nacionalizmi nuk kanë asgjë të përbashkët vëllazërore.
Nacionalizmi dhe komunizmi janë dy teori të ndryshme si në filozofi dhe praktikë. Komunizmi nuk ka atdhe! Beson në internacionalizëm proletar, nuk njeh besimin në Zot dhe pronën private …, Nacionalizmi ka atdhe, beson dhe mbron vlerat e veta, të popullit të vet, ruan pronën dhe besimin si vlera të çmuara të civilizimit dhe identitetit kombëtar.
Dhe pse kanë kaluar disa vite dhe të vërtetat janë shtjelluar si në bazë të arkivave të diktaturës apo dhe dëshmive të të mbijetuarve, bëhen të njëjtat gabime. Injorimi i fakteve dhe të vërtetave historike, me termin më të butë mund të quhet diletantizëm. Dhe këtu lind përsëri një problem identiteti. Diletantizmi nuk është tipar i forcave të djathta. Mos ndoshta e djathta shqiptare ka nevojë për një skanim multidimensional të vetvetes, aq për më tepër kur dëshmon tashmë hapur se nuk e njeh as historinë e vet?! Si lejohet që diletantizmi të shndërrohet në modus vivendi tek e djathta pse përvoja historike na mëson se me diletantizëm nuk mund shkohet përpara. Shkenca e historisë nuk është laropitë*.
Amerikanët kanë një frazë të bukur: “Enough is enough!” që shqipërohet, “Nuk do të tolerohet më”!
Nuk do t’u bëj analizë shkrimeve të fundit e as fjalimeve të mbajtura në përkujtimoren e Lëvizjes së Postrribës. Nëse do ta bëja veç do të përsërisja ato që ka shkruar për mrekulli z. Butka. Unë e kam lexuar veprën e tij dhe u them të gjithëve që duan vërtet të respektojnë gjakun e martirëve: lexojini të vërtetat ashtu siç e kërkon detyrimi ndaj veprës dhe gjakut të martirëve. Ruani unitetin kulturor të shtresës së cilës i përkisni. Bëjeni këtë edhe duke respektuar veprat e historianëve seriozë, lexojini ata që të kuptoni edhe madhështinë e veprës së martirëve të demokracisë. Ata nuk luftuan për të parë as për të dytë, ata luftuan për një kauzë, të cilën ne akoma sot e kësaj dite nuk jemi në gjendje ta vlerësojmë si sakrificë sublime, por luftojmë artificialisht sedra private e lokale në mënyrë të dëmshme. Një lexim i keq i historisë e akoma më keq mosleximi i saj s’është tjetër veçse shenjë e mjerimit të vetëdijes historike. Datat janë data, faktet janë fakte dhe ato në histori nuk lexohen së prapthi!

U. Butka, “Kryengritjet e para kundërkomuniste” F,116.
Laropitë = Lloj lakrori që bëhet me miell misri dhe me barishte të ndryshme të përziera me djathë

Artikulli paraprakGlobalizimi, dilema e Obamës
Artikulli tjetërDëshmi e një rraskapitjeje psiqike