Pa votimin elektronik, zgjedhjet të papranueshme

Nga Kastriot Islami

Nga të gjithë raportet kombëtare dhe ndërkombëtare, duke filluar me zgjedhjet e 2013 dhe vijuar me zgjedhjet e pjesshme në Korçë, zgjedhjet vendore të vitit 2015, në zgjedhjet në Dibër dhe Kolonjë, pra në të gjithë zgjedhjet kur Rama ka qenë në pushtet janë evidentuar problemet e mëposhtme: i) Blerja e votës me paratë e korrupsionit, krimit, kanabisit të ofruara nga politikanë të korruptuar, biznesmenë me pasuri të dyshimtë të vendosur në marrëdhënie klienteliste me Ramën, manjatë të biznes-medias, individë me rekorde kriminale, rrjeti policor i kultivimit të kanabisit; ii) Kërcënimi i votuesve nga individët me rekorde të tmerrshme kriminale dhe bandat lokale të drejtuara prej tyre e të mbrojtura nga rrjeti policor; iii) Përdorimi i favoreve administrative të tilla si ofertë vende pune të përkohshme dhe dhënie e pamerituar e asistencës sociale në shkëmbim të votës; iv) Votimet e shumëfishta e familjare; v) Intimidimi i komisionerëve dhe deri në disa raste blerja e tyre; vi) Zhvatja e votave të partive të vogla gjatë numërimit; vii) Përdorimi i ID të falsifikuara duke votuar në emër të të vdekurve apo emigrantëve; viii) Financimi i fshehtë i fushatës në shuma marramendëse nga paratë e korrupsionit, krimit apo kanabisit; ix) Vendosja e medias nën kontroll pothuajse të plotë… e tjerë, e tjerë. Dukuria e re e testuar në zgjedhjet e pjesshme në Dibër; dhe manipulimi më i rrezikshëm është përdorimi i “kultivimit masiv të kanabisit” në drejtimin e rrjetit të policisë të drejtuar nga Sajmir Tahiri dhe të ideuara e monitoruar nga Edi Rama, në funksion të manipulimit në përmasa të mëdha të zgjedhjeve i) me joshje të votuesve ose ii) me kërcënimin e tyre, madje duke tentuar të arrihet një fitore nga Rilindja në përmasa deri 71 mandate duke eliminuar edhe LSI.

Paketa e propozuar nga opozita për zgjedhje të lira e të ndershme

Për shkak të evidentimit të të gjithë këtyre problemeve në të gjithë zgjedhjet kur Rama ka qenë kryeministër dhe të arrogancës së tij për të shpërfillur çdo kërkesë të opozitës, situata politike duket shumë e tensionuar, besimi politik është në nivelin më të ulët krahasuar me shumë vite më parë dhe qytetarët shprehen të pashpresë për zgjedhje të lira e të ndershme, madje duke gjetur zgjidhjen në shumë raste te emigrimi që ka arritur shifra historike. Në këto kushte opozita fillimisht bëri me dije një strategji të plotë të reformës zgjedhore për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, por pas pengesave dhe zvarritjeve prej mëse 15 muajsh të Ramës, opozita ka propozuar një paketë minimale ndryshimesh në Kodin Zgjedhor për të mundësuar ngritjen e besimit politik në një nivel të pranueshëm dhe përcjellë mesazhe qytetarëve të pashpresë se zgjedhjet mund të jenë të lira e të ndershme. Kjo paketë mund të miratohet dhe zbatohet vetëm nëse mazhoranca ka vullnet politik dhe nëse ky vullnet do të ekzistonte do të kishte një shans që zgjedhjet të ishin minimalisht të pranueshme nga të gjithë aktorët. Në krye të kësaj pakete minimale është identifikimi biometrik/votimi e numërimi elektronik që zgjidh një seri problemesh, por mbi të gjitha do të ishte elementi bazë për të ndërtuar/ngritur besimin politik për zgjedhje të lira e të ndershme… Nëse kjo paketë nuk miratohet, gjasat më të mëdha janë që procesi dhe rezultati zgjedhor, pra Parlamenti të konsiderohen ilegjitimë nga qytetarët dhe aktorët politikë opozitarë. Dihet se çfarë do të ndodhte në këtë rast…

Standardi i zgjedhjeve më i rëndësishëm se data e zgjedhjeve

Zgjedhjet janë përcaktuar nga Presidenti për t’u zhvilluar më 18 qershor 2017; në këtë kuptim formal koha është një parametër i rëndësishëm dhe në një vështrim formal e panegociueshme… Por këtë radhë, për shumë arsye, gjykoj se këtë radhë cilësia e zgjedhjeve që lidhet me ndërtimin e besimit të qytetarët dhe te aktorët opozitarë, që do të përcaktohej ndër të tjera nga konsensusi mazhorancë-opozitë (siç ka ndodhur gjithnjë para të gjithë zgjedhjeve rezultati i të cilave është minimalisht pranuar nga aktorët kryesorë politikë (2005, 2013…) për të miratuar së bashku paketën minimale të ndryshimeve është shumë më i rëndësishëm se “koha apo afati i përcaktuar i zgjedhjeve”; pra koha do të ishte një element që do të vendosej pas standardit apo cilësisë së zgjedhjeve, pra në plan të dytë… Kjo nuk do të thotë aspak që opozita kërkon domosdoshmërisht shtyrje të zgjedhjeve sepse ajo beson se brenda 90-100 ditëve mund të miratohet e gjithë paketa dhe madje të implementohet edhe elementi më i diskutueshëm, pra një sistem elektronik i votimit. Dhe kjo do të ndodhte vetëm nëse do të kishte vullnet nga Rama për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme.

Miratimi i reformës kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm

Duhet patur parasysh se si votimi elektronik ashtu edhe miratimi i paketës përbëjnë vetëm kushte të nevojshme, por jo të mjaftueshme për zgjedhje të lira e të ndershme… sepse realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme do të varej fuqimisht edhe nga vullneti politik i Ramës për të i) larguar realisht të gjithë individët me rekorde kriminale; ii) mosfutjen në listën e deputetëve të biznesmenëve me pasuri të dyshimta të vendosur me leje ndërtimi, tendera publikë apo dhënie klienteliste koncesionesh; dhe iii) mbi të gjitha nga ndërprerja e përdorimit të kanabisit në funksion të zgjedhjeve dhe përdorimit të rrjetit policor në bashkëpunim me individët me rekorde kriminale dhe kultivimin e kanabisit. Mbi të gjitha do të insistoja në çështjen e përdorimit të kanabisit për manipulimin e zgjedhjeve sepse ky element do të nxirrte jashtë loje të gjithë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përfshi dhe votimin elektronik…

Artikulli paraprakMë të varfër se Kosova, krahasohemi me Afrikën
Artikulli tjetërArtistët me NIPT më vete në dasma e koncerte