Marrëveshja me të cilën Rama bleu emblemën franceze të legjionit

Emblema “Komandant i Legjionit të Nderit”, origjinale sot e gjithë ditën shitet për vetëm 85 dollarë në  portalin botëror të shitje-blerjeve Ebay, pa pagesë ekstra për transportin. Sipas “Syri.net”, dhënia e këtij vlerësimi nga vetë kryeministri francez Bernard Cazeneueve për shefin e qeverisë shqiptare një ditë më parë, bashkë me të falat e Francois Hollande nga Indonezia nuk është aq banale sa fakti që po përmendin në hyrje të këtij informacioni. Diku nga mesi i fjalimit, kryeministri francez në motivacionin e tij për dhënien e titullit “Komandant i Legjionit të Nderit” për Edi Ramën na zbulon edhe një fakt interesant që me thënë të drejtën ne shqiptarët e varfër nuk e dinim: “Ju jeni një mik i madh i Francës. I bindur për domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve tona dypalëshe, ju keni mbështetur gjithmonë projektet ekonomike dhe kulturore që kanë kontribuar në këtë afrim. E di që tashmë ato janë të shumta, duke filluar me Trans Adriatic Pipeline, këtë projekt madhor infrastrukture, realizimi i të cilit iu besua vitin e shkuar një sipërmarrjeje franceze”. Atëherë kur ne besuam se ky titull iu dha Edi Ramës veç se flet mirë frëngjisht, prapa saj qëndronka edhe një marrëveshje multimilionëshe për ndërtimin e infrastrukturës së TAP në Shqipëri, në favor të një kompanie franceze. Atëherë kur ne besuam se ky titull iu dha Edi Ramës vetëm se bëri çmos ta bënte vëlla Aleksandër Vuçiç duke i rënë hasha Kosovës dhe Ramush Haradinajt, ja ku na del se francezët nuk janë kaq sipërfaqësorë. Sepse Europa ndonjëherë është edhe kjo, me çmimin e duhur ti mund të kesh edhe titullin më lartë. Po të duash edhe atë titull që Francois Hollande ia akordoi fshehtas më 7 mars të këtij viti, Princit trashëgimtar të Arabisë Saudite Mohamed, Ben Nayef, pikërisht kur vetëm brenda vitit 2016 ai vetë ka firmosur mbi 70 dënime letale me prerje koke, 47 nga të cilat në një ditë të vetme. Dhe po të doni edhe të njëjtin titull që Franca ia ka akorduar dikur për turp të vet edhe diktatorit të Panamasë, Manuel Noriegas që ndodhet sot e gjithë ditën në burgun amerikan të sigurisë së lartë për pastrim parash. Titull që iu dha Noriegas vetëm dy vjet përpara se SHBA-të ta merrnin për leckash e ta ekstradonin.  Nëse ky është preludi, hallall milionat e akorduara për kompaninë franceze që po ndërton infrastrukturën e TAP në Shqipëri. Por nëse Napoleon Bonaparti do ta dinte se kush do ta merrte titullin që ai vetë e krijoi në vitin 1802 për ata që i shërbenin Francës, sot e sigurtë ai do thoshte me vete “vërtet nuk kisha parë asgjë akoma”.

Edi Rama dhe Noriega, dy “Legjionarët e Nderit” të Francës

Një portal serioz francez “The local.fr” e konsideron si një nga 10 gabimet më të mëdha, dhënien e titullit “Legjioni i Nderit” për ish-diktatorin e Panamasë, Manuel Noriega. Noriega renditet në këtë listë me emrat që nuk i bëjnë nder titullit të krijuar nga Napoleon Bonaparti, bashkë me Vladimir Putin, Bashar al-Asad apo presidenti i Gabonit, Ali Bongo, i cili shquhet për abuzimet dhe pushtetin dhe fondet publike dhe që i vetmi kontribut që ka për Francën është se ka depozituar atje mbi 150 milionë euro të grabitura gjatë ushtrimit të detyrës si i tillë. Por le të ndalemi tek emri që cituan në fillim për të ardhur deri tek dy ditë më parë. Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë është njeriu që i shtohet listës së njerëzve, të cilët kanë marrë titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Pak ditë më parë kur Sali Berisha e krahasoi Edi Ramën me Manuel Noriegën, ai kurrë nuk mund ta dinte se këta të dy përveç ngjashmërive që kanë si pushtetarë të lidhur me krimin dhe lejimin e kontrabandës së drogës në vendet e tyre përkatëse, dy ditë më parë do të kishin të përbashkët edhe nderimin nga shteti francez me titullin “Legjioni i Nderit”. Por historia shpeshherë përsërit vetveten dhe SHBA-të po ashtu. Uashingtoni e ka treguar këtë mëse një herë me gabimet që ka bërë duke mbështetur diktatorët e me betejën që u ka shpallur atyre kur ata i kanë dalë duarsh. Në fund ashtu si edhe filmat hollivudianë, CIA fiton gjithmonë, dështimet janë të rralla. Gati 38 vjet më parë CIA udhëtoi për gjithë natën në Panama dhe e mori për leckash Manuel Noriegën që pak vite më parë e kishte mbështetur për t’u bërë diktator i Panamasë, sepse ai e ktheu vendin në një republikë droge. Ngjashmëritë mes Edi Ramës dhe Noriegës nuk janë të pakta, dhe po ashtu edhe me shumë gjasë edhe fundi i tyre vështirë se do të bëjë përjashtim. Por që të dy do të kenë gjithmonë në qafën e tyre “Legjionin e Nderit” si sundimtarë, ashtu edhe të burgosur.

Artikulli paraprakMasakra e radhës, betonizohet edhe kalaja në mes të Tiranës
Artikulli tjetërPaloka: Koha e Ramës ka mbaruar