Pse e shkeli Rama Sigurinë Kombëtare?

Skandali i përgjimeve të paligjshme të Policisë së Shtetit për krerët më të lartë të shtetit, kundërshtarë të Edi Ramës, ka identifikuar publikisht ministrin e Brendshëm, Saimit Tahiri, si përgjegjësin kryesor. Qëkurse plasi skandali, në tre ditë, ministri i Brendshëm ka thënë tri gjëra të ndryshme, për të krijuar alibi në varësi të informacioneve që publikoheshin nga ish-Kryeministri Sali Berisha, Partia Demokratike apo media. Ditën e parë, kur ish-Kryeministri Berisha informoi shqiptarët se Edi Rama dhe banda e tij në Ministrinë e Brendshme po përgjojnë Presidentin, kryetarin e Parlamentit, kryetarin e PD-së dhe eksponentë të lartë të opozitës, drejtues të lartë të institucioneve shtetërore, ambasadorë dhe gazetarë e pronarë mediash, Tahiri tha se nuk ka pajisje. Ditën e dytë Tahiri pranoi se ka një pajisje, por pajisja nuk bën përgjime. Ditën e tretë, Tahiri tha se ka pajisje, janë bërë përgjime, por për këtë ka një marrëveshje të firmosur 9 vjet më parë nga ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe, sot Presidenti i Republikës.
Nëse presim ditën e katërt dhe ditët e tjera, vegla e krimit të organizuar në Shqipëri do të na thotë rrenën e katërt dhe të pestë, por asnjëherë të vërtetën. Afërmendsh nuk mund të bëjë ndryshe. Së pari, Tahiri po mbron veten, pasi janë një sërë ligjesh të shkelura përmes përgjimeve të paligjshme, që i garantojnë atij burgun e sigurtë. Së dyti, mbron shefin e tij, Kryeministrin Edi Rama, që ka porositur dhe urdhëruar bandën e tij në Ministrinë e Brendshme që të ndërmarrë këtë operacion kriminal, me shumë pasoja për sigurinë kombëtare të vendit. Së treti, Tahiri duhet të mbrojë mafiozët shqiptarë dhe të huaj me uniformë dhe pa uniformë policie, që me vetëdije janë bërë pjesë e këtij skandali.
Mashtrimet publike të Tahirit janë të mjaftueshme për të bërë arrestimin e tij, pasi çdo orë në detyrë është një mundësi më shumë që i jepet atij për të fshehur të vërtetën, për të bërë presion mbi ata që po merren me hetimin, për të nxjerrë të palarë shefin e tij Kryerministër, por edhe shërbëtorët e tij në polici. Pavarësisht, se mënyra si po mbrohet është tërësisht e mjerë, idiote dhe vetëm sa rëndon veten dhe të tjerët të përfshirë në këtë skandal, në ditën e gjykimit.
Pretendimi më i fundit i ministrit të Brendshëm se pajisja është përdorur për të përgjuar Presidentin dhe të gjithë titullarët e tjerë të lartë të shtetit për arsye trajnimi, është njësoj si të thuash se trajnimi i policëve në përdorimin e armëve të bëhet duke qëlluar qytetarët në rrugë. Këto gjëra mund të kenë sens vetëm në një vend të kontrolluar nga krimi i organizuar dhe kam dyshime nëse do të gjenin zbatim edhe në Korenë e Veriut.
Ministri i Brendshëm duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme dhe t’i dorëzohet drejtësisë. Skandali i përgjimeve ka shumë anë të errëta, që duhet të hetohen dhe të përcaktojnë përgjegjësitë e secilit që është i përfshirë. Duhet parë me detaje se kush ka porositur dhe paguar për aparaturën e përgjimit; kush e ka futur në Shqipëri duke thyer të gjitha ligjet; kush ka ofruar ambientet dhe lehtësitë për instalimin e pajisjes në Akademinë e Rendit (sikurse ka pohuar Tahiri); kush ka urdhëruar, rekrutuar dhe drejtuar skuadrën e përgjuesve; kush ka krijuar listën e subjekteve të përgjuar; kush është përgjuar; kush dhe për çfarë janë përdorur informacionet e nxjerra nga përgjimi; kush ka patur akses në ambientet ku ishte vendosur aparati i përgjimit. Janë këto dhe dhjetëra pyetje të tjera që kërkojnë përgjigje.
Por, më e rëndësishmja për shqiptarët është përgjigjja se për çfarë u fut Rama në këtë betejë ekstreme me ligjin dhe institucionet kushtetuese të vendit të tij. A është Kryeministri Rama i kapur dhe kush e kërcënon atë që të ndërmarrë veprime kaq thellësisht antiligjore dhe antikushtetuese? A është duke punuar për pushtetin e tij personal apo për interesa okulte dhe antishqiptare? Përfundimisht, institucionet përgjegjëse për sigurinë kombëtare me urgjencë duhet të marrin në shqyrtim këtë rast dhe të sigurojnë se sovraniteti, integriteti territorial, rendi publik dhe kushtetues janë të mbrojtur. Largimi i kësaj qeverie, një qeveri teknike për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme do të ishte rrugëdalja e vetme nga kjo krizë e rëndë.
Një gjë është e sigurtë, gjithçka që mbart ky skandal përgjimesh nuk ka qenë në funksion të rolit të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, nuk ka qenë në funksion të plotësimit të detyrimeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE, nuk ka qenë pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në koalicionet apo organizmat ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Hetimi do të na tregojë se sa janë dëmtuar shqiptarët dhe sa është dëmtuar Shqipëria në ambiciet e veta.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërKy grusht shteti në Triadë