Rreziku i vërtetë i inteligjencës artificiale

Nëse besoni ekspertët e inteligjencës artificiale, atëherë e dini se bota po shkon drej singularitetit – një pikë në të cilën inteligjenca artificiale e tejkalon atë njerëzore dhe makineritë arrijnë të përmirësohen me normë të pakapshme. Nëse kjo ndodh, çfarë do të bëhet me ne? Gjatë viteve të fundit, shumë zëra të profilit të lartë, që nga Stephen Hawking tek Elon Musk dhe Bill Gates, na kanë paralajmëruar se duhet të tregohemi më të kujdesshëm ndaj pasojave potenciale të zhvillimit të inteligjencës artificiale. Ata madje kanë investuar paratë e tyre pikërisht në këto shqetësime: Musk është një prej miliarderëve që mbështesin OpenAI, një organizatë që i dedikohet zhvillimit të inteligjencës artificiale që do t’i sjellë avantazhe njerëzimit.
Por për shumë të tjerë, këto frika janë të ekzagjeruara. Siç thotë edhe Andrew Ng i Universitetit të Standfordit, i cili është edhe shkencëtar i gjigantit kinez të internetit Baidu: “Të kesh frikë nga robotët vrasës është si të kesh frikë nga mbipopullimi në Mars”. Por kjo nuk do të thotë që zhvillimi i inteligjencës artificiale nuk mbart rreziqe. Në fakt, këto rreziqe i kemi parë që tani. Teksa sistemet e zgjuara përfshihen gjithnjë e më shumë në fusha të vendimmarrjes që nga kujdesi shëndetësor, tek financa dhe drejtësia kriminale, ekziston gjithmonë rreziku që pjesë të rëndësishme të jetës sonë ndikohen pa shumë shqyrtim të mjaftueshëm. Për më tepër, inteligjenca artificiale mund të sjellë pasoja të rënda për të cilat jemi të papërgatitur, si ndryshimi i marrëdhënies sonë me doktorët e deri tek mënyra se si fqinjët tanë patrullohen nga policia.

Çfarë është inteligjenca artificiale?
E thënë thjeshtë, është kryerja nga makineritë e të gjitha gjërave që kërkojnë inteligjencë kur i bëjnë njerëzit: kuptimi i gjuhës natyrore, identifikimi i fytyrave në foto, drejtimi i makinës apo të gjejë se çfarë librash të tjerë mund të na pëlqejnë në bazë të preferencave të mëparshme të shfaqura. Bëhet fjalë për ndryshimin ndërmjet një krahu mekanik në një fabrikë, i krijuar për të përsëritur të njëjtën lëvizje ekzaktësisht pa pushim dhe një krahu që mëson përmes testimeve të vazhdueshme të kryejë detyra të ndryshme në mënyrë autonome.

Si po na ndihmon?
Përpjekjet kryesore rreth inteligjencës artificiale është që makinat të mësohen përmes programeve dhe të trajnohen të memorizojnë dhe të përgjigjen ndaj modeleve të ndryshme me sasi të mëdha të dhënash, siç është identifikimi i një fytyre apo imazhi apo zgjedhja e një lëvizjeje fituese në një lojë shahu. Kjo teknikë mund të përdoret për të zgjidhur lloj-lloj problemesh, siç është mësimi i një kompjuteri që të identifikojë problemet në imazherinë mjekësore.
Kompania e inteligjencës artificiale të Google, DeepMind, është duke bashkëpunuar me Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë në Britanisë së Madhe për një sërë projektesh, përfshirë edhe programe që trajnohen për të diagnostikuar kancerin dhe sëmundjet e syrit nga skaneri i pacientit. Të tjerë janë duke përdorur programet kompjuterike për të identifikuar shenjat e para të sëmundjeve të zemrës dhe Alzajmerit.
Inteligjenca artificiale përdoret gjithashtu për të analizuar sasi të mëdha të informacionit molekular duke kërkuar ilaçe të reja potenciale – një proces që njerëzve i kushton aq shumë kohë, saqë nuk ia vlen të bëhet. Në fakt, makineritë e inteligjencës artificiale do të jenë shumë shpejt të domosdoshme në kujdesin shëndetësor.
Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë edhe në menaxhimin e sistemeve komplekse si rrjeti global i transportit detar. Për shembull, sistemi që drejton Portin Botany të Sidneit menaxhon lëvizjen e mijëra konteinerëve të anijeve që hyjnë e dalin nga porti, duke kontrolluar një flotë transportuesish të automatizuar dhe pa shofer në një mjedis ku nuk punon asnjë qenie njerëzore. Po kështu, në industrinë e minierave, motorët e optimizuar janë duke u përdorur për të planifikuar dhe koordinuar nxjerrjen e burimeve si hekuri, që nga transporti fillestar e deri tek kamionët gjigantë pa shofer.
Inteligjenca artificiale punon kudo ku hidhni shikimin, në industri që nga financa deri tek transporti, duke monitoruar tregun e aksioneve për aktivitete të dyshimta tregtare apo duke mbikëqyrur trafikun ajror. Inteligjenca artificiale punon edhe për të larguar spame-et nga adresa jonë elektronike dhe ky është vetëm fillimi. Me zhvillimin e teknologjisë shtohen pambarimisht fushat e aplikimit.

Cili është rreziku?
Në vend që të shqetësohemi për të ardhmen e njerëzimit kur të “pushtohet” nga inteligjenca artificiale, rreziku i vërtetë që duhet të monitorojmë është besimi i tepërt që i japim sistemeve të zgjuara që po ndërtojmë. Mos harroni se makineritë stërviten dhe funksionojnë përmes programeve të trajnimit. Kur trajnimi të jetë përfunduar, atëherë duhet të fillojnë analizat e vërteta me të dhëna të reja. Problemi është që kur kompjuteri na jep një përgjigje, zakonisht nuk arrijmë të kuptojmë se si ka arritur deri aty.
Problemet janë të shumta. Sistemi është aq i saktë sa të dhënat nga të cilat mësohet. Në rast se programi mësohet me të dhënat të pasakta, të paplota apo të pavërtetuara, atëherë do të japë rezultate po aq të rrezikshme në aplikim, kjo veçanërisht e dukshme në fushën e përkujdesit shëndetësor. Teksa inteligjenca artificiale fillon të vlerësojë gjithçka, që nga krediti juaj, kredencialet për një punë në të cilën keni aplikuar e deri tek vlerësimi i mundësisë së përsëritjes së krimit për një të dënuar, rreziku që programi ndonjëherë të japë përgjigje të gabuara, pa e kuptuar ne, bëhet gjithmonë e më i madh.
Duke qenë se inteligjencës artificiale i nevojiten sasi aq të mëdha të dhënash dhe të dhënat që ne disponojmë nuk janë gjithmonë perfekte, nuk duhet të presim përgjigje perfekte gjatë gjithë kohës. Proceset e vendimmarrjes që janë ndërtuar vetëm mbi bazën e inteligjencës artificiale do të duhet të mbikëqyren me më shumë kujdes. Duke qenë se inteligjencën artificiale po e ndërtojmë sipas imazhit tonë, ka shumë gjasa të jetë po aq brilante dhe e gabueshme sa ne.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakÇfarë do të bëjë presidenti Trump me Kinën?
Artikulli tjetërLlogaritë e reja të Europës me Trump