Vota, demokracia dhe vettingu si kauzë

Arben GABRAJ

Sa herë vjen prilli më vjen ndërmend një refren ose një vjershë me autor popullin siç na mësonin dikur në diktaturë:
“Doli marsi hyri prilli shkeli Shqipërinë fashizmi”.
E këtë radhë për çudi nuk u kujtua askush. Nuk e kujtuan as organizatat e veteranëve, as grupet majtiste, as PKSh, biles as shoqëria civiliste. Ka nja dy vjet që dëgjohet vetëm një fjalë dhe një refren “vetting”. E dëgjojmë çdo ditë me dhjetëra herë nga pushtetarë dhe ambasadorë. Më shumë se kushdo anatemohet kjo fjalë nga Ed Kryeministri. E thotë në mëngjes, drekë dhe darkë me dhjetëra herë dhe pastaj e ripërsëritin të gjithë karvani i tij. Ed Rama thotë se Partia Demokratike ka frikë nga vettingu. Eshtë futur në çadër se ka frikë nga vettingu. Se drejtësia e korruptuar ka frikë nga vettingu, se populli opozitar ka frikë nga vettingu. Edhe unë “po filloj të kem frikë” nga vettingu, edhe punëtorët e gjelbërimit kanë frikë nga vettingu. Po më kujtohen kohë të vjetra. Dikur në kohët e mosuktheftit ky “vettingu” me siguri do ishte “grup armiqësor”, do ishte “armiku kllasës”, do të pushkatohej, do të përfundonte në Spaç, do internohej… Thashë të thellohem pak se mos gaboj. Rrëmova nëpër raftet e librave. Një libër i vjetër ngjyrë kafe të errët, kapakët të mbuluar me pluhur po russki po russki (fjalor rusisht-rusisht). E krreva nga fillimi në fund po “vettingun” s’e gjeta. Spo më kujtohej gjë as nga çka na mësonin dikur mësimet e marksizëm-leninizmit, as veprat e diktatorit, biles as tek “Anti Dyring”. Po kthej kryet këndej nga Perëndimi meqenëse andej nga Uralet dhe Stepat nuk gjeta zgjidhje. Thash të përdor metoda pak më moderne e po futem në Google. Eureka gati sa nuk thirra. “Vetting” shqipërohej “verifikim” ose mund të themi edhe “vlerësim”. Pra, “vettingu” na qenka verifikim. Po çfarë do verifikohet? Si një njohës modest i jurisprudencës dhe në mos u gabofsha, në ndryshimet kushtetuese të korrikut të vitit të kaluar për Reformën në Drejtësi (dhe në ligjin për vettingun) u shkrua e zeza mbi të bardhë se vettingu do vettingonte (verifikonte ose vlerësonte) punën e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve për tre vitet e fundit që nga momenti kur vihet në zbatim reforma. Pra vettingu qenka verfikimi i punës së nja 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për tri vitet e fundit të punës së tyre. Kush nuk e kalon vettingun kuptohet del nga radhët e sistemit të drejtësisë. Hiqen nja tetëdhjetë a njëqind e tetëdhjetë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar dhe zëvendësohen me të rinj magjistratë të “ndershëm”. Thotë populli hiqen do të Lenës e vihen të Prenës. Nuk dua të flas për sistemin e drejtësisë se flasin të gjithë. Sa i korruptuar është se dihet.
Thonë se dikur Hitleri për të gjitha të këqijat që i ndodhnin Gjermanisë e kishte gjetur justifikimin. “Fajin e kishin hebrejtë”. Për njëzet e pesë vjet e majta shqiptare kishte vetëm një kauzë, për gjithçka fajin e kishte Sali Berisha dhe Partia Demokratike.
Sot e nja dy vjet, Rama vettingun e ka bërë atë që në politikë quhet kauzë. Në Jurisprudencë quhet “Kasus”. Dhe ne populli e quajmë çështje, çështje dite.
Rama e ka gjetur armikun e brendshëm, pra fajtorin dhe shpëtimi është “vettingu”. Pa vetting ska integrim, ska hapje negocatash me Bashkimin Evropian. Siç u shpreh Rama vet “pa vettingun po na largojnë përsëgjalli nga Bashkimi Europian”. Tani që Rilindja u varros dhe nuk po e përmendin edhe vet rilindasit kanë hedhur si kartë vettingun. Fjala vetting shqiptohet qindra herë në ditë. Gazetat, televizionet dhe politikanë të majtë gdhihen dhe bien të flenë me fjalën vetting. U harruan premtimet e Rilindjes për treqind mijë vende pune, për shëndetësi falas, legalizime falas, ulje të çmimit të energjisë, ulje dhe çmimit të ujit etj., (etj). Programin mashtrues elektoral që solli në pushtet Rama e ka zëvendësuar me vettingun. Që tashmë e ka fabrikuar si kauzë dhe fatkeqësisht në një pjesë e opinionit sidomos me orientim majtas edhe mund të jetë i besueshëm. Kjo e ka një shpjegim shumë të thjeshtë. Për të mbuluar dështimet e qeverisë së tij, për mos mbajtjen e as një premtimi elektoral, për kanabizimin e Shqipërisë, për të mbuluar krimin e ardhshëm elektoral, blerjen e votës, ka fabrikuar kauzën e vettingut.
Eshtë vite drite larg kauzave të opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për dekriminalizimin, për ç’kanabizimin e Shqipërisë. Po ndalem tek kjo e fundit se personalisht besoj se rrjedhin edhe dy të parat. Paratë e shitjes së kanabisit emërojnë deputetë kriminelë në Kuvend, emërojnë dhe zgjedhin në pushtetin lokal, në adminstratë shtetërore dhe në polici. Me paratë e kanabisit blihen votat. E parë dhe faktuar të paktën në tre palë zgjedhje. Me paratë e kanabisit dhe korrupsionit të tenderave dhe koncesioneve do të blihen zgjedhjet e ardhshme që do çojnë në asimilimin e opozitës dhe reduktimin e saj në një numër të papërfillshëm thjesht sa për fasadë. Me paratë e kanabisit siç thotë lideri Basha mbushet zhag’ja e niset për lobim. Prandaj, kauza e vettingut duhet çjerrë, krrerë, demaskuar, duhet zhvlerësuar, sepse vetëm kështu dalin çullak dështimet e qeverisë së rilindjes, kanabizimi, kriminalizimi i shtetit dhe pushtetit, koncesionizimi i vendit (partneriteti publik privat) si dhe më e rëndësishmja bjerja dhe vjedhja e zgjedhjeve. Edhe na ndaftë vettingu për së gjalli me Europën siç thotë vet Rama s’është ndonjë gjë e madhe se para do kohësh na ndau edhe Qarku i Fierit. Për pak kohë më shumë do të jetë edhe për ne më mirë të shkojmë me dinjitet në Europë. Të ngresh një kauzë të tillë si vettingu është sa qesharake aq edhe cinike që një mendje e shëndoshë nuk e bën. Por ky është realiteti ynë. Fali Zot se nuk e dinë se ç’thonë dhe nuk e dine seç bëjnë. Partia Demokratike bashkë me ne duhet ta zhvlerësojë si kauzë, sepse Rama dhe Rilindja dalin cullak, s’kanë më alibi për dështimet dhe udhëkryqin ku e kanë çuar Shqipërinë.

Artikulli paraprakLotaria Amerikane, ja si të kontrolloni që jeni apo jo fitues
Artikulli tjetërMendohu, Qeveri!