Midis Atlantikut dhe Rusisë nuk ka më hapësirë për diplomacinë

Është një rregull shekullor i fuqive detare që t’i “izolojnë” armiqtë e tyre me një gardh të përbërë nga sanksione ekonomike, rrethim ushtarak, dënim politik dhe ideologjik: në të kaluarën “izolimi” apo “kapja për fyti” ka qenë thuajse gjithmonë pararendësi i luftës. Kështu që janë për t’u parë me preokupim zhvillimet e fundit në Europë: në Mbretërinë e Bashkuar është shfrytëzuar helmimi i ish spiunit rus Sergei Skripal për t’i përkeqësuar më tej raportet diplomatike me Moskën dhe për t’i shtryë “aleatët” në të njëjtin drejtim, ndërsa në Sllovaki Kryeministri Robert Fico, kundër një nënshtrimi total ndaj politikave NATO, është larguar me një operacion të pistë.

Tashmë blloku atlantik e ka “izoluar” Moskën dhe, duke i mohuar të drejtat e saj, interesat e saj dhe zonën e saj legjitime të influencës, përgatit terrenin për luftë. Në Europë mbretëron një atmosferë e ngjashme me atë të fillimit të ‘900, kur Gjermania vilhelmiane, në ngritje të plotë ekonomike dhe ushtarake, synonte rolin e fuqisë së madhe botërore, duke rrezikuar primatin britanik. Duke filluar nga vitet e para të shekullit, Berlini u marxhinalizua kështu progresivisht nga bashkësia ndërkombëtare nën mbikëqyrjen e urtë britanike: e detyruar që të lidhej në mënyrë të pazgjidhshme me Vjenën, viktimë e një sindromi (të justifikuar) rrethimi,

Gjermania maturoi sigurinë se lufta ishte e pashmangshme. Ishte – siç edhe praktikisht ndodhi më pas – një çështje jete apo vdekjeje. E likuiduar Gjermania me dy seanca (1914 – 1918 dhe 1939 – 1945), fuqive detare nuk u mbetej veçse të neutralizonin fuqinë ruse për t’u shpallur padronë të Eurazisë (Tokëzemra e Halford Mackinder) dhe, për pasojë, të botës.

Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, ka mundësi falë bashkëpunimit të Mikhail Gorbaçovit dhe zhytjes së Rusisë në një krizë ekonomike, sociale e politike të paprecedent nën presidencën e Boris Jelcinit, misioni dukej i kryer. Me hyrjen në Kremlin të Vladimir Putinit, procesi i shpërbërjes së Rusisë ndalet dhe, më pas, përmbyset: në harkun e një 20 vjeçari, Moska rigjen rangun e fuqisë botërore, të vulosur nga sukseset e kohëve të fundit në Siri e në Lindje të Mesme.

Progresivisht, nis kështu “procesi sëprapthi”: fuqia kontinentale (Rusia) nis të mëshojë mbi rripin bregdetar të Eurazisë (Tokëunaza e Nicholas John Spykman), duke sulmuar angloamerikanët si në Europë, ashtu edhe në Levant. Por, krahasuar me 1945, fuqitë detare gjenden në pozicion dobësie sepse:

  • Nuk ekziston më asnjë barrierë ideologjike e komunizëm që të ndërfutet midis Europës perëndimore dhe Rusisë;
  • kuota e PBB-së botërore të prodhuar nga blloku atlantik (për pasojë edhe mjetet në dispozicion) është reduktuar në mënyrë dramatike;
  • aksesi i lirë në tregun botëror dhe në një sistem ekonomik më pak të sklerotizuar, e bëjnë Rusinë më të frikshme.

 

Kështu, establishmenti liberal ka përpara vetes një zgjedhje: ose abdikojë në hegjemoninë botërore, ose të lëshojë një sulm të dëshpëruar ndaj Tokëzemrës, domethënë duke i shpallur luftë Rusisë dhe duke kërkuar që të përfundojë pushtimin manu militari të Eurazisë, i të cilit likudimi i Gjermanisë ka qenë etapa kryesore e shekullit të kaluar. Opsioni i parë, domethënë heqja dorë nga hegjemonia botërore, është në kontrast të pastër me parimet “universalistike” që animojnë oligarkinë atlantike; kështu që nuk mbetet asgjë përveç opsionit të dytë, neutralizimi i Rusisë: nga këtu lind ajo klimë shtypëse për të cilën po flisnim në fillim. Ashtu si në fillimet e ‘900, establishmenti liberal e izoloi dhe e rrethoi Gjermaninë, deri sa i shpalli luftë, edhe sot po zbaton një “kapje për fyti” ekonomike, diplomatike, ushtarake e mediatike të Rusisë: rezultati, pavarësisht armatimeve bërthamore, rrezikon që të jetë i njëjti.

