Manaj shkon tek Granada

Rey Manaj nis një avanturë të re te Granada. Punë e kryer sipas ekspertit italian të merkatos Gianluca di Marzio që njoftoi në faqen e tij transferimin e sulmuesit të Kombëtares Shqiptare në Segunda Divizion. Natyrisht që te Interi që disponon kartonin e lojtarit është e pamundur të mendohet që në këtë periudhë Manaj të gjejë hapësira dhe huazimi i tij ishte diçka e detyrueshme për klubin që gjithsesi beson te aftësitë e 20-vjeçarit. Për këtë arsye edhe pse Granada ka opsionin e blerjes së kartonit pas huazimit, te Interi kanë ruajtur opsionin e të drejtës për ta riblerë më pas sërish futbollistin shqiptar.
Gjithsesi është e pamundur të parashikosh se çfarë do të ndodhë pas një viti, pasi për Manajn tanimë është e rëndësishme të shfrytëzojë këtë shans të ri në tokën spanjolle, aty ku Granada synon këtë vit ringjitjen në Primera, prej nga ku u rrëzua verën e kaluar, duke e përfunduar kampionatin në vendin e 20. Te Granada, Manaj pritet të ketë hapësirën e nevojshme për të fituar akoma më tepër eksperiencë dhe për të lënë pas aventurat jo dhe aq pozitive të përjetuara në sezonin e fundit ku u huazua për pjesën e parë të kampionatit te Pescara dhe më pas te Pisa në Serinë B. Performanca e sulmuesit te Granada do të jetë vendimtare edhe për shanset për të rifituar një ftesë në Kombëtare, aty ku Panucci e ka bërë të qartë që në fillim se nuk toleron probleme që kanë të bëjnë me disiplinën.

Agim Zeka shënon te Lille B

Agim Zeka ishte autor i një goli mjaft të bukur për skuadrën e Lillë B, në ndeshjen e kësaj të hënë, kundër Sedanit e vlefshme për kampionatin National 2, ose ndryshe kategoria e katërt e futbollit francez. Në takimin e luajtur në transfertë, Zeka shënoi golin e barazimit 1-1 për ekipin e tij pas një goditje nga një pozicion shumë i vështirë, duke mposhtur portierin kundërshtar. Futbollisti nga Prishtina, që u transferua në muajin janar te klubi francez i Lille, aktualisht luan me ekipin e dytë të këtij klubi, ku ka gjithmonë një vend si titullar. Goli i Zekës në këtë përballje ishte tejet i rëndësishëm për skuadrën, që nuk e ka nisur aspak mirë kampionatin dhe aktualisht pas 3 javëve të para ka vetëm 2 pikë në total. Gjithsesi me këtë finalizim, Zeka tregon se po kalon një formë të mirë dhe mund të merret në konsideratë në të ardhmen dhe nga trajneri Marcelo Bielsa, për të qenë pjesë dhe e ekipit të parë.

Skënderbeu nënshkruan me mesfushorin Suad Sahiti

Skënderbeu bën një prej goditjeve më të mëdha të merkatos së verës. Mesfushori kosovar Suad Sahiti nënshkruan me klubin korçar, duke nisur një eksperiencë të re në Kategorinë Superiore dhe në futbollin shqiptar. Pas 4 sezoneve në radhët e maqedonasve të Rabotniçkit, 22-vjeçari tashmë nis rrugëtimin me ekipin shqiptar dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja për ndeshjet e grupeve të Europa League. Lajmin e bën të ditur klubi bardhekuq në një komunikatë zyrtare, duke theksuar se Sahiti ka firmosur një kontratë 3-vjeçare, duke shtuar se lojtari i është bashkuar menjëherë skuadrës në stërvitje. Sahiti ka kaluar 4 sezone si profesionist në radhët e Rabotniçkit. Sezonin e shkuar ai arriti kulmin në karrierën e tij me 7 gola të shënuar në kampionat, ku u aktivizua 22 ndeshje. Ai ka shënuar një gol edhe në ndeshjen e raundit të parë të Europa League këtë sezon në fitoren 6-0 ndaj skuadrës nga San Marino, Tre Pene.
Luftëtari rikthehet në Gjirokastër pas fazës përgatitore të zhvilluar në Greqi. Skuadra jugore që këtë vit do të drejtohet nga trajneri uruguajan, Daniel Fernandez, ka mbyllur përgatitjet në vendin fqinjë dhe do të vazhdojë punën në “Qytetin e Gurtë” për pjesën finale të përgatitjeve të verës. Burime zyrtare nga klubi gjirokastrit bëjnë me dije se trajneri uruguajan është shprehur i kënaqur me paraqitjen e ekipit në dy miqësoret e zhvilluara respektivisht ndaj Verias dhe Anagnesi ku regjistroi një humbje dhe një barazim.

Artikulli paraprakXhelil Asani zyrtarizohet te Shkëndija
Artikulli tjetërArlind Ajeti, i bind të gjithë te Crotone