Arlind Ajeti, i bind të gjithë te Crotone

Arlind Ajeti lideri i ri Crotones. Mbrojtësi i Kombëtares Kuqezi duket se është ambjentuar shpejt me skudrën e tij të re, Crotone, tek të cilët u transferua gjatë verës në formën e huazimit nga Torino në drejtim të kuqebluve. “Gazetta dello Sport” një nga mediat e shkruara më në zë në Itali, e ka cilësuar mbrojtësin si një nga më të mirët në fushën e blertë, në takimin Crotone-Hellas Verona. 23-vjeçari është vlerësuar nga ekspertët me notën 7 dhe në arsyetimin e bërë në lidhje me këtë notë, Ajeti cilësohet si lideri i ri Crotones. I saktë në çdo ndërhyrje, duke mos gabuar për asnjë moment.
Në përballjen ndaj Veronës, mbrojtësi kuqezi rrezikoi portën e kundërshtarit në dy momente. Rasti i parë ishte nga një goditje këndi, por topi kalon ngjitur me shtyllën e majtë. Momenti i dytë ku për pak Ajeti, mund të kishte realizuar dhe një gol spektakolar nga një distancë e madhe, por fati nuk është me të, pasi topi përplaset në travers. 23-vjeçari u transferua tek kjo skuadër për të pasur një rol protagonisti dhe duket se besimin që i dhanë drejtuesit e klubit kalabrez, Ajeti po ia shpërblen me formen e tij, duke i dhënë sinjale të qarta se ardhja e tij është një goditje e suksesshme. Forma e mirë e Arlind Ajetit është edhe një garanci më shumë për kombetarën kuqezi në repartin e prapavijës, në prag të dy sfidave eleminatore të botërorit “Rusi 2018” ndaj Lichteshtejnit dhe Maqedonisë.

Artikulli paraprakManaj shkon tek Granada
Artikulli tjetërMemolla: Nuk e prisja