Masakra e radhës, betonizohet edhe kalaja në mes të Tiranës

Një tjetër zonë arkeologjike po shkatërrohet nga ndërtimet me leje të qeverisë. Në Kalanë e Tiranës, zonë arkeologjike “A” ka filluar ndërtimi i një kompleksi dyqanesh njëkatëshe. Projekti quhet “Pazari i Tiranës”. Qeveria Rama ka ndërmarrë një sërë vendimesh që i hapën rrugën këtij ndërtimi në zonën e mbrojtur të Tiranës. Më poshtë është kronologjia e këtyre vendimeve dhe detaje nga projekti: Më 3 dhjetor 2009, qeveria Berisha e shpalli kalanë e Tiranës “zonë arkeologjike” të tipit A. Sipas VKM-së, në këtë zonë lejohej vetëm restaurimi i monumenteve të kulturës brenda kufijve të zonës dhe konstruksioni i rrugëve. Më 20 prill 2016, qeveria Rama vendosi lejimin e ndërtimeve në kalanë e Tiranës, duke shtuar në vendimin e qeverisë Berisha një nen të ri: “Neni 4. Vendosja e konstruksioneve të lehta (dru, xham, plastikë, metal) me lartësi maksimale një kat, të cilat duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara”. Sipas VKM-së, konstruksionet duhet të lidhen me veprimtari arkeologjike dhe nuk duhet të dëmtojnë nëntokën dhe peizazhin e zonës. Më datë 22 dhe 27 korrik 2016, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë miratuan projektin “Pazari i Tiranës”, kërkuar nga familja Toptani. Për projektin e Pazarit të Tiranës nuk janë zhvilluar dëgjesa me publikun, me banorët e zonës dhe me organizatat e interesuara, siç e parashikon Ligji “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”. Deri më tani mbi projektin e Pazarit të Ri është publik vetëm një raport paraprak i vlerësimit të ndikimit në mjedis, i vitit 2016. Sipas këtij raporti: Sipërfaqja e tokës ku do të ndërtohet “Pazari” është 3 610 metër katrorë. Ndërtimi me sipërfaqe 1,621 metër katrorë do të shërbejë  për ambiente tregtare. Elementët që do të përdoren për ndërtimin e strukturave do të jenë: terrakot e bardhë, metal, xham i thjeshtë, struktural dhe transparent e duralumin.

Reagimi i forumit

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë akuzon ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro për atë që është cilësuar si masakra e re, që po zhvillohet në një zonë arkeologjike A në Tiranë. Pas fotove të betonimit të kalasë së Tiranës, përmes një postimi Forumi ndërsa ka publikuar VKM e një viti më parë që i hapi rrugën punimeve në brendësi të kalasë shkruan se, shpreson që ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro këtë herë nuk do të justifikohet me alibinë e  Dakos në Durrës se kalaja i përket periudhës osmane e nuk ka vlera. “Kjo është VKM që i hapi shtegun punimeve në brendësi të kalasë së Tiranës. Në pikën 4, flitet për lejimin e ‘vendosjes së konstruksioneve të lehta (dru, xham, plastikë, metal), me lartësi maksimale 1 kat, të cilat duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara’. Nuk bëhet fjalë për shtrime betoni e mure 4 metra të larta të njëjta me ato të burgjeve të sigurisë së lartë. Të shpresojmë që Mirela Kumbaro nuk do të justifikohet me alibinë e Dakos në Durrës se kalaja i përket periudhës osmane e nuk ka vlera…”, shkruan Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Facebook. Pas publikimit të fotove, ku tregohet betonizimi që po ndodh në kalanë e Tiranës nuk kanë munguar reagimet që kërkojnë mbrojtjen e pasurisë arkeologjike dhe vijojnë akuzat në drejtim të Ministrisë së Kulturës. Më 25 mars Forumi publikoi fotot e para, të cilat tregonin betonizimin. “Mirela Kumbaro- godet sërish! Betonizohet kalaja e Tiranës, e cila brenda mureve është shpallur zonë arkeologjike! Shihni dhe gjykoni vetë mbi masakrën e re, që po zhvillohet në mes të kryeqytetit në një zonë arkeologjike A, ende të pagërmuar”, shkruan në Facebook Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, ku ndërtimi i ri po bëhet ngjitur me murin e Akademisë së Shkencave.

Artikulli paraprakBien me 75 milionë euro kursimet në banka në shkurt
Artikulli tjetërMarrëveshja me të cilën Rama bleu emblemën franceze të legjionit