Mendohu, Qeveri!

Mariela STEFANLLARI

Nëse populli yt ka nivel më të ulët kulturor, ndoshta vetiu do të thotë se edhe rënia e nivelit tënd ka shkuar paralel. Në këtë moment shfaqet ndrojtja, që përcakton veprimet dhe reagimet e tua. Por a ekziston ndrojtja tek ti? Këtu do të donim të të kujtonim tre nivelet e jetës shoqërore që nga Antikiteti: virtyti, arroganca dhe nemesi (ndëshkimi nga e drejta hyjnore). Mes këtyre lëviz përulësia, ajo që kontrollon ndërgjegjen dhe ruan rregullat morale dhe përgjithësisht vetëkontrollin e shtetasit, e atij shtetasi, që bashkëjeton me virtytin. Por, ja që shtetasi, individi i dorës së dytë, kryesisht kur është në pushtet, humbet masën dhe kalon në arrogancë, ndaj duhet të ekzistojë ndëshkimi i paanshëm, nemesi.
Qeveri, funksionon ligjërisht apo paligjshmërisht? A ekziston mazhorancë e vërtetë? Të të pyesim pak më thjesht qeveri: Ke turp apo jo? Nëse mes sistemesh dinake elektorale dhe referimesh hipokrite, vallaha koalicionare, vazhdon dhe funksionon si përfaqësim dhe administrim i neveritshëm politik, teksa përcakton paligjshmërisht që të qeverisë pakica e shoqërisë, atëherë do të duhet të kesh turp! Kemi kohë që dëgjojmë politikanët e tu injorantë, pjesë fondamentale e ngrehinës tënde qeveri, që mes gjepurash, mashtrimesh dhe idiotësish tregojnë fytyrën reale të sistemit politik. Politikanë kartona, politikanë numra, përballë miliona shtetasve, tërësisht të papërfaqësuar. A je ti një qeveri që na imponohesh atëherë? Lejoi shtetasit të votojnë të lirë, për të të parë peshën.
Përfundimisht, a ekziston shteti i barazisë dhe së drejtës?
***
Mendohu, Qeveri!
Nëse ushtron presion me shtetin e barazisë, ke shkelur vetiu vetë barazinë. Sa dhe a ekziston vlera e barazisë? A ka çdo shtetas të drejtën e fjalës? A mund të shprehë çdokush mendimin e tij? Dhe nëse mundet a dëgjohet? Themi dhe shkruajmë kaq shumë, por a merremi parasysh? Qeveri, sa herë të jemi drejtuar ty, në çfarëdolloj rasti, kemi hasur padrejtësinë e instaluar prej teje, kundrejt shtetasve. Ne shtetasit e panjohur, të padukshëm, mohove të na japësh të drejtë dhe të drejtën. Qoftë edhe vetëm të drejtën e fjalës së vërtetë. Ç’është kjo gjuhë e drunjtë, shpesh ironike dhe mospërfillëse, kryesisht e pavërtetë dhe jashtë realiteti? Përse të gjitha shpjegimet që u bën ligjeve vijnë në mbështetje të vetë qeverisë dhe kurrë pro shtetasve? A nuk është qeveria për shtetasit e saj? Mos na ke vallë tërësisht të papërfillshëm?
Përfundimisht, a ekziston barazia?
***
Mendohu, Qeveri!
Pyet veten, sa herë ke rrëshqitur? Të gjithë e dimë se statusi dhe gjendja natyrale dhe sociale e njeriut është liria. Kështu u krijua, kështu lindi dhe kështu duhet të jetojë njeriu, si i lirë pra. Por, nga ana tjetër nuk ekziston asnjë pushtet natyral mbi njerëzit, veçanërisht në rrethana sociale ku “liria politike” është e drejtë e patjetërsueshme dhe e pamarrshme. Por si mund të marrë frymë, trajtë dhe formë kjo liri, kur koha u jepet e pafund ca pseudoqeveritarëve, që me delire paqartësisht sofiste, me retorika të turbullta dhe gjeneralogji, mbytën popullin dhe të drejtën e shtetasve për t’u shprehur, për të folur? Sa kohë i jepet popullit për të folur kur qeveria ndan tapi, le të themi? Sa kohë për t’i dëgjuar u ka dhënë qeveria shtetasve skeptikë, një individi të iluminuar apo një ati shpirtëror/kleriku? Apo mos konsiderohet liri, fakti që ne flasim zyrave dhe kafeneve për qeverinë, japim dhe marrim mendime dhe kjo sërish ndihmon qeverinë, sepse atje “shfryjmë”, “shkarkojmë” mllefin e grumbulluar dhe nuk e shfrehim atë në forma kolektive, që të çojnë në forma përmbysëse dhe revolucione. Mund të ketë liri në një shtet jo të lirë dhe ku barazia mungon? Dhe nëse është shkelur shteti i barazisë dhe barazia e lirisë mund të bëhet me fjalë për demokraci? Sa herë qeveri ke shkelur premtimet dhe kontratat me popullin? Sa herë e ke keqpërdorur pushtetin, vlerat dhe idealet e shtetasve, shoqërisë? Dhe kur populli reagon mes formash ligjore, ti si reagon? Pse vë përballë një pjesë nga populli, kundrejt atyre që reagojnë, pse mbjell përçarje që ka pasoja për të ardhmen, duke përdorur shtetasit që “ke në dorë”? Taktika jote e përditshme qeveri, është përçarja mes shtetasve. A nuk ka të drejtë absolute populli të protestojë, përderisa ti qeveri, theve kontratën me popullin dhe premtimet e tua?
