Berisha në listën e largimeve

Pakënaqësitë e krijuara për hapësirat e pakta, kanë bërë që Etrit Berisha të mendojë seriozisht largimin nga Lazio në fund të sezonit. Tani vijnë edhe konfirmime rreth faktit që portieri i Kombëtares shqiptare pritet ta vazhdojë karrierën në një tjetër klub. Sipas mediave italiane, presidenti i klubit roman, Claudio Lotito ka përgatitur një listë me shitjet e mundshme, që do të realizohen gjatë merkatos së verës.

Aty figuron edhe emri i Etrit Berishës, së bashku me lojtarë si Gentiletti, Onazi, Parolo e për të vazhduar edhe me Antonio Candreva-n, që është edhe lojtari më i shtrenjtë në radhët e Lazios, e për të cilin klubi pretendon të paktën 35 milionë euro. Sipas përllogaritjeve, nga shitja e futbollistëve, klubi bardhekaltër pretendon të përfitojë rreth 80 milionë euro nga shitjet, të ardhura që më pas do të investohen në merkato, për të krijuar një skuadër konkurruese.

Etrit Berisha, kontrata e të cilit përfundon në vitin 2017, ndodhet në listën e shitjeve, me vlerën e kartonit në merkato që përllogaritet në 4 milionë euro. Kuqeziu pritet të shitet, pavarësisht faktit se, “gardiani” është paraqitur në mënyrë të shkëlqyer në pjesën më të madhe të ndeshjeve ku është aktivizuar, me performanca, që në shumë raste janë vlerësuar më të mira se ato të Marçhetti-t.

E megjithatë, portieri italian vazhdon të shihet me prioritet te Lazio, me klubin që këmbëngul t’ia besojë atij portën edhe për sezonin e ardhshëm. Etrit Berisha ka luajtur në 11 ndeshje të Serisë A gjatë këtij sezoni, të cilave u shtohen edhe 2 në Kupën e Italisë dhe 5 ndeshje në Europa League. Interesi për gardianin shqiptar nuk ka munguar, me 26-vjeçarin që ka qenë në radarin e disa skuadrave në Itali, por edhe të turqve të Besiktas, grekëve të Panathinaikos dhe belgëve të Bruges.

Artikulli paraprakEuro 2016, Cana dhe Lenjani vlerësojnë Rumaninë
Artikulli tjetërKush është China Everbright që po blen Aeroportin e Rinasit?