Bien me 75 milionë euro kursimet në banka në shkurt

Depozitat, që individët, bizneset dhe institucionet e tjera kanë në banka kanë shënuar rënie në muajin shkurt, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Stoku i depozitave në total në shkurt arriti në 1 trilion lekë, duke rënë me rreth 10 miliardë lekë (75 milionë euro) në krahasim me muajin e mëparshëm. Rënia ka ardhur si nga depozitat në lekë ashtu dhe ato në valutë. Depozitat në lekë kanë pasur tendencë rënëse vitet e fundit, kryesisht si rrjedhojë e rënies së normës së interesit, që është afër 1% për kursimet me maturim 1-vjeçar. Edhe në shkurt, depozitat me afat të individëve ranë me pothuajse 17 milionë euro. Në shkurt, tendenca ka qenë rënëse edhe për depozitat në valutë, kryesisht euro, ndryshe nga muajt e mëparshme, kur kursimet në monedhën e përbashkët u rritën, duke amortizuar rënien e depozitave në lekë. Ato ranë me 37 milionë euro gjatë muajit në fjalë. Prej disa muajsh, Shqipëria, një vend që ka si valutë kombëtare lekun, ka më shumë kursime në euro sesa në lekë. Në shkurt, depozitat në valutë përbënin 52.4% të totalit. Banka e Shqipërisë ka shprehur së fundmi shqetësimin për nivelin e lartë të euroizimit të vendit dhe po ndërmerr një plan veprimi për të dekurajuar përdorimin e euros në vend. Kjo nismë, sipas bankës, synon të fuqizojë më tej monedhën vendase, lekun, proces ky që do të bëjë më të lehtë përçimin e stimulit monetar në ekonomi dhe do të rrisë stabilitetin financiar në vend. Plani synon të mbrojë atë pjesë të kredimarrësve në valutë dhe që i kanë të ardhurat në lekë. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë do të përdorë dy mjete që janë në funksion të saj: Ponderimi i aktiveve në euro në një normë më të lartë dhe rinumërimi i rezervës së detyrueshme, duke favorizuar monedhën vendase.

Artikulli paraprakKosovë, fermerët vuajnë konkurrencën e padretjë
Artikulli tjetërMasakra e radhës, betonizohet edhe kalaja në mes të Tiranës