Mat, vrau më ‘96 një person, Prokuroria kërkon 18 vite burg

Prokuroria e Matit ka kërkuar 18 vite burgim për autorin e dyshuar të një vrasjeje të ndodhur në vitin 1996 në fshatin Dukagjin të Burrelit. Pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur për shumë vite, Prokuroria kërkon dënimin e Qamil Pepmarku, i akuzuar për “vrasje me dashje” të Ibrahim Lleshit. Ngjarja në fjalë ka ndodhur më 18 shkurt të vitit 1994, kur pas një zënke në gjendje të dehur, autori ka qëlluar me thikë viktimën, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas krimit, autori është larguar nga Shqipëria. Fillimisht ai është dënuar në mungesë në vitin 1996, nga Gjykata e Shkallës së Parë Mat. Duke mos qenë i pranishëm, ai nuk ka bërë apelimin e dënimit.
Në vitin 2012, i pandehuri Pepmarku është arrestuar dhe ka kërkuar rivendosje në afat të gjykimit, me argumentin se nuk ka pasur mundësi të realizojë mbrojtje efektive gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar ndaj tij. Kërkesa për rivendosje në afat është pranuar nga ana e Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila e riktheu për gjykim çështjen. Në përfundim të gjykimit të rifilluar, Prokuroria e Matit kërkon dënimin e tij me 18 vite burgim. Motivi i vrasjes, në bazë të hetimeve të Prokurorisë, rezulton të jetë i rëndomtë.
Më datë 18 shkurt 1994, Qamil Pepmarku, banor i fshatit Gjocaj, rrethi Mat, ka shkuar në fshatin Derjan për të marrë pensionin e të atit. Më pas është takuar me shtetasin Han Pasha (i cili është gjykuar për veprën penale të përkrahjes së autorit të kryerjes së krimit), të cilët janë nisur drejt banesës së të dënuarit, për në fshatin Gjocaj.
Kur kanë mbërritur në fshatin Dukagjin, të rrethit Mat, janë futur në lokalin e shtetasit Met Dedja, aty kanë pirë pije alkoolike. Pasi janë vënë në dijeni se në një lokal tjetër aty afër ndodhej dëshmitari Sami Hysenlika, i cili ishte shok me të pandehurin Qamil Pepmarku janë nisur për te ky lokal. Në tavolinën e këtij lokali kanë gjetur dëshmitarin Sami Hysenlika dhe viktimën Ibrahim Lleshi, si dhe dëshmitarin Luan Lala.
Viktima Ibrahim Lleshi i ka qerasur me nga një gotë raki të pandehurin Qamil Pepmarku dhe shtetasin Han Pasha. Pasi kanë pirë gotën e parë, i pandehuri dhe shtetasi Han Pasha i kanë kërkuar viktimës Ibrahim të pijnë dhe nga dy gota të tjera prej tij, por viktima ka refuzuar t’ua japë, refuzim ky që ka bërë të lindë grindja mes tyre.
Në këto momente ka ndërhyrë pronari i lokalit dhe i ka nxjerrë përjashta. Pasi kanë dalë jashtë janë futur te lokali i Luan Likolajt. Në këtë lokal Han Pasha ka ofenduar me fjalë familjen e viktimës Ibrahim Lleshi, i cili ka nxjerrë një thikë dhe i është drejtuar Han Pashës. Në këto momente kanë ndërhyrë dëshmitarët Luan Likola dhe Luan Lala, të cilët kanë kapur viktimën Ibrahim Lleshi. Në këtë kohë viktimës Ibrahim i ka rënë thika nga dora. Këtë thikë e ka kapur menjëherë i pandehuri Qamil Pepmarku dhe ka goditur viktimën në bark duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Artikulli paraprakKufoma e gjetur në Dajt dyshohet se është e Stafukës
Artikulli tjetër“Arrest shtëpie” për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Hasan Halili