Mike Pence, përvoja që i mungon Donald Trumpit

I matur, i qetë, besnik, i mendueshëm, i tërhequr, elokuent – këto janë mbiemrat që përdor media për të përshkruar Mike Pence. Ai e përshkruan veten si “i krishterë, konservator dhe republikan, sipas kësaj radhe”.
Qëkurse Donald Trump njoftoi në mes të korrikut se do ta bënte Mike Pence kandidatin e tij për nënpresident, kjo u vlerësua nga analistët si një lëvizje strategjike. Pence mund të krijojë një urë lidhjeje me republikanët ultrakonservatorë, të cilët nuk e pëlqejnë shumë Donald Trumpin.
Sipas gazetës britanike “Telegraph” Trumpi e ka quajtur Pence si një të ashtuajtur “running mate”, që do ta ndihmojë të shesë idetë e tij në Kongres. Pence ka kontakte të mira me Kongresin.
Por ata të dy nuk janë gjithmonë të një mendjeje. 57-vjeçari Pence flet për një “sistem të korruptuar” në Rusi, ndërsa Trump në mënyrë të përsëritur ka shprehur lëvdata për Putinin. Më parë Pence ka qenë mbrojtës i tregtisë së lirë – e kundërta e plotë e përfytyrimeve të Trumpit. Pence gjithashtu është shprehur edhe kundër idesë së Trumpit që myslimanëve të mos u lejohet të hyjnë në SHBA.
Pence është i krishterë evangjelikan, rrjedh nga një familje e mesme nga Indiana, ku edhe është rritur, është prej 30 vjetësh i martuar. Pas studimeve për drejtësi, ai ka punuar si avokat dhe moderator në një radio konservatore.
Guvernatori nga Indiana është tejet konservator. Ai refuzon martesën e njerëzve me të njëjtin seks dhe abortin. Në vitin 2000 ai kërkoi prej Kongresit që të vërë në dispozicion para për institucione që t’u vijnë në ndihmë njerëzve, si homoseksualët, që të ndryshojnë sjelljen e tyre seksuale. Si guvernator ai ka vendosur në Indiana një nga ligjet më të ashpra kundër abortit në të gjithë vendin.
Në fillim të tetorit Pence fitoi duelin e vetëm televiziv të kandidatëve për zëvendëspresident kundër konkurrentit të tij demokrat. Sipas mendimit të vëzhguesve, Pence ishte më bindës për shkak të tonit të tij të matur. Ai ka një retorikë mjaft të mirë. Por gjatë duelit televiziv 57% e pjesëmarrësve në një anketë të stacionit “CBS” thanë se, ata nuk dinë mjaftueshëm rreth Pence për të krijuar një mendim për të.

Të irrituarit me ekonominë

Elita politike e Amerikës u përpoq ta çojë vendin drejt pranimit dhe pajtimit pas fitores befasuese të republikanit Donald Trump në garën presidenciale, që vazhdon të kumbojë në mbarë botën. Analistët dhe opinionistët janë gjithashtu duke kërkuar arsyet përse parashikimet e zgjedhjeve për një fitore të Hillary Clintonit ishin aq larg realitetit.
Demokratja Hillary Clinton, e cila shpresonte të bëhej gruaja e parë presidente, pranoi zyrtarisht humbjen të mërkurën, disa orë pasi Donald Trump deklaroi fitoren që do ta bëjë atë presidentin e 45 të Shteteve të Bashkuara më 20 janar.
Clinton u tha përkrahësve të saj, “I detyrohemi atij një mendje të hapur dhe një shans për të udhëhequr”.
“Ne nuk jemi së pari demokratë, nuk jemi republikanë. Ne jemi amerikanë. Jemi së pari patriotë. Ne duam më të mirën për vendin tonë. Këtë e dëgjova tek deklarata e zotit Trump dhe kur bisedova me të drejtpërdrejtë dhe u inkurajova”.
Tonet pajtuese të zotit Trump erdhën në fjalimin e tij në orët e para të së mërkurës.
“Për ata që kishin vendosur të mos më mbështesnin në të shkuarën, që janë pak njerëz, iu kërkoj ndihmën dhe udhëzimin tuaj në mënyrë që të punojmë së bashku dhe të bashkojmë vendin tonë të madh”.
Trumpi do të ketë shansin e një Kongresi të kontrolluar nga republikanët, një perspektivë që e frymëzon kreun e Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan. “Ai u lidh me njerëzit si askush tjetër. Ai ndryshoi retorikën e politikës dhe tani Donald Trump do të udhëheqë një qeveri të bashkuar republikane”. Trump e siguroi fitoren e tij në një pjesë të madhe nga numri i lartë i votuesve të bardhë të klasës punëtore të irrituar me ekonominë, thotë eksperti Norman Eisen.
“Pakënaqësia nga efektet zvarritëse të kolapsit financiar të 2008-ës dhe dhe impakti që ajo ka patur tek punëtorët dhe njerëzit e thjeshtë gjatë dekadave të fundit”. Sondazhet parazgjedhore i dhanë Clintonit avantazh dhe analistët politikë dhe anketuesit, do të përpiqen të gjejnë arsyet se pse parashikimi ishte i gabuar, thotë Molly Reynolds.
“A drejtuam pyetjet e duhura për votuesit? A po matnim si duhet se si do të votonin ata? Do të mundohemi të gjejmë gabimet rreth të dhënave që çuan në këtë parashikim që ishte i ndryshëm nga realiteti”.
Ndërsa zonja Clinton del nga skena politike, zoti Trump duhet të përqendrohet tani në formimin e një administrate të re.

Artikulli paraprakBasha: Të hetohet afera ARMO, jemi në krah të naftëtarëve
Artikulli tjetërKu shkojnë 120 milionë eurot e taksës së qarkullimit?