Mashtrimi i Ballës: Si manipuloi me foton e peshkimit, Prokuroria në gjunjë

Pas akuzave të rënda se kreu i grupit parlamentar të PS ishte prezent në komisariatin e policisë së Krujës, ndërkohë që nënoficer Emiliano Nuhiu po kërcënohej me armë sepse donte të arrestonte djalin e deputetit socialist Rexhep Rahja, shpërthyen një breshëri alibish, se kjo gjë nuk ishte e vërtetë. Së pari policia e shtetit tha se dy deputetët nuk kanë hyrë në komisariat në datën 21 korrik.
Pastaj doli vetë Taulant Balla, i cili deklaroi se kjo qe një shpifje e ndyrë, se ai nuk kishte shkelur në Krujë në ato kohë dhe se ishte lehtësisht e provueshme se ai në tërë ato ditë ka qenë në takime publike në vende të tjera, të cilat nuk i përcaktoi.
Por të mërkurën në mbrëmje, në emisionin “Opinion” Balla ndërhyri në transmetim dhe publikoi një foto se në ditën që ai akuzohej kishte qenë në Pogradec për peshkim.
Pra lëvizja nga versioni i se kishte qenë në takime publike kërciste pak, por nuk ishte tejet e rëndë. Si çdo kush, edhe Taulant Balla mund të kryejë sportin paqësor të peshkimit.
Por në foton që nxori në Opinion, të marrë nga Instagrami kishte një problem. Aty dukej edhe numri i atyre që e kishin pëlqyer këtë pasion të Ballës, por nuk dukej data e postimit të saj (shiko videon poshtë).
Lapsi.al bëri një lundrim në instagramin e Ballës dhe aty, data, që nuk mund të ndryshohet, shikohet me lehtësi. Ai ka qenë për Pogradec për peshkim në 22 korrik dhe jo në datën për të cilën akuzohet se ndodhej në komisariatin e Krujës, në 21 korrik (shih foton poshtë).

Artikulli paraprakProtesta në Prishtinë
Artikulli tjetërNënkomisari nxjerr zbuluar zarin e krimit në media, pse fshihet materiali i SHKB-së?