Listat e mazhorancës jashtë afateve në KQZ

Në bazë të Kodit Zgjedhor, neni 67 pika 1 e tij, që prej mesnatës së datës 28 prill duke hyrë data 29, ka mbaruar afati për regjistrimin e listave të kandidatëve të subjekteve zgjedhore, çka do të thotë se data 18 qershor e dekretuar nga Presidenti, mund të quhet e rrëzuar. Pas kësaj date KQZ nuk mund të regjistrojë në zgjedhje asnjë kandidat për deputet nga subjektet zgjedhore të regjistruara 70 ditë para ditës së zgjedhjeve. Nga ana e saj vetë zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxha do të pranonte dje se në numërimin e ditëve nuk përfshihet data e zgjedhjeve, çka do të thotë se si datë reference e 50 ditëve merret data 17 qershor. Në rast se aplikohet numërimi mbrapsht do të shohim se kemi 17 ditë në qershor, 31 ditë në maj dhe 2 ditët e mbetura të prillit, 29-30. Nga llogaria del se kufiri i fundit është ai i datës 28 prill.

Qëndrimet

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi do të dilte dje rreth orës 10:30 para kamerave në KQZ për të lajmëruar se gongu i afateve ka rënë dhe KQZ nuk duhet të regjistrojë më lista deputetësh, pasi çdo regjistrim është shkelje e Kodit Zgjedhor.  “Më datë 28 prill në mesnatë ka skaduar afati i regjistrimit për kandidatë në Parlamentin e Shqipërisë. Që pas kësaj date, askush nuk mund të regjistrojë më lista. Çdo regjistrim i listave në KQZ do të ishte shkelje e ligjit. Kodi Zgjedhor është shumë i qartë. Listat e kandiatëve të partive politike apo edhe e kandidatëve të pavarur, regjistrohen jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Data e dekretuar e zgjedhjeve është 18 qershor, e cila fillon në orën 00:00 dhe nuk llogaritet në afat, kështu që dita e 50-të përpara kësaj date është data 29 prill në ora 00:00 sot (dje)  në mëngjes. E për rrjedhojë çdo regjistrim që do të bëhej gjatë ditës së sotme (djeshme) do të ishte i paligjshëm, sepse do të ishim para 49-të ditësh e disa orësh”, tha deputeti i PD. Të njëjtin arsyetim e mbështet dhe ish-kreu i KQZ, Çlirim Gjata. Sipas tij është një veprim i thjeshtë matematikor dhe ska nevojë për shumë arsyetime. KQZ sipas Gjatës nuk duhet të bjerë pre e politikës. “Është veprim i thjeshtë matematikor të numërosh nga 1 në 50. Po problemi është që politika po i detyron institucionet të shkelin ligjet edhe para 10 ditësh paraqitën kërkesë dy partitë, KQZ nuk ra e ruajti besimin para publikut. Ato afate kanë mbaruar mbrëmë në 12:00 të natës. KQZ është në një pozicion shumë të vështirë. KQZ të mos bjerë institucionalisht. Për mua ka mbaruar mbrëmë afati”, thotë Gjata.

Ku ngatërrohet numërimi nga KQZ

Këtë numërim nuk e bën KQZ, e cila ka nxjerrë dje zëdhënësen e institucionit për të na thënë se data e fundit e regjistrimit të zgjedhësve ka përfunduar dje. KQZ, duke rrëzuar të gjithë përllogaritjet matematikore, në kundërshtim të ligjit pretendon se data e fundit e regjistrimit të zgjedhjeve përfundon në mesnatën e datës 29 prill. Por nga ana tjetër, pranon se në përllogaritje nuk përfshihet data e zgjedhjeve, duke nxjerrë një përfundim jashtë logjike. KQZ është aty për të zbatuar dhe monitoruar zbatimin e Kodit Zgjedhor të miratuar nga dy forcat politike në vend në vitin 2012, dhe nuk është për të justifikuar shkeljen e ligjit nga mazhoranca, prej nga ka dalë dhe kryetari i saj. Regjistrimi jashtë afateve të përcaktuara me ligj është shkelje e ligjit të zgjedhjeve dhe për këtë ka sanksione përkatëse. Presidenti i Republikës ka dekretuar datën 18 qershor, dhe jo datën 19 as datën 20 të këtij muaji. KQZ duhet ta dijë se shkelja e afateve cenon proçesin, dhe ligji në këtë pikë është strikt. Kush nuk regjistrohet në këto afate duhet të rrijë jashtë zgjedhjeve, dhe në zbatim të këtij ligji mund të thuhet se zgjedhjet e 20 qershorit kanë rënë.

