Laboratori i kokainës/ Shtyhet procesi, nipi i ish-diktatorit refuzon të japë dëshminë

Procesi gjyqësor në ngarkim të të pandehurve të dosjes “Xibraka” është shtyrë dje për shkak të mungesës së avokatëve. Ermal Hoxha, ish-nipi i diktatorit, ka refuzuar të japë dëshminë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe i ka dërguar një shkresë. Në seancën e djeshme gjyqësore do të pyeteshin dy kolumbianët që u gjetën në laboratorin e drogës. Kjo është seanca e dytë e këtij procesi, por që shtyhet. Më 11 prill 2017, kur nisi procesi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, u vendos që të pyeten si bashkë të pandehur, Ermal Hoxha dhe dy kolumbianët. Nga operacioni Xibraka u vunë në pranga 9 persona lidhur me laboratorin e drogës që kishin ngritur në fshatin Xibrakë të Elbasanit.
Sipas akuzës, të 10 të dyshuarit mes tyre edhe dy shtetas kolumbianë, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin ndërtuar një laborator të drogave të forta në Xibrakë të Elbasanit. Aty përpunohej solucioni i sjellë nga Kolumbia nga ku nxirrej ekstrakti i kokainës që më pas trafikohej drejt vendeve të BE-së. Për hetimin dhe arrestimin e tyre, Prokuroria për Krime të Rënda është iniciuar nga autoritetet e drejtësisë gjermane, që kishin transkiptuar disa biseda telefonike, ku flitej për një linjë të fuqishme të trafikut të drogave të forta.
Laboratori gjigant i përpunimit dhe prodhimit të kokainës në fshatin Xibrakë të Elbasanit, u zbulua më 14 janar të vitit 2015, falë hetimeve të kryera prej disa muajsh nga Interpol dhe Europol. Gjatë operacionit të drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, u sekuestruan 100 kg kokainë e pastër si dhe 4 tonë përzierës kokaine si dhe përfunduan në pranga 13 persona, 11 shqiptarë dhe dy kolumbianë që ndodheshin në laborator në momentin e aksionit.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Hoxha, Saimir Batku, banues në Tiranë, Gentian Gjonaj, banues në Elbasan, Arjan Dalipi, banues në Elbasan, Ilir Hyseni, Klement Dalipi, banues në Elbasan dhe shtetasit kolumbianë Cesar Avila dhe Walser Moreno. Operacioni antidrogë u inicua nga shërbimet e posaçme të huaja si Interpol dhe Europol, pasi një shqiptar i arrestuar disa muaj më parë në Gjermani, pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë e këtij shteti. Ai ka treguar të dhëna për personat e përfshirë në prodhimin e lëndëve narkotike, të cilët më pas janë vënë në përgjim dhe janë kapur në flagrancë, ndërsa përpunonin drogën. Gjatë hetimeve u zbulua se kjo bandë kishte transportuar një sasi të konsiderueshme kokaine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Artikulli paraprakKapet në Rinas me kartë identiteti false
Artikulli tjetërHahn paralajmëron Ramën: Do ta paguajë shtrenjtë deklaratën