Lufta propagandistike në Europë

Rusia përpiqet ta dobësojë BE-në dhe përhap qëllimisht desinformacion, kryesisht në Ballkanin Perëndimor. Për këtë janë të bindur shumë kritikë në Bruksel. Tani po bëhen përpjekje për hartimin e një kundërstrategjie. “Sputnik” në Serbi: është dega e medias RT për raportimin online dhe radiofonik e financuar nga Kremlini. U përdorën tone dramatike në mes të tetorit, kur ministrat e Jashtëm të tetë vendeve anëtare të BE-së – Kroacisë, Çekisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar – në një letër drejtuar Federica Mogherini-t bënin fjalë për përhapjen e dezinformacioneve dhe propagandës “gjithnjë e më të rafinuar dhe më të intensifikuar” nga “aktorë të jashtëm”. Qëllimi i tyre, sipas ministrave është “ngjallja e mosbesimit dhe pakënaqësisë me rendin demokratik si dhe për diskretituar BE-në dhe vendet partnere të BE-së me qëllim që të dobësojnë unitetin europian”.
Njëkohësisht 65 ekspertë europianë të sigurisë dhe parlamentarë nga 21 vende të BE-së nënshkruan një deklaratë, në të cilën shprehimisht bëhet përgjegjëse ministrja e Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, që ajo nuk ka ndërmarrë masat e duhura kundërvënëse dhe nuk e pëcakton Rusinë si burimin kryesor të dezinformatave armiqësore. Për këtë fushatë dezinformimi mediet si “Sputnik” dhe shtëpia mediatike “RT” (Russia Today) përdoren qëllimisht si instrument propagande.

Në fokus Europa Lindore dhe ajo Juglindore
Se si mund të kufizohet influenca e mediave ruse, për këtë diskutoi në Bruksel Këshilli i Punëve të Jashtme (FAC). Veçanërisht në fokus janë vendet e Europës Lindore dhe Juglindore. Që në vitin 2015 mbi bazën e një nisme të Këshillit Europian u krijua një Task Force për Komunikim Strategjik (StratCom), për të zbuluar dhe luftuar “fushatën deiinformuese ruse”. Si përmirësimi më i ri në vjeshtë të këtij viti u vu në funksionim njësia StratCom Western Balkans.
“Ekipi për Ballkanin Perëndimor punon, për të promovuar BE-në dhe politikën e vlerat e saj opinionin publik në rajon”, thotë Maja Koçijançiç, zëdhënëse e së ngarkuarës së BE-së për Politikën e Jashtme, Mogherini. Me këtë synohet të plotësohet zbraztia e informacionit. “Qëllimi është, që avantazhet e integrimit në BE t’u përçohen njerëzve në vendet e Ballkanit Perëndimor e po ashtu edhe vendeve anëtare të BE-së”, tha Koçijançiç.

Financim modest
Por pas nismës me emërtimin StratCom Westbalkan, aktualisht qendrojnë vetëm dy punonjës, të cilët bashkëpunojnë ngushtë me StratCom East, një Task-Force e ngjashme për vendet anëtare të BE-së në lindje të Europës. Ato së bashku krijojnë një njësi të vetme të BE-së, që është përgjegjëse për fushatën e supozuar të dezinformimit nga Kremlini. Gjithsej kjo njësi përfshin vetëm 16 punonjës. Ndaj ekspertë në BE druajnë, se ky ekip është i pamjaftueshëm për t’i bërë ballë influencës ruse në pjesë të ndryshme të Europës përfshi edhe Ballkanin Perëndimor.
Ndaj ekspertët dhe politikanët e sigurisë kërkojnë forcimin e punës strategjike të komunikimit në BE, duke përfshirë edhe Referatin për Ballkanin Perëndimor të StratCom. Financimi për kufizimin e propagandës ruse duhet të trefishohet në të paktën një milion euro. Për krahasim: një Task Force e ngjashme në SHBA, Qendra Global Engagement, ka ndërkohë 80 punonjës me një financim prej 60 milionë dollarësh.

Lidhje tradicionale
Rusia tradicionalisht ka marrëdhënie të mira me vendet e Europës Lindore dhe ato të Ballkanit e po ashtu ajo ka interesa të fuqishme gjeostrategjike në këtë rajon. Moska mbështetet në këto rajone nga minoritetet e fuqishme ruse, veçanërisht në shtetet e Baltikut, po ashtu ajo u referohet lidhjeve historike me bashkësinë slllavo-ortodokse në vendet e Ballkanit Perëndimor si Serbia, Maqedonia e po ashtu edhe Bullgaria.

Mesazh pozitiv
“Lidhjet ruse në këtë rajon janë forcuar prej shekujsh dhe janë tradicionalisht shumë të ngushta. Por BE-ja e ka strategjinë si dhe instrumentat më të mira, për të vënë diçka në lëvizje”, thotë Angelina Eichhorst, drejtore për vendet e Ballkanit Perëndimor në Shërbimin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë. “Ne ekzistojmë si strukturë, sepse mendojmë, që si për njerëzit në këtë rajon ashtu edhe për BE-në është e rëndësishme të punohet bashkarisht, për të arritur paqen dhe mirëqenien si dhe për t’i ruajtur ato”, nënvizon Eichhorst.

Artikulli paraprakDënimet për djegien e ambasadës amerikane në Beograd
Artikulli tjetërParatë e pista, 5 miliardë dollarë qarkullojnë nga droga dhe krimi i organizuar në Shqipëri