Nëse objektivi final i strategjisë është asgjësimi i kundërshtarit, atëhere është e pashmangshme që pak e nga pak diplomacia t’ia lërë vendin provokimit, arësyeja dhunës, dialogu kërcënimit. Fatkeqësisht, është ajo që po ndodh qysh nga viti 2014 (grushti i shtetit në Ukrainë) e këtej dhe dinamika, vit pas viti, po përshpejtohet. Në mënyrë të veçantë, dy episode mjaft të vonshëm janë simptomë e vullnetit euro – atlantik për t’i përkeqsuar raportet me Rusinë deri sa t’i çonte në pikën e prishjes: ndryshimi i regjimit me të cilën është larguar kryeministri sllovak Robert Fico dhe afera thuajse e njëkohëshme Skripal.

Ashtu si Republika Çeke fqinje, Sllovakia ka përfunduar në shënjestrën atlantike për shkak të hapjes së tepruar të saj ndaj Rusisë dhe të refuzimit parallel për t’ju nënshtruar politikave të NATO-s. Në rastin e Pragës është kërkuar që të vritet qysh në djep problemi: “populisti dh prorusi” Andrej Babis është goditur në mes të fushatës elektorale nga një padi, por kjo nuk e ka penguar që të fitojë zgjedhjet e tetorit të kaluar. I hetuar dhe i privuar nga imuniteti parlamentar, Babis po lodhet jo pak që të miratojë qeverinë e tij, ndërsa në sheshe asistohet në protestat e para të markës atlantike kundër devijimit “autoritar” të vendit.

Kurse problemi i Bratislavës i përket disa viteve më herët: faktikisht është në vitin 2006 që socialdemokrati Robert Fico fiton postin e kryeministrit. Prorus, kundër sanksioneve ekonomike kundër Moskës, Fico e ka demonstruar gjithmonë alergjinë e tij ndaj NATO-s: “Slovak PM follows Czechs in ruling out foreign NATO troops”, shkruante Reuters në 2014, duke nënvizuar kundërshtimin e Bratislavës ndaj çdo baze permanente të Aleancës Veriatlantike.

Ashtu si kryeministri hungarez Viktor Orban, edhe Fico është për pasojë i llogaritur midis “miqve të Rusisë” në Europën Qendrore: çdo sulm ndaj qeverisë së tij është, indirekt, një sulm ndaj Moskës, i destinuar që të ushqejë më tej tensionet midis Rusisë dhe bllokut euro – atlantik. Do të jetë padyshim ky rezultati i manovrës me të cilën është shkarkuar Roberto Fico: një manovër që është identike me atë me të cilën është kërkuar që të përmbyset në Maktë kryeministri Joseph Muscat, edhe ai “prorus” dhe socialdemokrat.

Më 22 shkurt është vrarë, bashkë me shoqen e tij, gazetari sllovak Jan Kuciak, që njëlloj si homologia malteze e tij Daphne Caruana Galizia, i përket rrjetit që, për llogari të shërbimeve angloamerikane, ka shpërndarë dosjet e “Panama Papers”. Mediat kapën tezën që të dy janë vrarë nga krimi i organizuar, ka mundësi italian, mbi të cilin gazetari po investigonte: për më tepër, si në rastin e Daphne Caruana Galizia, Kuciak po rrëmonte mbi lidhjet midis mafies dhe anëtarëve të qeverisë (proruse).

Lajmi i vdekjes së gazetarit ka jehonë ndërkombëtare dhe trondit themelet e qeverisë Fico: vërshojnë akuza për lidhje me krimin, ndërsa në sheshe derdhet populli i zakonshëm i revolucioneve me ngjyra. “Death of investigative journalist sparks mass protests in Slovakia”, shkruan “The Guardian” më 9 mars. Megjithëse Fico e denoncon publikisht rolin e George Soros dhe manovrat e huaja për të përmbysur qeverinë e tij, presioni është tepër i fortë për kryeministrin sa t’i rezistojë: më 14 mars Fico jep dorëheqjen.

