Mbetësi më i madh në këtë vend jeni ju z. Rama

Ergys Mërtiri

Ne nuk paguajmë për studentët mbetës, tha Kryeministri dje si përgjigje ndaj protestës studentore kundër tarifave për lëndët e vjeshtës.
Strategjia e tij për të njollosur çdo protestë është e njëllojtë. Gjej një term ofendues, baltosi protestuesit, përçaji me pseudoprotestues të inflitruar, kërcënoji disa prej tyre që të tërhiqen dhe të shkaktojnë mosbesim, e më pas gjërat bëhen më të lehta për të shuar vrullin e tyre. E njëjta gjë po ndodh edhe me stuentët. Ashtu siç i quajti “shërbëtorë të opozitës” protestuesit për teatrin, ashtu siç i quajti “shpellarë” protestuesit e Unazës së Re, po i quan “mbetës” studentët që nuk pranojnë degradimin e universitetit për shkak të politikave të tij. Po njësoj po përpiqet t’i kërcënojë disa prej tyre me marrjen e mungesave në auditore, ndërsa po bën çmos që të përçajë këshillat studentorë.
Logjika e Kryeministrit është banale. Pikë së pari, sezoni i vjeshtës nuk është vetëm për studentët e këqinj, por shfrytëzohet njësoj, edhe nga studentët e mirë për të rritur rezultatet e për të përmirësuar notat. Së dyti, studentët kanë të drejtat e tyre, qofshin mbetës apo jo. Se çfarë ambiciesh ka një student për veten e tij kjo nuk është fare punë e qeverisë. Njeriu ka të drejtën e vet të mos mësojë dhe për këtë nuk i jep llogari askujt, aq më pak kryeministrit. Qeveria ka për detyrë vetëm t’iu krijojë studentëve kushte për të studiuar dhe t’i japë gjithsecilit hakun, në bazë të performancës në provime.

Ajo nuk ka të drejtë aspak t’i diferencojë moralisht ata për zgjedhjet e tyre personale, dhe për notat që marrin. Universiteti ka një sistem vlerësimi të cilin duhet ta ndjekë me përpikmëri dhe nuk ka të drejtë aspak të gjykojë zgjedhjet individuale të gjithsecilit, e aq më pak t’iu vendosë gjoba financiare, ngritur mbi diskualifikime të tilla morale.
Aktualisht çdo student që le një lëndë për vjeshtë paguan 14 mijë lekë të vjetra për kredit, gjë që, e përkthyer në 4 ose 5 provime në vjeshtë, me nga 4-5 kredite, atyre iu duhet të paguajnë deri në 300 mijë lekë në vit, pa llogaritur shpenzimet për sezonet e ndërmjetme. Me këto shifra, të shkon vjeshta më shumë se viti. Ndërkohë që universiteti nuk ka asnjë shpenzim serioz shtesë për këto provime. Po atë staf akademik që e paguan me pagë fikse, do të përdorë.
Në fakt, protesta e studentëve nuk vjen thjesht për një pagesë, por është akumulim i një pakënaqësie popullore e cila është bërë kapic dhe gjen rastin të shpërthejë për gjënë më të vogël. Protesta nuk është reagim i mbetësve që nuk duan të paguajnë për dembelizmin e tyre, por është shfrim i një ngarkese negative që çdo banor i këtij vendi e ka akumuluar prej kohësh, pikërisht për shkak të mënyrës së shëmtuar sesi bëhen gjërat në këtë vend.
Prandaj z. Rama, mos fyeni studentët sepse mbetësi më i madh në këtë vend jeni ju!

Artikulli paraprak“Edvin bëj gati vazelinën se jo vetëm që po çohet, por edhe po fryhet”!
Artikulli tjetërBeteja finale, nesër studentët marshojnë nga ministria drejt Kryeministrisë