Kush është gjyqtari shërbëtor i Rama-Alizotit dhe historia e tij e korrupsionit

Një histori e vjetër me sfond korruptiv duket se i rri mbi kokë gjyqtarit të Tiranës, Kastriot Gramshi, në këto kohë Vetingu, aq sa e detyron të shndërrohet në “ushtar të bindur” të Partisë Socialiste, e cila kontrollon plotësisht procesin e rivlerësimit kalimtar.

Gramshi, i cili vendosi të Premten të kalojë për gjykim denoncuesit e aferës “Geron Xhafaj” për “kallëzim të rremë”, shpreson që me këtë vendimmarrje të shpëtojë imazhin e “Rilindjes” dhe njëkohësisht edhe karrierën e tij.

Kastriot Gramshi ka qenë pjesë e brezit të parë që përfunduan studimet në Shkollën e Magjistraturës. Në vitin 2000 ai emërohet gjyqtar në Shkodër.

Në Mars të vitit 2004, Këshilli i Lartë i Drejtësisë njoftoi se kishte nisur procedurat e verifikimit ndaj gjyqtarit Kastriot Gramshi, për shkak se nuk ishte paraqitur në punë. Një muaj më vonë, KLD njoftoi se kishte marrë dhe kishte pranuar kërkesën për dorëheqje të gjyqtarit Kastriot Gramshi.

Për kolegët e tij në Shkodër dukej e pakuptimtë që gjyqtari i ri dha dorëheqjen vetëm pak vite pasi kishte marrë detyrën dhe vendosi të emigrojë në Amerikë.

Por, këto pikëpyetje të kolegëve u zëvendësuan nga të dhëna se “dorëheqja e papritur” e gjyqtari Gramshi lidhej me një rast korrupsioni, për të cilën ai mund të përfundonte në pranga.

Prokuroria e Përgjithshme, e drejtuar në atë kohë nga Theodhori Sollaku, duket se kishte siguruar të dhëna të plota për përfshirjen e Gramshit në korrupsion dhe, me shumë mundësi, do të urdhëronte arrestimin e tij.

Pikërisht, në këtë moment gjyqtari vendos të largohet nga Shqipëria, duke dhënë edhe dorëheqjen. Këto informacione qarkullonin prej kohësh në radhët e kolegut të tij, pavarësisht se ndaj Kastriot Gramshit nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare.

Rreth 11 vjet pas dorëheqjes, Kastriot Gramshi rikthehet në Shqipëri. Në vitin 2014 ai arrin të marrë pëlqimin e presidentit Bujar Nishani, i cili dekretoi rikthimin e tij në detyrën e gjyqtarit. Kësaj radhe, Gramshi emërohet në gjykatën e Tiranës.

Ai arriti të zgjidhej edhe kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve. Në vitin 2018, emri i Kastriot Gramshit u rikthye sërish në procedurat verifikuese të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në një njoftim zyrtar të KLD-së, në janar 2018, thuhet se “po verifikohet veprimtaria e gjyqtarit Kastriot Gramshi në vendimin për lejimin e ekstradimit të Nazer Seitit”. KLD dyshonte se Gramshi, me veprimet e tij, kishte cënuar rëndë figurën e gjyqtarit.

Kastriot Gramshi ishte gjyqtari që lejoi ekstradimin drejt Italisë të “financierit” të Habilajve, Nezar Seiti. Ky person konsiderohej si krahu i djathtë i kushërinjve trafikantë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Nezar Seiti ishte arrestuar për llogari të autoriteteve shqiptarë, ndërkohë që kërkohej edhe nga Italia. Në momentin që Seiti, me shumë mundësi, do të shndërrohej në bashkëpunëtor të drejtësisë shqiptare, një vendim i gjyqtari Kastriot Gramshi e largoi atë drejt Italisë.

Procedurat e inspektimit të nisura nga KLD, në fillim të vitit 2018, i kaluan më pas institucionit të ri, Këshillit të Lartë Gjyqësor. Nuk ka ende asnjë komunikim zyrtar mbi faktin nëse ka përfunduar procesi i inspektimit dhe rezultatet e tij.

Me një histori “korrupsioni” të vjetër mbi kurriz dhe me një inspektim të nisur në 2018 për “shkelje të rënda”, karriera e Kastriot Gramshit duket se është e paracaktuar në procesin e Vetingut.

Por, mesa duket, i bindur se “çelësi” që mban hapur portat e karrierës së tij qëndron në duart e “Rilindjes” së Edi Ramës dhe Fredi Alizotit, ai vendosi t’i shërbejë përulësisht këtyre të fundit.

Me një dosje penale, të dorëzuar nga Prokuroria e Tiranës pa asnjë provë, gjyqtari Kastriot Gramshi vendosi që të kalojë për gjykim, nën akuzën absurde të “kallëzimit të rremë”; Ervin Salianjin, deputet i sapodorëhequr i Partisë Demokratike dhe gazetarin Jetmir Olldashi, i cili intervistoi shtetasin Albert Veliu (Babale), personi që kishte dijeni të plotë për aktivitetin kriminal të Agron (Geron) Xhafaj, në fushën e trafikut të narkotikëve.

Boldnews.al

rama alizoti

nushi alizoti

alizoti VoA1539172411

Artikulli paraprakKurbini vërshon drejt Tiranës në protestën madhështore
Artikulli tjetërMidis Atlantikut dhe Rusisë nuk ka më hapësirë për diplomacinë