Mediu: Heqja e vizave, përgjegjësi direkte e Ramës

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka bërë komentin e tij në lidhje me lajmin se Holanda kërkon të rikthejë vizat me Shqipërinë. Sipas Mediut, “kërkesa e Holandës për vendosjen e vizave është një ngjarje shumë e rëndë. Ajo ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë Edi Ramën, qeverinë dhe koalicionin e tij. Shqipëria jo vetëm nuk ka hedhur asnjë hap drejt anëtarësimit në BE, por dhe ato që u arritën me mund e sakrifica po kthehen mbrapsht. Nën këtë qeveri, Shqipëria njihet vetëm për korrupsion, drogë dhe krim, gjë e cila ndëshkon pa të drejtë miliona shqiptarë të ndershëm që kanë një jetë që punojnë në emigracion. Cënon nëna e baballarë, gjyshër dhe gjyshe që duan të jenë pranë fëmijëve të tyre, nipave dhe mbesave, në të mirë dhe të keqe. Me mund dhe punë ne bëmë realitet bashkimin e familjeve shqiptare dhe sot kjo vihet në pikëpyetje. Nëse kjo ndodh shkatërron ëndrrën e mijëra të rinjve që duan të arsimohen dhe edukohen në shkollat europiane për t’u bërë të denjë për familjet e tyre dhe Shqipërinë. Rivendosja e vizave apo kushtëzimi i udhëtimit të shqiptarëve do të krijonte një problem të madh për biznesin dhe ekonominë shqiptare. Qeveria s’mund të heshte, ajo është përgjegjëse për azilin, krimin, trafiqet këto ngjarje s’mund të kalohen si ngjarje spontane. Opozita duhet të angazhohet seriozisht me këtë problem dhe së bashku me qytetarët të detyrojë qeverinë të flasë dhe veprojë”. Edhe deputeti i PD-së, Agron Shehaj, ka reaguar për çështjen e kthimit të vizave me vendet e BE-së. Shehaj i bashkohet emrave të tjerë të opozitës që kanë komentuar kërkesën e fundit të autoriteteve holandeze për rikthimin e vizave për shqiptarët që duan të futen në vendet e BE-së. Sipas Shehajt: “Europa po na izolon. Nuk bëhet fjalë vetëm për kthimin e vizave, por për përjashtimin e një kombi për faj të drogës, krimit dhe mjerimit. Shpresojmë mos të ndodhë!!”.

Artikulli paraprakPD, thirrje deputetit Rakipi të heqë dorë nga mandati
Artikulli tjetërPaaftësia e Ramës po ngre murin e vizave në Shqipëri