Paratë e pista, 5 miliardë dollarë qarkullojnë nga droga dhe krimi i organizuar në Shqipëri

Mbi 5 miliardë dollarë janë paratë e drogës që qarkullojnë në vend dhe që pritet të pastrohen përmes projektit të Ramës 1 miliard euro koncesione. Dorjan Teliti, këshilltar i Partisë Demokratike, ka zbardhur shifrën në lidhje me paratë e pista që qarkullojnë në Shqipëri si dhe metodën se si do të pastrohen nga qeveria përmes bankave.
“Nuk po flasim më për para të pista, por janë miliarda euro që qarkullojnë prej drogës. Afërsisht 5 mld dollarë qarkullojnë nga droga dhe krimi i organizuar. Ata që i kanë këto para do mundohen t’u futin në ekonomi. Në vendet e tjera, aty ku synohet është sektori i ndërtimit. Këto para do futen me projektin e famshëm ‘1 mld euro’ që do implementohet nga qeveria për të injektuar para në Republikë që janë jashtë sistemit, sepse nuk janë para të pastra, nuk janë të deklauara”, është shprehur Teliti për “Report tv”.
Teliti ka sqaruar dje skemën se si do të funksionojë pastrimi i parave përmes trekëndëshit të denoncuar nga Basha Politikë-krim-banka.
“Qeveria do të bëjë disa kontrata me investitorë private për projektin 1 miliard euro. Investitori do marri kredi për projektin në banka, qeveria atë vlerë, plus fitimin, plus interesat bankare do t’ua kthejë. Është një skemë e dështuar, si në Greqi. Paraja është në të zezë dhe e padeklaruar, nuk e justifikojnë dot vlerën e punimeve me paratë që kanë në gjendje, ndaj do t’i drejtohen sektorit bankar. E përgëzoj Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë që u bëri thirrje të gjitha bankave që PPP-ja të bëhet brenda ligjit. Ne do auditojmë praktikat”, përfundoi Teliti.
Teliti tha se, ky buxhet godet të varfërit dhe favorizon bizneset dhe oligarkët pranë qeverisë, si dhe anëtarët e krimit të organizuar që bashkëpunojnë me shtetin. “Qeveria është e delegjitimuar dhe nuk mund të hartojë diçka që është në interes të publikut” , u shpreh ai.
Për të shpjeguar më në detaje se çfarë parashikon buxheti i 2018-ës, Teliti tha: “Kush është biznes i vogël, qytetar i thjeshtë, vazhdon të ngarkohet më shumë barra. Kush është biznes i fuqishëm i afërt me qeverinë, me pastrimin e parave, do të marrë thjeshtësira për futjen e parave të jashtëligjshme në sektorin e ekonomisë shqiptare”.
I pyetur se cilat janë propozimet e Partisë Demokratike, propozime PD për buxhetin, Teliti u përgjigj: “Buxheti është propozim nga mazhoranca, e cila në zgjedhje kishte vetëm një premtim, atë se do të bëjmë shtet dhe vetëm një instrument: na jepni ne timonin. Është e habitshme që kemi një qeveri që nuk ka program qeverisës. PD ka bërë dhe bën një recens të fortë me argumenta ndaj të gjitha propozimeve të qeverisë. Propozimet që ne kemi janë reale dhe i kemi shprehur. Jemi kundër futjes së TVSH-së për mijëra biznese, jemi kundër rritjes së taksave, kundër favorizimit të disa bizneseve. Kundër uljes së taksave të hoteleve me 4-5 yje”.
Edhe pse qeveria ka argumentuar se ulja e taksave për hotelet me 5 yje ka qëllime strategjike për zhvillimin e ekonomisë së vendit, Teliti thotë: “Qytetari që ndërton një hulli ka taksë, nuk ka lehtësira. Lehtësira kanë bizneset e lidhura me qeverinë, lista e tyre do të përcaktohet nga qeveria me anë të një vendimi të saj, pra, ka një orientim drejt oligarkisë. Kush e ha drekën te Santa Quaranta do paguajë TVSH 6%, ai ngjitur do ta ketë 20%. Në parim, jemi pro uljes së çdo takse dhe tatimi, filozofia jonë ka qenë për taksa të ulta për të gjitha shtresat. Disktumi është pse nuk ja ul dhe të tjerave, por favorizon një grup biznesesh që kanë interesa me qeverinë. Të tëra të jenë 6%. Hotelet e mëdha, një pjesë e mira e tyre janë të lidhura me krimin e organizuar, e kemi faktuar. Kush është i ndershëm do të ngarkohet më shumë me taksa nga qeveria, kush është i pandershëm, i lidhur me qeverinë dhe oligarkinë, do të marri lehtësira më tepër”.

Artikulli paraprakLufta propagandistike në Europë
Artikulli tjetërNuk ka rritje rrogash, as pensionesh dhe as investime