Larg dogmave e fjalëve, duhet aksion konkret

Hamit TAKA

“Gjithçka duhet që e keqja të triumfojë është që njerëzit (e mirë) të mos bëjnë asnjë gjë”. Edmond Burke
Shumë rrallë ne, qytetarët e këtij vendi të bekuar, por të dramatizuar, flasim në vetë të parë kur është fjala për të pasur një angazhim të qartë publik. Problemet tona si shoqëri i klasifikojmë si probleme të tjetrit. Mirëpo ato nuk zgjidhen duke postuar për to në ndonjë rrjet social. As duke i dhënë mbështetje virtuale kujtdo që i lufton problemet. Qytetar do të thotë të jesh aktiv, do të thotë akoma të kesh kurajon t’ia përplasësh ca të vërteta në sy vetes dhe qytetarëve të vendit tënd. Larg fjalëve e dogmave, duhet aksion konkret. Sot gjithësecili prej nesh është thirrur për të qënë në vijën e parë, në front të betejës. Asnjë pozicion tjetër nuk e çon përpara shoqërinë. Roli i sehirxhiut, i rehatuar në kolltukun e shtëpisë, që bën sikur ndryshon gjithçka me pultin e televizorit, është tërësisht i dëmshëm.
Në bisedat e përditshme të gjithë flasim: E ardhmja është e trishtë, e përditshmja është e paralizuar; në emisionin e mëngjesit “Koha për t’u zgjuar” të gazetarit të nderuar, Bashkim Hoxha, të gjithë ankohemi për papunësinë, për varfërinë, për rrogat e ulta e çmimet e larta, për diferencat midis pushtetarëve e qytetarëve të thjeshtë, për korrupsionin, për mungesën e rrugëve që pengojnë tregëtimin e prodhimeve bujqësore, për ndotjen e zonave naftëmbajtëse ku nuk mund të jetohet, për mosshërbimin në administrate, ku punonjësit rrinë me telefona në duar e nuk i shikojnë në sy qytetarët, për injorantët me diploma falso, që drejtojnë njësitë administrative… dhe në fund: ky vend nuk bëhet! Këtu është për të ikur një orë e më parë!

Vetëm në çfarë ka ndodhur muajt e javët e fundit mund të marrrësh shembuj që dëshmojnë qartë për shumë probleme serioze të shoqërisë sonë. Aferat korruptive më të mëdha me konçensionet, eksportimi i tonelatave me drogë, blerja e votave, kriminaliteti në rrugë e në familje deri te mardhëniet seksuale mes minorenëve n shkolla.
Kështu që, meqënëse arritëm ku jemi, kemi dy mundësi. E para, të drejtojmë gishtin drejt qeverisë e ta shpallim atë fajtore. Por ama, ndërsa drejtojmë gishtin drejt saj, harrojmë që gishtat e tjerë janë të drejtuar nga ne, qytetarët. Ndaj, mundësia e dytë është që ne të mos jemi qytetarë me kohë të pjesshme, apo spektatorë virtualë, por të bëjmë pjesën tonë. Të protestojmë për të drejtat e liritë tona të nëpërkëmbura. Nuk duhet të biem në grackën e të menduarit se pa-anësia apo largësia jonë ndaj gjithë kësaj është mjaft. Sepse nuk është. Aq me tepër në këto kohë të vështira. Edhe kur i karikaturizojmë ata që na drejtojnë në portale, facebook apo komente gënjejmë veten se kemi bërë mjaft e notojmë në një lloj pezulltie të rrezikshme. Notojmë në një lloj vetë-kënaqsie që na jep luksin e të qënit indiferentë ndaj problemeve që ka shoqëria sot. Kjo është vrastare. Një gënjeshtër tragjike ndaj vetes. Ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Që përveç të tjerash do të thotë: nëse nuk e duam korrupsionin atëherë nuk duhet ta ushqejmë atë, as kur përftojmë prej tij; nëse nuk na pëlqen qeverisja amorale, atëherë të mos bashkohemi me atë, por t’i kundërvihemi me protestë; nëse duam që gjërat të ndryshojnë, atëherë të largohemi nga rehatia e spektatorit. Të jesh qytetar me kohë të pjesshme është komode. Por e rrezikshme për të gjithë ne. Gjërat nuk do të ndryshojnë vetëvetiu dhe kotmëkot. Duhet të kuptojmë se ekselenca nuk është shprehje e çastit, por rezultat i përpjekjeve të përditshme (rutinore).
Pyetja është: A jemi gati të durojmë kostot në aspektin personal, në favor të së mirës së përbashkët?! Në se po, hajde të protestojmë. Të mençurit e të ndershmit ndihmojnë të dobëtit nuk bashkohen me të fortët.

Artikulli paraprakParalajmërimi i Bashës: Pas Vlorës, Rama do të kërkojë azil
Artikulli tjetërProtestë kombëtare, me mijëra nga Kosova e Maqedonia e Veriut në Tiranë për rrëzimin e Ramës