Më 18 shkurt në shesh për lirinë, dinjitetin dhe demokracinë!

Jorida TABAKU

Kjo mazhorancë erdhi në pushtet përmes një palë zgjedhjesh që me shumë mundësi nuk qenë më të mirat në absolut, por qenë zgjedhjet më të mira që ka pasur ky vend në 25 vjet demokraci. Mendja ta do që zgjedhjet e radhës do të vazhdonin të përmirësoheshin, të nxisnin akoma më shumë demokracinë përfaqësuese, por nuk ndodhi kështu.
Për fatin e keq nuk mund të ndodhte ashtu siç çdokush prej nesh e mendonte, mazhoranca e ardhur nga një palë zgjedhjesh brenda kritereve mëse të pranueshme i solli peshqesh kësaj salle njerëz të inkriminuar, të cilët, i mbrojti dhe vazhdon t’i mbrojë deri në vetëmohim. Një qeveri, e cila nuk është vetëm e përfshirë në lejimin e trafikut të drogës apo edhe të kriminelëve që komandojnë drogën, por që për fatin e keq është një shtojcë e bandave kriminale. Një qeveri e tillë është sa e përfshirë aq edhe patericë e tyre.
Prandaj dhe zgjedhjet sot nuk janë më për qeverinë, një arenë në të cilën ato të shpalosin arritjet apo dështimet e tyre spektakolare, por një rrugë e mbushur me abuzime dhe vjedhje që pa nisur gara, kështu që kjo mazhorancë të përpiqet të mbijetojë. Në fronin e pushtetit ekzekutiv për të kërcënuar deri në zhdukje jo vetëm ekonominë e çdo qytetari, mendimin e çdo qytetari, por edhe lirinë dhe vetë themelet e një shoqërie të shëndoshë.
Kam dëgjuar nga kjo foltore edhe kryetarin e Grupit parlamentar të PS, si dhe eksponentë të tjerë deri edhe vetë Kryeministrin e vendit, të cilët në përpjekjen e tyre për të artikuluar argumente kundër kërkesave të opozitës si numërimi dhe votimi elektronik. Rreshtojnë një sërë shtetesh me argumentin se meqë këto shtete nuk e preferojnë apo po e heqin këtë votim elektronik atëherë përse duhet ta bëjmë ne?
Mund të jetë mëse e vërtetë që në Holandë nuk e duan votimin elektronik, por në atë vend votohet me laps në dorë, ndërsa në Shqipërinë tonë ke frikë se edhe vota me stilolaps ndryshohet. Ndoshta në Francën e Liri-Barazi-Vëllazëri është tërhequr votimi elektronik, por atje nuk ke frikën që Robespieri apo Lui Bonaparti të jenë në listat e zgjedhësve dhe të votojnë siç ndodh në qendrat e votimit edhe në mes të Tiranës.
Megjithëse është e pavërtetë që në SHBA duan të heqin votimin elektronik, siç pretendonte në njëfarë mënyre mazhoranca, atje vota numërohet shpejt dhe saktë, ndërsa në Shqipërinë e Rilindjes ministri Tahiri nxjerr vendime ministrie që të paguhen kryepleqtë gjoja për të nxitur apo numëruar votuesit.
Pra, të krahasosh procesin zgjedhor duke vendosur në një krahë mollët dhe në tjetrin dardhët është një mashtrim me logjikë të ftohtë, të cilin PS me shumë mundësi e praktikon për të fshehur detajin më të rëndësishëm “Frikën nga populli”!
Frikë, të cilën do ta shohë me sytë e saj më 18 shkurt, në vigjilje të përkujtimit të revoltës studentore që 27 vite më parë shkundi nga themelet atë që shumë prej jush e mendonin si regjimin me të cilin do të plakeshit.
Njëzet e shtatë vjet më parë në mënyrë irracionale keni mbrojtur krimet dhe kriminelët e nomenklaturës komuniste, sot pas dy dekadash po rimbroni krimet e kriminelëve që keni sjellë po këtu nga nomenklatura e bandave. Kur shikon ministrin e Financave, i cili del në krah të një ish-kryebashkiaku, të shkarkuar nga KQZ dhe i cili njihet botërisht si një person me precedentë penalë që duhet të largohet nga detyra çfarë duhet të mendojë një qytetar i Kavajës?
Kur sheh një qeveri të kapur në ngërç që ia pason Balilin sa një lojtari të LSI tek një lojtar të PS çfarë duhet të mendojë një qytetar i thjeshtë që arrestohet se përse po suvaton murin e shtëpisë apo po rregullon avllinë?
Kur sheh një kryeministër që nuk ka ndërmend të ndahet nga kriminelët që i ka në postet të rëndësishme politike dhe partiake, çfarë duhet të mendojë një qytetar i stërmunduar nga katër vjet taksa, gjoba, burgje dhe dhunë policore?
Kur dëgjon kriminelë të burgosur që lirisht, flasin për një gjyq që do t’u lehtësojë atyre fajet që gjoja i kanë kryer pa vetëdije çfarë duhet të mendojë një i ri që ka mbetur pa punë sepse qeveria është e zënë me punësimin e kriminelëve dhe jo të qytetarëve?
Edhe sa duhet të durojë ky popull, kjo opozitë dhe çdokush që të shenjtë ka lirinë? Edhe sa duhet të besojmë në premtimet boshe të një mazhorance që nuk ka ndërmend të qeverisë, por vetëm të menaxhojë kriminelët që liron nga burgu për të ndikuar në jetën demokratike dhe të ardhmen e këtij vendi?
