Kush është China Everbright që po blen Aeroportin e Rinasit?

China Everbright është kompania që po negocion për të blerë Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Emri i kompanisë është konfirmuar për Monitor nga drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA, Z. Rolf Castro-Vasquez. Ai pohon se është kompania mëmë e TIA që po zhvillon negociatat dhe në shitje është vetëm biznesi në Shqipëri. Ishte një moment i mirë për të shitur dhe kishte kërkesa, ndaj kompania mëmë vendosi të hyjë në negociata për shitje. Pak ditë më parë u bë publik lajmi se një sipërmarrje kineze është e interesuar për të blerë TIA-n.
China Everbright Limited është një kompani e shërbimeve financiare në menaxhimin e aseteve, investimeve direkte, ndërmjetësimit dhe bankingut investues në rajonin e Kinës, përfshirë dhe Hong Kongun. Kompania e saj mëmë është China Everbright Group, me pronësi shtetërore. Aktualisht pronarët e Tirana International Airport janë: DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH-31.7%; Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%; AviAlliance GmbH-47%. Konsorciumi Tirana International Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20-vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombetar “Nënë Tereza”, Tiranë.
Pak javë më parë, qeveria shqiptare arriti marrëveshje me Tirana International Airport për heqjen e eksluzivitetit të kësaj të fundit. Sipas marrëveshjes së përbashkët, kompanisë Tirana International Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e Afatit të Koncensionit prej dy vitesh, duke mundësuar kështu hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare. Kjo do të thotë se, Afati i Koncensionit do të shtyhet deri më datë 2027. Më tej, në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, si Vlora ose Saranda. Afati i Koncensionit do të shtyhet me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore, siç thuhet në Ndryshimin e Marrëveshjes së Koncesionit.
Tirana International Airport (TIA), kompania që ka një kontratë koncesionare për menaxhimin e aeroportit të Rinasit është në negociata për tu shitur, sipas burimeve nga institucionet shtetërore vendase. Burime zyrtare nga TIA, të kontaktuar nga Monitor, thanë se nuk kanë koment lidhur me këto negociata, ndërkohë që pohuan se janë shumë afër mbylljes së negociatave me qeverinë shqiptare për rishikimin e kontratës koncesionare.
Monitor ka mesuar se një kompani kineze, emri i të cilës mbetet i pakonfirmuar, është e interesuar për të blerë TIA, dhe negociatat po vijojnë prej disa kohësh.
Aktualisht pronarët e Tirana International Airport janë:
– DEG-Deutsche investitions-und Entëicklungsgesellschaft mbH-31.7%
– Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%
– AviAlliance GmbH-47%
Së fundmi, kompanitë kineze po shfaqin interes për tregun shqiptar. Jeo Jade, një nga grupet më të mëdha të pavarura të energjisë kineze, njoftoi se ka hyrë në një marrëveshje për të blerë kompaninë e prodhimit të naftës Bankers petroleum, për një shumë prej 407 milionë dollar.

Rishikimi i kontratës

Qeveria shqiptare në vitin 2004 formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana International Airport”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese. Sipas së cilës, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licensohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më tej thuhet se, do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash. Prej disa vitesh, qeveria ëhstë ne negociata me koncesionarin për ndryshimin e kontratës dhe disa herë ka deklaruar zyrtarisht se negociatat janë mbyllur. Ky eskluzivitet ka penguar hyrjen e kompanive me kosto të ulët në Shqipëri dhe ka bërë që vendi të ketë tarifat më të shtrenjta të biletave në rajon, duke bërë që shumë shqiptarë të zgjedhin aeroportet e Prishtinës, Podgoricës apo Shkupit drejt destinacioneve europiane.

Artikulli paraprakBerisha në listën e largimeve
Artikulli tjetërTritoli tek farmacia u vendos nga vetë Tahiri?