Paaftësia e Ramës po ngre murin e vizave në Shqipëri

Lajmi për rikthimin e vizave në Shqipëri ka nxitur një lumë reagimesh, të cilat bëjnë përgjegjës kryeministrin Rama për bllokimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Shkatërrimi i standardeve të arritura dhe kushteve të plotësuara shtatë vite më parë për të përfituar lëvizjen e lirë dhe paaftësia për të zhbërë këto standarde kanë bërë që sot shqiptarët të rrezikojnë seriozisht një nga arritjet më të mëdha të lirisë së tyre. Ish-kryeministri Berisha në një reagim të tij deklaron se përgjegjësi kryesor për këtë situatë është Rama dhe keqqeverisja e tij. “Kthimi i vizave, dëshmi e degradimit të të gjitha standardeve të Shqipërisë nga Noriega! Të dashur miq, mediat njoftojnë se një vend i BE, Holanda, agjensitë e saj ligjzbatuese kërkojnë kthimin e vizave për shqiptarët, pra anulimin e arritjes më të madhe të lirive të tyre. Dua të shtoj këtu se Holanda ka qenë ndër vendet më të para që mbështeti heqjen e vizave për ne. Kjo kërkesë nuk vjen e papritur, por e paralajmëruar disa herë, pasi Shqipëria e Norieges ka shkatërruar çdo standard të arritur nga vendi 7 vite më parë, për të cilat u hoqën vizat. Kështu, ndër të tjera nga vetëm 430 shqiptarë që kërkuan azil politik në Gjermani në vitet 2011-2012 të marra së bashku, kjo shifër u rrit në mbi 80 mijë vetë në vitet 2015-2016. Kurse në mbarë BE kjo shifër arrin në mbi 100 mijë azilkërkues. Shqiptarët në kërkesat për azil politik herë-herë dolën të parët duke lënë mbrapa edhe sirianët. Dy muaj më parë u thirr në Paris ministri i Jashtëm Bushati, por jo nga ministri i Jashtëm, por nga ministri i Brendshëm. Mediat gjerësisht thanë se kjo thirrje ishte një ultimatum për vizat dhe se policë francezë u vendosën në pikat kufitare të vendit për të kontrolluar fluksin e njerëzve që largohen nga Shqipëria. Kështu që mund të thuhet me siguri se Edvin Kristaq Rama iu dha shqiptarëve drogën dhe po iu kthen vizat duke ndëshkuar kështu miliona shqiptarë!” thuhet në reagimin e ish-kryeministrit Berisha.

Reagimi i deputetes Tabaku

Pas vendimit të Holandës për të kthyer vizat për shqiptarët, ka reaguar edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Përmes një statusi në Facebook, Tabaku ka theksuar se kjo është këmbanë alarmi për vendin tonë. Sipas saj, fajtori i vetëm për rikthimin e vizave për shqiptarët është vetëm Edi Rama. “Ka disa procese që kisha besuar ishin të pakthyeshëm, liberalizimi i vizave, procesi i integrimit dhe NATO. Të tre këto arritje janë të para vitit 2013 e që në fakt kanë bërë krenar çdo shqiptar e jo vetëm ata që kanë punuar e kontribuar për këtë proces. Por siç duket nuk qenka rasti. Sot, shtatë vjet pas liberalizimit të vizave dhe katër vjet pas ardhjes në pushtet, qeveria Rama jo vetëm nuk ka siguruar çeljen e negociatave, por edhe po na sjell si peshqesh kthimin e vizave. Lajmi se Prokuroria dhe Policia holandeze kanë dërguar një memo për të kërkuar kthimin e vizave për Shqipërinë është një kambanë alarmi. Në memo lexohet se, policia lajmëron se trafiku i drogës është një faktor kyç që mund të na kthejë vizat, shqiptarët që prej ditës që kanë marrë bekimin e qeverisë për të mbjellë drogë janë shndërruar në barrë për qeveritë e BE-së. Jo vetëm sepse shqiptarët e ndershëm po duan të largohen nga një vend që qeveriset nga një qeveri pa vizion dhe që i takson dhe bukën e gojës, duke rritur numrin e emigrantëve që kërkojnë azil në BE, që vetëm vitin e fundit janë 35 000 mijë shqiptarë. Por edhe si pasojë e rritjes së trafikimit të drogës dhe kthimit të Shqipërisë në një vend burimi dhe eksportimi të saj. Armiqtë e Shqipërisë në Europë duket se janë po ato të katër viteve më parë, ata që penguan integrimin, megjithëse sot përpiqen të ndryshojnë ligjërimin, duke u hequr si pro europianë”, thuhet në reagimin e deputetes Tabaku.

Artikulli paraprakMediu: Heqja e vizave, përgjegjësi direkte e Ramës
Artikulli tjetërPërse BE po krijon një mini-Jugosllavi në Ballkan?