Përfundimisht, a ekziston demokracia?
***
Mendohu, Qeveri!
Tek kjo pikë nuk do të kesh kundërshti. Me faktin pra, se me qeverisje të këqija, liria është e munguar, demokracia e nëpërkëmbur dhe barazia inekzistente, me gjithçka tjetër pason. Qeverisje që mbajnë të varfrin në mizerje dhe e bëjnë edhe më të varfër. Mbajnë pasuritë për grabitësit e tyre dhe i bëjnë ata edhe më të pasur. Hapin më shumë gërshërën e padrejtësive sociale, duke shkelur karakteristikat elementare të shtetit, që pasuritë pra të ndahen tek shtetasit në varësi të kontributeve dhe aftësive të tyre. Qeveri, domethënë kur disa kanë uri, etje dhe ftohtë brenda vendit tënd, atëherë ç’do të thotë kjo për ty? Kur gjithçka fillon me padrejtësi dhe padrejtësia shkakton reagime zinxhir padrejtësie, që zmadhohen dhe mbizotërojnë gjithkund, atëherë populli duhet të bëjë diçka. E mbi të gjitha, nuk duhet t’i gjunjëzohet tiranisë së padrejtësisë. Ligje që nuk i vijnë në shërbim popullit, shtetasve, janë ligje të padrejta dhe si të tillë duhen luftuar. Përgjigjju pyetjeve: Ekziston distancë e madhe mes të pasurve dhe të varfërve në vendin ku ti qeveris? A ka shtetas që kanë uri, etje dhe ftohtë? A kanë ata mundësi të barabarta?
Përfundimisht, a ekziston barazia ligjore?
***
Mendohu, Qeveri!
Edhe nëse ke të drejtë, nuk do të duhej të gjunjëzoheshe përpara shtetasve, përderisa nuk je në gjendje t’i bindësh? Çfarë bën ti në këtë rast? Ata, të cilët do të duhet t’i mbrosh dhe t’u shërbesh, i injoron dhe i denigron. Ke për detyrë t’i mbrosh dhe jo t’i godasësh! Sepse kjo fuqi e jotja është e paligjshme. Ti bën ligje për vete, gjithçka për ty dhe në interesin tënd. Egocentrike apo jo? E ku ndryshon kjo qeverisje nga ajo e diktatit dhe e mekanizmave oligarkë? Për dukje, në fakt, i përdor të gjitha retorikat për t’u shfaqur qeveri e së drejtës. Por a e pyete ndonjëherë veten, nëse populli e beson këtë? Ndoshta megjithëse vjedh dhe mashtron, akoma beson se je një qeveri demokratike. Ia arrin sigurisht të bindësh vetëm veten se je qeveri e shumicës, ose përpiqesh të bësh sikur, teksa ti njeh të vërtetën më mirë se kushdo, sepse ti ke librin e llogarive, ti shkruash dhe ti fshish në atë libër. Të mos e dish apo të hiqesh sikur nuk e di, cila është më e keqe? Le t’ua lëmë shtetasve të gjykojnë dhe vendosin për këtë. Gjithsesi, qeveri, të gjitha janë të padrejta, kripto të dyshimta, të paligjshme dhe pa dallim janë antihumane. Po të bëj sërish një pyetje fundore:
Përfundimisht, a ekziston liria?
***
Mendohu, Qeveri!
U përmbush koha dhe ke marrë tashmë fizionominë, fytyrën tënde reale. Hidhe tutje veten dhe do të shohësh se gjithçka do të ishte më mirë dhe më funksionale nëse qeverisja jote do të bazohej tek e drejta, barazia, liria dhe demokracia funksionale. Vetëm kështu do të gëzoje respektin e popullit që do të qëndronte më afër dhe përreth teje. Por ti je një qeveri e dalë boje dhe kjo ndodh mes dy formash apo praktikash qeverisëse: 1. Shpërdorimit të pushtetit; 2. Shtetit të shpërbërë në funksione. Ti je qeveri dhe jo vendimmarrës mbi sovranin, sillu pra si qeveri! Fuqizo shtetasit e tu!
Përfundimisht, a ekziston qeveri demokratike?
***
Mendohu, Qeveri!