Në këto katër vjet, kam takuar shumë qytetarë, në sytë e tyre kam parë një shpresë që u jepte kurajo dhe shpresë për të punuar në çdo ditë të vitit. Por pak ditë më parë u takova me një qytetar që më shprehu se mungesë shprese si sot nuk kish përjetuar 27 vjet me radhë. Më tregoi se në dy dekada demokraci e kish menduar që nuk do të ishte kaq e kollajtë të kalonim nga totalitarizmi në demokraci, por asnjëherë nuk kish menduar që një pakt më fistotelian do ta shndërronte demokracinë tonë të brishtë në një ferr.
Në një ferr që do të prodhonte korrupsion edhe më të madh aq sa të rikthehet në shqetësim kryesor edhe për Bashkimin Europian. Që do të prodhonte një moral politik edhe më të ulët, një luftë edhe më ekstreme brenda një mazhorance të telendisur nga abuzimet dhe një ekonomi të bjerrë, papunësi të lartë dhe pamundësi konkurrence. Por, askush nuk e kishte menduar megjithëse në këtë sallë është parashikuar nga opozita dhe ish-Kryeministri Berisha, se Kryeministri Rama do të përfshinte në këtë ferr të krijuar prej tij të vetmen organizatë terroriste që ka prodhuar Shqipëria pas diktaturës komuniste.
E marr rastin të përshëndes rezolutën e Parlamentit Europian që ka ngritur të njëjtat shqetësime si ato që ne kemi ngritur gjatë këtyre katër viteve:
1. Lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe reforma në drejtësi.
2. Implementimi me sukses i ligjit të dekriminalizimit.
3. Reforma Zgjedhore sipas përcaktimeve të OSBE/ODIHR, si dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme (pika 6).
4. Thirrje partive politike për të respektuar shpirtin dhe thelbin e ligjit të dekriminalizimit.
5. Thirrje për luftë më të egër ndaj organizatave kriminale dhe për çuarjen para përgjegjësisë të tyre.
6. Regres sa i takon lirisë së mediave dhe kontrollit të pushtetit qeveritar ndaj tyre.
7. E shqetësuar për nivelin e lartë të prokurimeve jo kompetitive dhe sidomos kontratave abuzive në termin PPP.
8. Fuqizimin e ligjeve mjedisore dhe shqetësim për abuzimin me ndërtimin e hidrocentraleve vend e pa vend.
9. Forcimin e të drejtës së pronës që nga kompensimi e deri tek regjistrimi dhe ruajtjes e sigurisë fizike të saj.
E meqenëse jemi te prona dua të përshëndes dhe vendimin e Gjykatës së Strasburgut që hodhi poshtë ligjin tuaj të pronave që ka hequr konceptin e njohjes së pronës e thotë se një dhe vetëm një është mënyra e saktë për vlerësimin, ajo me çmimin e tregut. Për këtë arsye i bëj thirrje qeverisë të ndryshojë menjëherë ligjin se po shkakton një kosto shumë të lartë për buxhetin e shtetit.
Pak rëndësi ka përgjigjja e këtyre dilemave, sot për të gjithë ne është e qartë se shoqëria jonë po përzihet me një shoqëri mafioze që burimin e saj e ka në qeveri! Kjo përzierje nuk do të prodhojë nesër një Parlament të shëndetshëm apo një qeveri më të mirë prandaj ne duhet të jemi në shesh ditën e shtunë. Jo si një ftesë për të marrë PD pushtetin, por si një ftesë për të pasur mundësinë të zgjedhim ne kush duhet të na qeverisë. Si një ftesë për të mundësuar politikë dhe jo mafie. Si një ftesë për të mundësuar zgjedhje demokratike dhe jo referendum për të zgjedhur kryeministrin!
Prandaj më 18 shkurt, ne do të dalim në shesh për të kërkuar që të zgjedhim një qeveri që u jep zgjidhje dhe jo një mafiokraci që ka prodhuar një shtet paralel brenda shtetit. Do të dalim në shesh për të kërkuar mbrojtjen e dinjitetit nga një mazhorancë që jeton dhe merr frymë për të mbuluar dhe mbrojtur krimin. Do të dalim në shesh sepse ende, fatmirësisht, besojnë se demokracia funksionon. Do të jemi në shesh sepse ne besojmë se mafiokracia nuk është modeli i duhur për të çuar përpara shoqërinë tonë, por është shteti i së drejtës dhe demokracia.
Më 18 shkurt; pronarëve që donit t’ua rrëmbenit tokën me ligjet staliniste do t’i keni në shesh. Të përndjekurit politikë që i trajtoni si leckë për të pastruar portretin e diktatorit do t’i keni aty. Të varfrit që i gënjyet dhe u latë peshqesh energji më të shtrenjtë, taksa më të larta dhe burgun do t’i keni aty. Gazetarët që nuk duan robërinë, por lirinë e shprehjes që përpiqeni t’ua blini me poste tek INSTAT apo duke ua blerë pronarët do t’i keni aty. Bizneset që i keni mbushur me borxhe dhe taksa për gostitë tuaja personale do t’i keni aty.
Katërmbëdhjetë vjet më parë, ambasadori amerikan James Jeffrey deklaronte “Ne e dimë apo shumë shpejt do e zbulojmë se cilët jeni. Qeveria ime, partnerët tanë evropianë dhe shqiptarët janë vënë pas jush dhe ne nuk do të rreshtim derisa ju të shkoni atje ku ju takon dhe krimi të mos kërcënojë më këtë vend dhe këtë rajon”.  Më 18 shkurt do të jemi në shesh për të nisur fundin tuaj të pashmangshëm!

Artikulli paraprakPrenga i Ramës, precedentë penalë për vjedhje në Itali
Artikulli tjetërJames: Te Reali për shumë kohë