PD, thirrje deputetit Rakipi të heqë dorë nga mandati

Një javë pas ngjarjes së rëndë kur deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, aksidentoi me vdekje një shtetas, ka reaguar përsëri PD, me një deklaratë të saj, duke nënvizuar faktin se edhe pas një jave nuk ka asnjë zhvillim, “dhe deputeti Rakipi po shijon favoret dhe paprekshmërinë që ia jep lidhja me Edi Ramën”. “U bë një javë që deputeti mik i Edi Ramës, Aqif Rakipi, ka ikur nga vendi i ngjarjes ku aksidentoi për vdekje qytetarin Seit Sorra, dhe asnjë masë nuk është marrë ndaj tij. Sipas nenit 273 të Kodit Penal, Aqif Rakipi ka kryer vepër penale me largimin nga vendi i ngjarjes, që dënohet deri në 1 vit burg. Mirëpo Prokuroria ende nuk ka hedhur asnjë hap drejt kësaj çështjeje, dhe deputeti Rakipi po shijon favoret dhe paprekshmerinë që ia jep lidhja me Edi Ramën. Partia Demokratike i bën thirrje deputetit të heqë dorë nga mandati dhe të shkojë para drejtësisë si qytetar i thjeshtë e të mbajë përgjegjësi para ligjit. Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të tërheqë mbrojtjen speciale që i jep mikut të tij, e të lejojë hetim të plotë e të pandikuar të ngjarjes. Këto janë rastet kur shihet nëse drejtësia funksionon për të gjithë njësoj, apo për miqtë e kryeministrit ka favorizime dhe paprekshmëri”, thuhet në deklaratën e PD.

Artikulli paraprak75 milionë euro taksa mbi pagën vetëm në 6 muaj
Artikulli tjetërMediu: Heqja e vizave, përgjegjësi direkte e Ramës