Ky grusht shteti në Triadë

Frrok ÇUPI

Kush nuk shikon, nuk shikon! Madje nuk është aq i qartë për t’u parë. Ky që po ndodh tani është një grusht shteti i atij tipi që nuk shihet me “sy të lirë”, sipas fjalorit ushtarak. Presidenti i Republikës dëshmoi publikisht elementët e një “Grushti”, por nuk e emërtoi kështu. Ndoshta pse ka nevojë për më shumë qartësime.
Ka dy arsye pse “Grushti” nuk shihet qartë e me sy të lirë: E para, pse “grushti” ndodhi në kohën më të shkurtër të mundshme, veç 40 orë u deshën për t’u kryer (nga ora 10:00 e datës 11 maj deri në ora 10:00 të datës 13 maj). E dyta, se ky “coup d’etat”, është i atij tipi që quhet grusht shteti “me veto”, jo grusht shteti me rrethim ose me armë të dukshme.  Qeveria ka vënë veton mbi shtetin; dhe kjo është tërë arkitektura e këtij grushti shteti. Kaq e thjeshtë…
Ka edhe një arsye më shumë pse “grushti” nuk u ndje vertikalsiht, siç ndodh me tërmetet. Tërmetet vertikale vijnë, bëjnë kërdinë e ikin sa hap e mbyll sytë. Thjesht ka ndodhur që pllakat tektonike të tokës kanë lëvizur vertikalisht.
Ja edhe ky grusht, që akoma nuk është kapur me “sy të lirë”, kështu erdhi e iku. Qeveria goditi shtetin njëherësh në tri pika.

E para,
Qeveria rrethoi Gjykatën.
Në fakt, më datën 11 maj, qeveria rrethoi Gjykatën Administrative të Apelit. Dikush mund të thotë se, “ja ndodhi me një gjykatë, veç me një një, e rrethuan dhe kaq”. Ky është momenti kur shfaqet fenomeni që “grushti” nuk shihet me sy të lirë. Rrethimi i Gjykatës nga qeveria është fenomen Grushti, pavarësisht sa është numri i gjykatave. Nuk mund të jenë disa gjykata në rrethim, madje as është e nevojshme për të kuptuar se shteti është nën Grusht.
Me aktin e rrethimit shtetëror të Gjykatës Administrative të Apelit, u kryen tri goditje mbi shtetin juridik. E para, që qeveria përdori fuqinë e makinës shtetërore për të tmerruar gjykatën dhe gjykatësit dhe për të dëshmuar se gjykata është nën sundimin e qeverisë. Në këtë rast, grushti mbi shtetin u shfaq i drejtpërdrejtë; qeveria theu një nga nenet e Kushtetutës së Shtetit që mbron pavarësinë e Gjykatës nga qeveria…

E dyta,
se kjo është Gjykata Administrative. Grupimi politik i Rilindjes, që qeveris; gjatë gjithë jetës ka qenë kundër krijimit të kësaj Gjykate. Kur u pranua në Kuvendin e dominuar nga të djathtët, edhe kjo u arrit me zor të madh, me ndërhyrjen e vetë Shteteve të Bashkuara. Por sot akoma më keq, këta janë kundër Administratives. Sepse kjo është Gjykata e të drejtave të biznesit. Biznesin këta e kanë kapur në fyt dhe po e mbysin. Kjo është pjesa e dukshme e grushtit. Këta, biznesin po e marrin për vete, po e mbysin dhe ky është mbytje e shtetit, dmth., Grushti.

E treta,
sepse në rrethimin e Gjykatës morën pjesë ushtarë misteriozë. Lloji i parë i ushtarëve ishin punëtorët që paguhen nga taksat publike dhe që mund të përdoren si kamikazë kundër lirisë së kujtdo. Të dytët ishin deputetë të inkriminuar, të pasuruar dhe me biznese kriminale. Kjo miksturë  mes llojeve, është bombë kundër shtetit dhe të të Drejtës.

Pika e dytë e Triadës së Grushtit:
Instalimi i mjeteve të përgjimit nga Policia është goditja më e rëndë që i bëhet shtetit. Presidenti i Republikës vuri alarmin. Ata që akoma flenë pas alarmit, duhet të dinë se ndodhen pranë një tsunami: O shteti po bie, o shteti po i shtyp njerëzit e vet! Në të dyja rastet po rrënohet njeriu. Edhe sikur shteti të bjerë, përsëri mbi njerëzit që flenë bie dhe këta rrënon.
Ja kaq e rëndë është “këmba” e dytë e Triadës së Grushit. Policia, duke përgjuar në mënyrë të fshehtë, pa ligj e pa të drejtë, e ka dhunuar shtetin. Organet e autorizuara për përgjim, të kontrolluara nga ligji dhe delegatët e popullit, hidhen në lumë, dmth., spostohen e nëpërkëmben. Këto që ka zgjedhur populli dhe i ka miratuar në ligj, nuk ekzistojnë më. Mbi shtetin vihet veto e dy a tre personave që përgjojnë e dhunojnë. Dhunojnë të drejtën e individit, pozitën e kundërshtarit në demokraci, sistemin pluralist, diplomacinë e aleatëve.
Shteti ka dalë prej boshtit. Siguria ka rënë. Edhe e drejta shuhet. Ky është Grushti, ose “coup d’edat”.

E treta e Triadës:
Lejimi për arratisje i njeriut të kërkuar botërisht për krimin mbi njeriun. Ky është quajtur “Escobari shqiptar”, sipas emrit të Paolo Emilio Escobar, lordi kolumbian i drogës, ose i quajtur “Mbret i kokainës”, më i pasuri mes gjithë kriminelëve të botës, me 30 miliardë dollarë pasuri në vitin 1990.
“Escobari shqiptar” nuk u perceptua nga qeveria shqiptare, por nga qeveritë botërore. Qeveria shqiptare, përkundrazi, e kishte angazhuar brenda makinës shtetërore të vendit, si funksionar i lartë shteti. Ky është grushti i parë mbi shtetin. Në Kolumbi, mafia nuk është legalisht pjesë e shtetit.
Qeveria këtu akuzohet se është bërë pjesë e mafies së kokainës. Këtu mbillet drogë dhe dërgohet drogë në Europë me avionë, me anije, me makinë, me kafshë dhe më këmbë… Kryeministri dhe ministri i Brendshëm janë akuzuar direkt…
Këta i dhanë hapësira zotit “Escobar”.
Kur u perceptua trafikanti shqiptar, u la i lirë, aq kohë i lirë sa të mund të arratisej nga vendi. Shteti ra para mafies. Pra, ra me dashjen e qeverisë, si në një grusht shteti.
Me këtë rast, shteti ra edhe në sy të të gjithë botës.

Artikulli paraprakPse e shkeli Rama Sigurinë Kombëtare?
Artikulli tjetërTahiri para drejtësisë, i pastroi kartelën baronit të drogës