Shqipëria me pagat më të ulta në Ballkan

Punonjësit shqiptarë kanë pagat më të ulëta, jo vetëm nëse i krahason me vendet e zhvilluara të Perëndimit, por edhe në raport me ekonomitë e tjera të varfra në rajon. Faktin e pranon vetë një institucion qeveritar, Këshilli i Investimeve. Sipas të dhënave të publikuara nga ky këshill, rezulton se në fund të vitit të kaluar, paga mesatare bruto për punonjësit në Shqipëri ishte vetëm 357 euro. Ky është niveli më i ulët në Ballkanin Perëndimor, duke qenë më poshtë edhe se sa ekonomitë e varfra të Bosnjës e madje edhe Kosovës. Sipas KI, në Kosovë paga mesatare bruto është 360 euro, ndërsa në Bosnje ajo 424 euro. Në vendet e tjera të rajonit, punonjësit fitojnë edhe më shumë, nga 500 euro në muaj në Serbi deri në 739 euro në Malin e Zi.

Ulje pagash

Përveçse kanë rrogat më të ulëta në rajon, punonjësit shqiptarë janë përballur me përkeqësimin e standardeve të jetesës gjatë viteve të fundit. Banka Botërore deklaroi se rrogat në Shqipëri kanë rënë për katër vite me radhë, duke rrudhur të ardhurat e punonjësve me një intensitet të paprecedentë as për ekonomitë e zhytura në krizë të thellë. “Pagat nominale vazhduan rënien, e cila ka filluar që në fund të vitit 2013, por ky trend duhet të lehtësohet në vitin 2017 nga përfundimi i ngrirjes së rrogave në sektorin publik”, thuhet në një raport të publikuar pak javë më parë nga BB. Rënia e pagave nominale nënkupton se punëtorët në Shqipëri po përballen me një krizë të paprecedentë të ardhurash. Kjo pasi, përveç rënies së rrogave në vlerë nominale, niveli i tyre i mirëqenies është përkeqësuar edhe nga rritja e çmimeve.

Shkelje e të drejtave

Kodi i Punës i parashikon një sërë të drejtash për punonjësit që nga ditët e detyrueshme të pushimeve dhe deri tek pagesat shtesë, që ata duhet të përfitojnë për orët shtesë apo ditët e festave. Por këto të drejta duket se i gëzojnë vetëm punëtorët e shtetit, ndërsa pjesa më e madhe e atyre që punojnë në sektorin privat përballen me shkeljen e tyre. Sipas Kodit të Punës në Shqipëri janë 20 ditë pune leje vjetore apo 28 ditë kalendarike. Ndërsa festa zyrtare numërohen 12. Megjithatë në Shqipëri bizneset private nuk e respektojnë tërësisht Kodin e Punës dhe jo të gjithë punonjësit e marrin të plotë lejen vjetore prej 20 ditësh, ndërsa shumë prej tyre detyrohen të dalin në punë edhe gjatë fundjavës. Në ditët e festave dhe të pushimit punojnë dhe të vetëpunësuari, që përbëjnë rreth një të tretën e totalit të të punësuarve në sektorin privat.

Të ardhura mbijetese

Thuajse të gjithë punonjësit në Shqipëri janë të keqpaguar dhe pjesa dërrmuese kanë vështirësi të përballojnë edhe nevojat më minimale të jetesës. Vetëm një numër shumë i vogël kanë të ardhura relativisht të larta që lejojnë një jetesë normale. Sipas statistikave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rezulton se 99.5 për qind e punonjësve i kanë të ardhurat më të ulëta se sa 2 milionë lekë në vit dhe vetëm 0.5 për qind e tyre kanë një pagë mbi këtë nivel. E shprehur në numër kjo do të thotë se në Shqipëri janë vetëm 6 mijë punonjës që deklarojnë të ardhura nga paga më të larta se 2 milionë lekë në vit. Në total, sipas statistikave të INSTAT, Shqipëria numëron rreth 1 milion e 667 mijë të punësuar. Numri i ulët i personave që kanë të ardhura nga mbi 2 milionë lekë në vit pasqyron nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik të vendit.