Sigurisht, për Sllovakinë nuk mendohet një ndryshim “radikal” regjimi (Robert Fico e ka zgjedhur tashmë pasuesin e tij nga radhët e Partisë Socialdemokrate), por është sinjali i radhës i luftës pakompromis që zhvillohet nga Malta në Ukrainë, duke kaluar nëpër Ballkan: çdo qeveri “proruse” destabilizohet në mënyrë sistematike, pasi establishment liberal e mohon legjitimitetin e interesave të Moskës në Europë dhe në Mesdhe. Është një politikë, që në periudhë afatmesme, nuk ka sesi të mos çojë tek përplasje direkte. Më e rëndë akoma është afera Skripal, që demonstron sesi propaganda, manovrat okulte e shërbimeve sekrete dhe fushata e urrejtjes kundër Rusisë kanë fituar tashmë epërsinë në Perëndim.

Të dielën 4 mars, në Salisbury, është gjetur në kushte të rënda bashkë me të bijën, Sergej Skripal: bëhet fjalë për një ish agjent rus, tashmë 66 vjeçar, i arrestuar për tradhëti të lartë në 2004 me akuzën e shitjes së informacioneve britanikëve dhe më pas i liruar falë një shkëmbimi spiunësh. Del që Skripal na qenka helmuar nga një agjent nervor dhe, pavarësisht se nuk është dhënë asnjë arësye e besueshme për tentativën e vrasjes e këtij dopioxhokisti të vjetër, formulohen akuza që të çojnë drejt tek drejtuesit e Rusisë: sipas shtypit britanik, porositësi i mundshëm është Putini personalisht.

Afera Skripal rritet kështu në mënyrë joproporcionale në harkun e 10 ditëve, përpata tronditjes së rusëve, që nëpërmjet gojës së Ministrit të Jashtëm Sergej Lavrov e damkosin të gjithë ndodhinë si një “shfaqje cirku”: më 14 mars Theresa May njofton përzënien e 12 diplomatëve rusë, duke i zbritur drejt minimumeve raportet anglo – ruse. Të nesërmen, qeveria angleze nxjerr një komunikatë, të nënshkruar edhe nga SHBA-të, Franca e Gjermania, ku ia veshin Moskës përgjegjësinë e tentativës së vrasjes: blloku euro – atlantik, në dukje i përçarë nga Brexit dhe nga zgjedhja e Trump, rikompaktësohet. Për të sulmuar Rusinë.

Si për të kurorëzuar eskalimin atlantik kundër Moskës, është njoftimi, gjithmonë i 15 marsit, për sanksione të reja nga ana e Shteteve të Bashkuara, në kundërpërgjigje të ndërhyrjeve të supozuara ruse gjatë presidencialeve të nëntorit 2016. Po si të harrosh përplasjen thuajse të drejtpërdrejtë në Rusi, ku në fillim të shkurtit aviacioni amerikan ka bombarduar për herë të parë ushtarë rusë?

Apo strategjinë e re bërthamore të njoftuar nga Pentagoni në ditët e para të shkurtit, që përveç “lehtësimit” të përdorimit të armëve atomike duke nxjerrë nga pluhuri bombat taktike e Luftës së Ftohtë, ul edhe pragun e përdorimit të tyre, duke e fiksuar në një sulm armik, konvencional apo kibernetik? Sigurisht, nuk është aspak e rastësishme që përpara dhomave të bashkuara Putini ka njoftuar më 1 mars një gjeneratë të re raketash supersonike në gjendje të penetrojnë çdo mbrojtje: Moska nuk përton të ritheksojë se çdo veprim armiqësor do të sjellë një reagim (shkatërrimtar).

Operacionet e pista, dinakëria dhe propaganda kanë epërsinë ndaj diplomacisë: të hipotezosh se establishmenti atlantik dëshiron vetëm që të turbullojë rizgjedhjen e Vladimir Putinit mund të jetë vetëm një vetëmashtrim qetësues, ndërkohë që në horizont po profilohet ditë pas ditë një përplasje e re midis Tokës dhe Detit.

(nga Geopoliticus)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakKush është gjyqtari shërbëtor i Rama-Alizotit dhe historia e tij e korrupsionit
Artikulli tjetër“Identiteti gjerman, AfD-ja dhe atmosfera e Veimarit”