Bylykbashi: Çdo regjistrim pas 28 prillit shkelje e ligjit

Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, tha dje në një dalje publike përpara KQZ, se duke filluar nga data 29 prill dekreti i Presidentit të Republikës për zgjedhjet ka rënë. Bylykbashi tha se data e dekretuar është ajo e 18 qershorit, dhe nuk përfshihet në numërim, pra afati 50 ditor ka skaduar. “Me datë 28 prill në mesnatë ka skaduar afati i regjistrimit për kandidatë në Parlamentin e Shqipërisë. Që pas kësaj date, askush nuk mund të regjistrojë më lista. Çdo regjistrim i listave në KQZ do të ishte shkelje e ligjit. Kodi Zgjedhor është shumë i qartë. Listat e kandidatëve të partive politike apo edhe e kandidatëve të pavarur, regjistrohen jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Data e dekretuar e zgjedhjeve është 18 qershor, e cila fillon në orën 00:00 dhe nuk llogaritet në afat, kështu që dita e 50-të përpara kësaj date është data 29 prill në ora 00:00 sot në mëngjes”, tha Bylykbashi. Sipas deputetit të për PD-së, çdo regjistrim pas kësaj date do të ishte i paligjshëm. E për rrjedhojë çdo regjistrim që do të bëhej gjatë ditës së sotme do të ishte i paligjshëm. sepse do të ishim para 49-të ditësh e disa orësh. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka më asnjë mundësi ligjore të regjistrojë lista. Nëse e bën është duke shkelur ligjin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe askush tjetër nuk ka asnjë mundësi ligjore për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, për të ndryshuar rregullat. Nëse e bën do të jetë haptazi jo vetëm në një paligjshmëri, por haptazi edhe në një veprim të njëanshëm politik e partizan që nuk është aspak çudi me qëndrimin që ka treguar deri tani, por kjo do të ishte një paligjshmëri e hapur. E theksoj, nga dita e sotme askush nuk regjistron më lista dhe nga dita e sotme ose më mirë të themi nga mbrëmë në mesnatë, ka përfunduar ligjërisht, përveçse politikisht, edhe kjo farsë që u quajtën zgjedhjet e dekretuara më 18 qershor”, thotë deputeti i PD. Nga ana tjetër sipas Bylykbashit, e vetmja mënyrë që shqiptarët të votojnë në zgjedhje të lira është arritja e një marrëveshjeje, e cila do i mundësojë atyre votimin në një datë tjetër dhe me kushte të tjera. “Praktikisht dhe ligjërisht ka rënë edhe dekreti i Presidentit. E vetmja mënyrë që shqiptarët nga sot e tutje të votojnë të lirë në zgjedhje të lira dhe të ndershme është një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, e cila do t’i mundësojë ata në një moment tjetër të votojnë me kushte të tjera dhe jo me këto që imponon kjo mazhorancë”, përfundon Bylykbashi.

Gjata: Bylybashi ka të drejtë, KQZ mos bjerë pre e presioneve

Ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata në rolin e ekspertit ligjor, në një komunikim telefonik në Neës 24 ka sqaruar deklaratën e bërë pak minuta më parë nga deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi. Sipas tij është e thjeshtë të numërosh nga 1 në 50 dhe të kuptosh që afati për regjistrimin e kandidatëve në KQZ ka përfunduar mbrëmë në mesnatë.

-A kanë skaduar afatet?
Mendoj se zoti Bylykbashi ka të drejtë në atë që thotë deri ditën e zgjedhjeve.

-Pra data 18 nuk llogaritet?
Është veprim i thjeshtë matematikor të numërosh nga 1 në 50. Po problemi është që politika po i detyron institucionet të shkelin ligjet edhe para 10 ditësh paraqitën kërkesë dy partitë, KQZ nuk ra e ruajti besimin para publikut. Nga ato, afatet mbarojnë mbrëmë në 12:00 të natës. KQZ është në një pozicion shumë të vështirë. KQZ të mos bjerë institucionalisht. Për mua ka mbaruar mbrëmë afati.

Kodi Zgjedhor, neni 67: Pas 50 ditëve nuk ka regjistrime në zgjedhje

Neni 67 është i qartë kur flet për regjistrimin e emrave të kandidatëve në 2 pika të tij. Pikërisht në pikën 1 dhe në pikën 3. Në  pikën 1 flet për regjistrimin në KQZ kur thotë se “Partia politike, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve”. E njëjta gjë përsëritet në Kodin Zgjedhor dhe kur flitet për partitë që janë në koalicion dhe duan të regjistrojnë partitë, dhe aty kodi është i qartë dhe përcakton 50 ditë para zgjedhjeve. Pra, janë dy pika të nenit që kërkojnë një afat të përcaktuar prej 50 ditësh dhe që nuk lejojnë hapësira për interpretime të saj. Në këtë rast zbatohet pika një e nenit, për sa i përket subjekteve, pasi në KQZ nga partitë e mazhorancës nuk po regjistrohen koalicione, si një përpjekje për të fabrikuar opozitë, me parti të stisura. Por në koalicion ose jo duket qartë që ligji është shkelur, dhe afatet përjashtojnë zgjatime të tilla, vetëm në rast se nga palët bihet dakort për të ndryshuar Kodin Zgjedhor.

Artikulli paraprakMazhoranca përdor forcën e numrave për Presidentin
Artikulli tjetërKongresmeni Steve King në Shqipëri për të mbështetur protestën