Vasili: Vota në OKB, gabim historik

Kreu i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, në një reagim në rrjetin social Facebook thekson se, vota e qeverisë Rama kundër Amerikës në OKB është një turp që nuk zhbëhet. Vasili shprehet se çdo alibi e qeverisë e rëndon këtë faj historik të saj, ndërkohë që nënvizon se asnjë shqiptar nuk është në krah të qeverisë, kur ajo voton kundër Amerikës. “Qeveria kundër Amerikës në OKB, ky turp i saj nuk zhbëhet. Qeveria votoi kundër Amerikës dhe këtë nuk e luan topi. Çdo alibi e shpëlarë e qeverisë vetëm se e rëndon këtë faj historik të saj. Asnjë shqiptar nuk është në krah të qeverisë kur ajo voton kundër Amerikës. Arsyet e errëta të këtij votimi antiamerikan të qeverisë janë të qarta dhe qëllimkëqia. Çdo avokati e këtij turpi që nuk zhbëhet dot është po aq e errët sa edhe vetë arsyet e errëta të qeverisë së kapur për të votuar haptas kundër Amerikës. Denoncimi i fortë, pa komplekse dhe pa kompromis i këtij turpi është i vetmi qendrim i ndershëm në të mirë të Shqipërisë dhe në dëm të klikës antiamerikane që qeveris vendin dhe të gjithë zëdhënësve të saj politikë e parapolitikë”, shprehet Vasili.

Artikulli paraprakMasakra mjedisore me Mbetjet Urbane në Zall-Herr
Artikulli tjetërShehu: Një votë absurde kundër SHBA