Tahiri para drejtësisë, i pastroi kartelën baronit të drogës

Klement Balili, i kërkuar për trafik ndërkombëtar droge nga gjysma e Europës dhe nga DEA amerikane, i emëruar drejtor i Transportit Rajonal të Sarandës nga Edi Rama, jo vetëm kishte mbështetjen e nevojshme politike e qeveritare për biznesin e tij kriminal, por shërbimet dhe favoret e Saimir Tahirit ndaj tij kanë arritur kulmin me pastrimin e të kaluarës së tij kriminale.
Kreu i Departamentit për Sigurinë dhe Rendin në PD, Enkelejd Alibeaj deklaroi dje se Saimir Tahiri ka pastruar kartelën e Klement Balilit duke fshirë gjithë precedentët penalë të tij.
“Është zbuluar se janë hequr në kartelën e Balilit krimet e precedentët e mëparshëm. I shpalluri në kërkim ndërkombëtar, i konsideruar nga ‘CNN’ si Eskobari i Ballkanit, rezulton me një të shkuar të pastër, edhe pse në vitin 2006 u kap me 750 kilogramë drogë, edhe pse Bashkia Sarandë e ka kallëzuar për ndërtim pa leje, edhe pse ka pasur probleme të tjera dhe konflikte për të cilat është denoncuar.
Saimir Tahiri ka futur duart në kartelën e Balilit, duke ia fshirë të gjithë precedentët. Është kjo arsyeja pse policitë e vendeve fqinje dhe DEA amerikane nuk kishin besim tek autoritetet shqiptare dhe i përjashtuan nga aksioni ndërkombëtar, pasi e dinin se Balili kishte lidhje të forta me qeverinë. Saimir Tahiri ka dalë kështu zbuluar në lidhje të gjithanshme me krimin me trafikun e drogës. Duke ofruar jo vetëm imunitet, paprekshmëri, vënie në dispozicion të pikave kyçe të Policisë të Kufirit e duke ndihmuar në arratisjen e Balilit, por duke e nxjerrë Eskobarin e Ballkanit edhe të pastër, pa asnjë krim të mëparshëm”, u shpreh Alibeaj.
Ai theksoi se ky inkriminim i ministrit të Brendshëm është një rekord i zi në shkallë botërore dhe Tahiri është sot në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve i provuar me lidhje të thella e të çdo lloji me krimin e trafikun e drogës. Nuk mjafton më largimi i tij një orë e më parë nga detyra. Ai duhet të hetohet e të shkojë para drejtësisë për të gjitha rastet e shërbimit që ka kryer ndaj bandave, ndaj Balilit, Habilajve, Shullazit.

Arben Shahini

Artikulli paraprakKy grusht shteti në Triadë
Artikulli tjetërPërgjimet kryheshin në Drejtorinë e Policisë