Kur Evropa të jetë pa Angela Merkelin

Desmond Lachman

Kushdo që dyshon se ylli politik i Angela Merkel është në rënie, mjafton të shohë rezultatet e zgjedhjeve lokale të fundjavës së kaluar në Berlin. Kushdo që dyshon se pozita dominuese politike e Merkelit do të na mungojë shumë në vitin e ardhshëm, mjafton vetëm të marrë parasysh faktin që Evropa do të ketë nevojë për një lidership shumë të fortë, për të shmangur një Brexit të vështirë, orkestruar një ristrukturim të borxhit grek dhe të shpëtojë ekonominë italiane, nëse do të ketë nevojë.
Një vit përpara zgjedhjeve parlamentare të radhës në nivel federal, Unioni Kristian Demokrat i Merkelit pati rezultatin më të dobët që ka arritur ndonjëherë në Berlin, në zgjedhjet lokale. CDU mori vetëm 17.5% të votave. Nuk ishte shumë më lart se 14%-ëshi që mori Alternativa për Gjermaninë, e cila është një parti antiimigrantëve. Ndërkohë që është ende herët për të thënë që ky rezultat do e detyrojë Merkelin të mos kërkojë një mandat të katërt si Kancelare vitin tjetër, nuk është shumë herët për të thënë se pozicioni i saj dominues në politikën europiane do të sfidohet seriozisht.
Të vjen keq që pozicioni politik i Merkelit është duke u zvogëluar, në një kohë kaq delikate për projektin evropian. Kjo është veçanërisht e vërtetë, po të kesh parasysh se që nga fillimi i krizës së borxhit sovran në vitin 2010, ajo ka qenë forca kryesore për mbajtjen në këmbë të projektit evropian. Ajo e ka bërë këtë edhe duke ndërtuar konsensus për paketat e shpëtimit në korridoret e Brukselit, por edhe duke trumbetuar mbështetjen për ato paketa, nga një Bundestag gjithmonë ngurrues.
Nuk do të ishte ekzagjerim, po të thonim se e ardhmja e projektit evropian nuk ka qenë asnjëherë më në dyshim, se sa është sot. Jo vetëm sepse britanikët votuan në favor të Brexit. Edhe grekët vazhdojnë të vuajnë nën një barrë të tepërt borxhi publik dhe italianët janë në prag të një krize bankare dhe borxhi publik, teksa presin një referendum këtë vit, i cili mund të shoqërohet me një periudhë të zgjatur paqëndrueshmërie në politikën italiane.
Në vitin që do të vijë, nëse duan të mos dëmtojnë projektin europian, do të jetë e rëndësishme që Europa të mos i vendosë kushte të rënda Mbretërisë së Bashkuar për largimin nga BE, kushte që do të rëndonin mbi perspektivën ekonomike si të Mbretërisë së Bashkuar, ashtu edhe të Europës. Po kështu, është e rëndësishme që borxhi publik grek të ristrukturohet me kushte bujare dhe që ekonomia italiane të marrë ndihmën financiare që mund t’i nevojitet, me qëllim që të mos shohim një intensifikim të krizës së borxhit sovran në Europë.
Përballimi i gjithë këtyre sfidave do të kërkonte atë lloj lidershipi, që Angela Merkeli e ka ofruar me sukses në të kaluarën. Për këtë arsye, duhet shpresuar që problemet e Kancelares janë vetëm një fazë kalimtare.

Evropa pa Merkelin
Ka filluar të përhapet ankthi se Bashkimi Europian mund të mos qëndrojë i bashkuar pa Angela Merkelin, situatë e shtyrë nga zhvillimet politike në Gjermani, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme vitin e ardhshëm. Këto zhvillime ka gjasa që të dëmtojnë më tej Kancelaren Angela Merkel, e cila ka qenë deri më sot, figura më dominuese europiane, e cila e ka udhëhequr kontinentin mespërmes krizës ekonomike.
“Ka shumë arsye për t’u shqetësuar mbi të ardhmen politike të Angela Merkelit”, thuhet në një artikull të “American Enterprise Institute”. Vitin e fundit, për shkak të politikave të saj mbi migrantët, Merkeli dikur shumë popullore dhe e pamposhtur politikisht, ka parë një rënie me 50% të popullaritetit. Kjo gjë ka bërë që të shtohen pikëpyetjet, nëse ajo do të kërkojë një mandat të katërt vitin e ardhshëm.
Është jo pak ogurzi fakti që, përfituesit më të mëdhenj të kësaj rënieje të Merkelit kanë qenë populistët e Alternativës për Gjermaninë, të cilët duan të shohin fundin e euros. Një parti që në nivel kombëtar ka rreth 12 për qind, ndërsa në disa qytete, arrin edhe 20 për qind të votave. Por a ka arsye për shqetësim, nga pikëvështrimi i europianëve, në rast të një largimi të mundshëm të Kancelares së hekurt? Ka të paktën dy.
E para, Merkeli ka qenë forca dominuese në mbajtjen të bashkuar të një eurozone gjithnjë e më të përçarë. Ajo ka qenë një forcë nxitëse për mbështetjen e Gjermanisë përmes programeve të shpëtimit, për ekonomitë në telashe. Shembulli që përmendet më shpesh është kundërvënia që ajo i bëri ministrit të saj të Financave, Schauble, në vitin 2015, kur ky i fundit ishte kundër një tjetër pakete shpëtimi për Greqinë, e madje u shpreh se grekët duheshin nxitur të dilnin nga euro.
Arsyeja e dytë e shqetësimit nga perspektiva e europianëve është se viti i ardhshëm do të vërë seriozisht në provë eurozonën. Jo vetëm për shkak të telasheve politike dhe ekonomike, që mund të shfaqen në ndonjë prej shteteve të periferisë europiane. Mbi të gjitha, për shkak se është e vështirë të parashikosh që Italia, ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës, do të arrijë të shmangë një krizë të madhe ekonomike e politike. Ka një kombinim shpërthyes në Itali, mes një ekonomie që hiqet zvarrë, një sistemi bankar të zhytur në telashe, një mali me borxhe dhe një lëvizje populiste antieuropiane.
Dhe nëse do të kërkohet paketë shpëtimi për Italinë, do të duhet të jetë një shumëfish i paketave që FMN-BE dhanë për Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë. Në këtë sfond, mbetet për të shpresuar që fati i Merkelit do të pësojë një kthesë për mirë. Pa të në krye të Gjermanisë dhe BE-së, rreziku që eurozona të shpërbëhet nuk është aspak fantazi.

Artikulli paraprakMosbesimi botëror në politikë
Artikulli tjetërPse Donald Trump e ka seriozisht tani