Mavraj e Abrashi në formacionin e javës

Mërgim Mavraj dhe Amir Abrashi në formacionin e javës së prestigjiozes gjermane “Kicker”. Dy futbollistët e kombëtares janë përzgjedhur nga revista sportive gjermane në 11-shen më të mirë të javës në Bundesligë, pas paraqitjeve që bënë këtë fundjavë me klubet e tyre. Për Mavraj kjo është hera e 3-të që përfshihet nga “Kicker” në formacionin e javës, gjë që është dhe një tregues i cilësive të padiskutueshme të tij në repartin e mbrojtjes së Këlnit ku është një lider i vërtetë.
Në ndeshjen e fundit me Hamburgun të fituar 3-0 nga ekipi i tij, Mavraj ishte i pakalueshëm në qendër të mbrojtjes, teksa nuk i la pothuajse asnjë mundësi dyshes kundërshtare Lassogga-Wood për të goditur portën. Abrashi, në krahun tjetër përzgjidhet për herë të parë në formacionin më të mirë të javës në Bundesligë dhe përfshirja e tij nuk ka të bëjë vetëm me golin e shënuar, por mbi të gjitha me filtrin që krijoi në mesfushë ndaj rivalëve të Verder Bremen, duke qenë jo vetëm shumë i saktë me ndërhyrjet e tij, por duke ndihmuar gjithashtu dhe ekipin në fazën sulmuese.

Artikulli paraprakAjeti do të ketë hapësirat e tij
Artikulli tjetërManchester United, Valencia mungon 6 javë