Të nevojitet përulësi dhe dinjitet, në vend të ndjesisë së fajit dhe detyrimit. Gjithçka e nevojshme, por dy të parat janë prioritare. Këto duhet të jenë virtytet e tua që prodhojnë dhe kultivojnë “politikë të civilizuar”, në kundërshti me kulturën politike të paligjshmërive dhe të ligjeve të pamoralshme. Respekti, virtyti, vlerat nuk ekzistojnë. Të drejtën e fajit nuk e njeh, ndjenjat e fajit i ke të vdekura, detyrimet janë term i panjohur, për shkeljet e ligjit je indiferente. Qeveri, ligjet humane ekzistojnë, por ato ti i vë në praktikë vetëm kur të intereson, për momente të veçanta, për individë të veçantë, me pikësynime të qëllimshme. Çmimi? Këtë e njeh shumë mirë ti, deri në vlera shterruese.
Përfundimisht, a ekziston përulësia, dinjiteti dhe virtyti?
***
Mendou, Qeveri!
Zgjidh dhe preke! Mendo që “shteti” është një anije në det. Le të supozojmë se nuk ka kapedan, timonier. Totali i atyre që gjenden në anije, do të përzgjedhin më të mirin mes të shkëlqyerve. Deri atëherë hesht! Deri në atë moment populli ka të drejtë të revoltohet, të ngrihet, të bëjë edhe gabime dhe të kërkojë të drejtën e tij me çdo mënyrë. Dhe teksa nuk e ke moralin, thjesht mos bëj zhurmë! Hesht dhe vështro të tatëpjetën e shtetit për të cilin nuk u kujdese! Ti, qeveri, që të duket sikur nga qiejt ke marrë hrizmën, por që i di të gjitha shumë mirë sesi kanë ndodhur, merr përsipër edhe përgjegjësinë e shkatërrimit. E injorove dhe nuk e more në konsideratë popullin, ndaj mos u përpiq tani ta bësh “bashkëfajtor” me ty. Nëse mund të parashikosh nivelin e katastrofës, atëherë bëje popullin “bashkëfunksionues” me ty, ashtu siç duhet dhe ashtu siç i detyrohesh, ndoshta vetëm kështu do të mund të shpëtosh. Lejo dhe jep hapësirë për njerëzit e vlerave, në të gjitha nivelet e jetës socialpolitike të shtetit! Lëri njerëzit e vlerave të marrin qeverinë dhe administratën në dorë! I kupton dot ti të gjitha këto? Kur do të veprosh një herë në interes të shtetasve dhe jo vetëm në interesin tënd dhe të shërbëtorëve të tu?
Përfundimisht, a je ti një qeveri e ligjshme?
***
Mendohu, Qeveri!
Prej teje kam frikë qeveri, sepse prej teje më përplasi jeta të këqija të mëdha. Aristoteli na kujton: “Njerëz të ndryshëm ndjekin suksesin me mënyra të ndryshme dhe mjete të ndryshme dhe kështu ndërtojnë për veten e tyre forma të reja jetese dhe lloje qeverisjeje”. E pra, të pavlerët, të padenjët, padenjësisht, do të qeverisin në interes të tyre. Të denjët, denjësisht, do të qeverisin në interes të të gjithëve. Kë, prej të dyjave, zgjedh qeveri? Si na qeverise deri më sot?
Përfundimisht, a kemi një qeveri, si një “grup shokësh” që ngacmojnë popullin?
***
Mendohu, Qeveri!
Kohët moderne kanë dy forma qeverisjeje, janë “dhuna” dhe “dinakëria”, njëra formë, të cilën ti normalisht nuk duhet ta zgjidhje, si dhe “drejtësia” dhe “mençuria”, që populli dëshiron të zgjedhësh. Kujto Sokratin: “Qytetet nuk qeverisen drejt me ligjet, por me sjelljen e moralshme të qytetarëve”. Kujto gjithashtu se: pushtet pa urrejtje, mund të ekzistojë vetëm atëherë kur populli është pjesë reale dhe funksionale e qeverisjes. Ti e ke për detyrë të mbështesësh shtetasit e denjë dhe të vlefshëm!
Fjalët që thanë të mençurit, nëse i ndryshuan dhe i tjetërsuan njerëz të pamend, nëse politikanë të kapën pas gryke që të të tjetërsojnë edhe ty, nëse të ndanë nga populli, nëse ti nuk mbajte virtytin në shpirt dhe nëse nuk mbështete dhe mbrojte virtyrin, të drejtën, popullin dhe lirinë, atëherë ki frikë qeveri, sepse shtetasit, populli do të jenë përballë teje.
Në fund, qeveri, po flasim sërish me fjalët e të mençurve. “Është e panatyrshme për një mazhorancë të qeverisë, sepse një mazhorancë rrallë herë mund të jetë e organizuar dhe e bashkuar për veprim kolegjial, kurse një minorancë është në gjendje” (J.J. Rousseau).
Përfundimisht, ka popull, ndaj vepro qeveri dhe largohu! Shtetasit duhet të vendosin!

Artikulli paraprakVota, demokracia dhe vettingu si kauzë
Artikulli tjetërLila: Në Shqipëri pas disa vitesh, vetëm te Tirana