Kukësi me paraqitje pozitive

Paraqitja e Kukësit në transfertën e Tiraspolit mund të konsiderohet pozitive, një sinjal që në sfidën e kthimit kampionët e vendit mund të synojnë kualifikimin në debutimin historik në Champions League. Ndaj Sherifit verilindorët treguan se janë një skuadër kompakte, sidomos në pjesën e parë. Shumë pak ndryshime në formacion nga titullarët e edicionit të shkuar, dhe loja për Kukësin duket krejt ndryshe. Në pjesën e parë me topin në tokë dhe kombinimet e shumta, kampionët tanë krijuan përshtypjen se nuk po luhej në Moldavi, aq sa detyruan tifozët vendas të vërshëllejnë skuadrën e tyre. Musolli, Lena dhe Zeqiri në mesfushë ishin në një formë të jashtëzakonshme, me topin që qarkullonte lirshëm në mesfushë, teksa Cale dhe Guri në krahë ishin të papërmbajtshëm. Ndoshta ai që stonoi në krahasim me ekipin ishte goleadori Pero Pejic, që pati dy mundësi të mira në fraksionin e parë të lojës, por u gjend i papërgatitur.
Edhe pse heroi i mbrëmjes ishte Enea Kolici, nuk duhet lënë pa përmendur dyshja e qendrës së mbrojtjes, Ylli Shameti dhe Albert Serran. Pavarësisht se spanjolli ishte ai që shkaktoi penalltinë, paraqitja e tij në qendër ishte e jashtëzakonshme, duke mbyllur hapësirat për sulmuesit e shpejtë të Sherifit. Në pjesën e dytë, ra në sy lodhja tek kampionët tanë, ndërkohë që Sherifi duke qenë se ka filluar kampionatin shfrytëzoi freskinë fizike për të dominuar. Në 45 minutat e dyta u luajt me topa të gjatë drejt Pejic dhe Gurit, teksa sinjale të mira dha izraeliti Siraj Naser në minutat e aktivizimit. Madje, nëse fati do të ishte me Kukësin në minutën e 84 kur Naser goditi shtyllën, atëhere do të flitej për një rezultat historik të kampionëve tanë. Megjithatë trajneri Gjoka ka në dispozicion një javë kohë për të ndërtuar strategjinë e përmbysjes, një mundësi për t’i dhënë Kukësit të paktën biletën deri në fazën Play-of të Europa League.

Artikulli paraprakMbi 100 milionë euro mungesë në buxhetin e Kosovës
Artikulli tjetërKryeziu afër transferimit në Serinë A