Mandija-pushtetit vendor: Asnjë takim elektoral në orarin zyrtar

Zëvendëskryeministrja në vijim të njoftimit për shtyp të datës 1 qershor 2017 në adresë të të gjithë institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, duke ndjekur situatën në terren si bazuar në informacionet e marra, nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp dëshiron të sqarojë veçanërisht të gjithë punonjësit e bashkive dhe prefekturave që janë nëpunës civilë, administrativë apo me kontratë pune, që e kanë të ndaluar gjatë orarit zyrtar të punës çdo lloj pjesëmarrjeje në aktivitete/veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati.
Ndërkohë punonjësit e institucioneve më sipër që gëzojnë statusin e nëpunësit civil jashtë orarit zyrtar kanë të drejtë të marrin pjesë në veprimtari politike, por nuk u lejohet të shprehin publikisht bindjet dhe preferencat e tyre politike. Kjo do të thotë që nuk u lejohet të ndërmarrin veprime për të bërë fushatë për një subjekt politik/zgjedhor apo kandidat, të jenë protagonistë në aktivitete/veprimtari politike apo të manifestojnë me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht.
Gjithashtu, sqarojmë që bazuar në nenin 88 të Kodit Zgjedhor nuk mund të përdoren apo të vihen në mbështetje të kandidatëve, partive politike apo koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror e vendor apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota dhe/ose emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo drejtues të entit pavarësisht kapitalit apo pronësisë. Me “burime” kuptohen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore.
Gjatë fushatës zgjedhore gjithashtu ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucionet apo entet publike, me përjashtim të rasteve të përligjura. Konsiderohen raste të përligjura rastet kur lëvizja apo lirimi nga puna vjen si rrjedhojë e shkeljeve, sipas legjislacionit përkatës ose marrja në punë bëhet brenda strukturës dhe organikës në fuqi përpara fushatës zgjedhore nga institucioni apo enti publik në përmbushje të misionit të tij. Bëjnë përjashtim rastet e emergjencave për shkak të ngjarjeve të paparashikuara që diktojnë marrjen në punë.
Për sa më sipër ju bëjmë thirrje veçanërisht bashkive dhe prefekturave, por edhe çdo institucioni tjetër në nivel qendror e vendor të marrin masa për respektimin e plotë të dispozitave ligjore dhe nënligjore gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe sjellim në vëmendje që mosrespektimi i tyre mbart pasoja ligjore sipas ligjit deri në ndjekje penale.

Artikulli paraprakHahn: Kosova të formojë qeveri pro evropiane
Artikulli tjetërMinistri i Drejtësisë pezullon sekretaren e Përgjithshme