“Krisje” te Barcelona

Ambienti te Barcelona nuk është aspak i qetë, pavarësisht besimit që ekziston se mund të eliminojnë Juventusin në çerekfinalet e Champions League. Sipas mediave iberike, trajneri Luis Enrique ka bërë përgjegjës për disfatën në Torino disa prej futbollistëvë kryesorë të kampionëve të Spanjës, e më konkretisht Neymar, Pique dhe Mascherano, duke i akuzuar për mungesë të ambicieve në fushën e lojës.
Gjithnjë sipas asaj që publikohet në median iberike, kjo ka qenë hera e parë që Luis Enrique ka shfryrë inatin e tij në drejtim të futbollistëve, që nga momenti kur ai mori detyrën e trajnerit të Barcelonës.
Mësohet se 47-vjeçari e kritikoi Pique se nuk ishte në gjendje që të drejtonte mbrojtjen me 3 futbollistë, ndërsa Mascherano u akuzua për gabimet e shumta. Po kaq i ashpër, Enrique u tregua edhe me Neymarin për pozicionin që ai mori në fushën e lojës. Tani mbetet për t’u parë sesi do të jetë reagimi i futbollistëve katalanas në ndeshjen e kthimit, e nëse ata do të mund të realizojnë një tjetër përmbysje të madhe në këtë sezon.
Dy finale potenciale u zhvilluan tashmë, por sinjale të qarta në Champions League erdhën edhe nga “Signal Iduna Park”, me surprizën e bukur Monaco në turneun elitar të futbollit të klubeve. Shpeshherë në çerekfinale ndërtohet rruga që të çon te titulli, e në këtë aspekt, Real Madrid dhe Juventus i përforcuan kuotat e tyre për edicionin e këtij viti. Formacioni “merengues” është i pari në baste dhe kuota për të fituar Champions League.
Kandidati kryesor për ta fituar titullin është Real Madrid, me kuotat që variojnë ndërmjet 2.80 dhe 3.00. Kjo është ulur ndjeshëm pas suksesit 2-1, që skuadra e Zinedine Zidane regjistroi ndaj bavarezëve në “Allianz Arena”.
Disfata në “Juventus Stadium” e nxjerr jashtë podiumit të favoritëve Barcelonën, duke vendosur të dytën skuadrën torineze. Juventus kuotohet me 4.04 dhe me gjasa të mëdha që të fitojë Championsin.
Atletico Madrid pozicionohet i treti në këtë listë parashikimesh, por jo pak vlerësime po merr edhe Monaco. Të gjithë prisnin që Paris SG të ecte kaq shumë, por surpriza po vjen nga ekipi i Principatës dhe talenti Mbappé.

Artikulli paraprakInter-Milan, “San Siro” i tejmbushur
Artikulli tjetërMontela e Pioli: Në derbi për të fituar