1 Maji, protesta në Tiranë, sindikalistët kërkojnë pagë minimale në 28 mijë lekë

Përmirësimi i kushteve të punës, rritja e pagës minimale në 28 mijë lekë, vendosja e minimumit jetik, si edhe status për metalurgët dhe punonjësit e industrisë ushtarake ishin disa nga kërkesat e bëra nga sindikalistët në protestën e zhvilluar me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve. Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, theksoi se numri i aksidenteve në punë është ulur me 35% gjatë 2016-ës, por ngelet shumë për të bërë në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës. “Ne sot protestojmë dhe apelojmë për paga dhe vende pune dinjitoze, sot protestojmë për rritjen e pagës minimale që ka qenë zhgënjim prej katër vjetësh, pavarësisht nga presioni pozitiv që Konfederata e Sindikatave ka drejtuar kërkesa të herëpashershme Parlamentit, qeverisë dhe gjithë politikëbërjes dhe vendimmarrjes shqiptare. Përfaqësuesja e Aleancës Gjinore e ka vënë theksin te fasoneritë, për të cilët tha se i kanë vënë të punojnë gratë dhe vajzat dhe në ditët e pushimit”, tha Nikollaj. Punonjësit e Uzinës Ushtarake në Poliçan, pjesë e këtij manifestimi, bënë të ditur se nuk paguhen për rreth 3 vite çka ka ndikuar ndjeshëm në nivelin e tyre të jetesës. “Në uzinë sot janë vetëm 22 punëtorë, pothuajse vetëm administratë. Punë nuk ka. Kemi tre vjet pa lekë”, tha Abedin Çela, kryetari i Sindikatës së Uzinës Ushtarake në Poliçan. Protestat kanë  vijuar edhe përballë Ministrisë së Mirëqenies Sociale ku një grup studentësh  kërkuan vëmendjen e shtetit dhe dëmshpërblim të familjarëve të rreth 200 punonjësve të vrarë në punë. Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, tha se rritja e pagës minimale është një nga kërkesat dhe nevojat e kahershme të punonjësve. Erjona Mulellari: Sot në datë 1 Maj u është kërkuar grave dhe vajzave të dalin në punë në fabrikat e tekstileve dhe këpucëve. Gratë dhe vajzat përbëjnë 95% në këto biznese, ato kanë të drejtën e tyre për pushim sipas Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë. Ish-punonjësit e Uzinës së Demontimit të Armëve në Poliçan kanë ngritur shqetësimin se prej 3 vitesh janë hedhur në rrugë e në rast të moszbatimit të ligjit për pension të parakohshëm e vetmja alternativë që u ka mbetur është vetëvrasja. Lindita Fesko: Në qoftë se qeveria jonë nuk na jep një të drejtë, ne do të bëjmë vetëvrasje, se nuk kemi ku shkojmë me 30 mijë lekë. Energjinë na e kërkon shteti, tatimin e shtëpisë, pastrim-gjelbërimin e kërkon, me 30 mijë lekë që na jep neve çfarë do të bëjmë? Asgjë. Në Elbasan, komuniteti rom dhe egjiptian protestuan për më shumë siguri dhe garanci në punë. Protestuesit kërkuan më shumë mundësi punësimi dhe jo diskriminim në punë. 1 Maji shënon ditën e punëtorëve dhe në të gjithë botën mbahen protesta ku punonjësit kërkojnë më shumë të drejta dhe liri.

Totozani kritikon qeverinë për kushtet skandaloze të punës

Avokati i Popullit, Igli Totozani, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majin, përshëndet të gjithë ata shqiptarë, që me kontributin e tyre të përditshëm, përkushtimin dhe dashurinë për punën ndihmojnë në progresin e shoqërisë sonë. “Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që kjo nuk është një ditë feste, por është një ditë angazhimi për të kërkuar respektimin e të gjithë të drejtave që lidhen me punën, si të drejta themelore të njeriut. Mendimi im i parë shkon për ata punëtorë që humbën jetën në galeritë e minierave apo në ndërtim, në kushte pune skandaloze, në shkelje flagrante të kushteve të sigurisë”, shprehet Avokati i Popullit, Igli Totozani. Ai kërkon më shumë vëmendje nga autoritetet lidhur me përmirësimin e kushteve të punës e veçanërisht për sektorët më të vështirë, sikundër i bën thirrje drejtuesve të institucioneve të intensifikojnë monitorimet dhe kontrollet, si dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete  për të ndalur shfrytëzimin e të miturve në punë të vështira, siç është rasti i fëmijëve në Bulqizë që për shkak të varfërisë detyrohen të mbledhin krom në mal. Totozani thekson se pavarësisht masave të marra deri tani, duhet bërë më shumë edhe për ndalimin e punës në “të zezë” apo të punës pa sigurime shoqërore e shëndetësore, fenomen ky që barasvlerëson me zero kontributin e individit, duke sjellë pasoja të rënda financiare për të ardhmen. Sipas Avokatit të Popullit, drejtuesit e institucioneve dhe vendimmarrësit duhet të fokusojnë vëmendjen në drejtim të punësimit, e sidomos të krijimit të më shumë hapësirave për të rinjtë, të sapodiplomuarit që kanë nevojë për mbështetje dhe eksperiencë. Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve është momenti për të kërkuar zbatimin e ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, por edhe të krijimit të më shumë mundësive të trajnimit dhe  përfshirjes në skemat e punësimit të grupeve vulnerabël, në mënyrë që edhe këta qytetarë të gjejnë veten përmes punës dhe të ndërtojnë të ardhme të sigurta dhe të qëndrueshme për veten dhe familjet e tyre. Mbështetje dhe ndihmë më e madhe duhet dhënë për fuqizimin e gruas përmes punësimit, pasi mundësitë ekonomike më të mëdha për to shndërrohen edhe në një element mbrojtës nga dhuna në familje. Një rëndësi të veçantë në këtë ditë, thekson z. Totozani, merr edhe  garantimi e respektimi i  marrëdhënieve korrekte në punë, në respekt të plotë të ligjit. Shkëputja e marrëdhënieve të punës në mënyrë të padrejtë, përbën shkelje të të drejtave të njeriut, por është edhe abuzim me detyrën. Ajo sjell pasoja mbi çdo individ, të cilat reflektohen më gjerë në familje dhe shoqëri. Avokati i Popullit, Igli Totozani, nxit dhe inkurajon frymën qytetare, shoqërinë civile, si dhe çdo individ që të mos ketë frikë të kërkojë të drejtat që i takojnë dhe të denoncoj çdo rast abuzimi, dhune apo shkelje të ligjit. “Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve mbetet një moment frymëzimi për të gjithë, për të treguar guxim dhe vendosmëri në kërkesat për respektimin e të drejtës së punës, e të drejtës për një jetë më të mirë”, shprehet Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Artikulli paraprakKriza, BSH injektoi 30 miliardë lekë në treg në 6-mujorin e fundit 2016
Artikulli tjetërArkeologjia në Durrës, në kërcënimin e ndërtuesve