Montela e Pioli: Në derbi për të fituar

Derbi i Milanos troket në një moment të veçantë në kryeqendrën e Piemontes. Interi në vështirësi për shkak të asaj humbje të papritur ndaj Crotones do të kërkojë të fshijë zhgënjimin e tifozëve, ndërsa Milani nis një rrugë të re mes shumë të panjohurave pa harruar edhe betejën me zikaltërit për një vend në Europa League. Humori në “Milanello” është dukshëm më i lartë, sepse pronarët e rinj kinezë premtojnë ndërtimin e një skuadre të denjë për emrin që ka.
“Jam shumë i emocionuar, sepse është mbyllur një cikël historik. Falënderoj Gallianin dhe Berlusconin që më dhanë mundësinë të drejtoj Milanin dhe besoj se edhe unë tashmë jam një pjesë e vogël e historisë së këtij klubi. Gjatë muajve të fundit kam punuar që të ndaj çështjet e fushës nga ato të klubit dhe besoj se të gjithë bashkë ia kemi dalë mbanë me sukses. Tani më pëlqen të fokusohem te derbi. Do të kemi përballë një skuadër me lojtarë të kalibrit botëror dhe ndeshja do të luhet shumë edhe në nivelin emocional. Nuk duhet të zbresim në fushë me frikë dhe duhet të synojmë fitoren. Do të jetë një ndeshje e ngjashme me atë të fazës së parë, por më e lartë në nivel”, u shpreh Montela.
Ndërkohë në “Appiano Gentile” po llogarisin dëmet pas tërmetit kalabrez dhe Stafano Pioli e di shumë mirë se një tjetër hap fals mund të komplikojë gjithashtu edhe pozitën e tij në stolin zikaltër.
“Ishte një humbje e papritur, por tashmë është pjesë e së shkuarës. Mund ta caktojmë vetë të ardhmen tonë, duke treguar se jemi një skuadër konkurruese. Gjatë kësaj jave kam krijuar përshtypjen se zhgënjimin e kemi kthyer në forcë dhe në bindje se në derbi mund t’ia dalim. Duhet të gjejmë vazhdimësinë, sepse hapat falsë nuk na ndihmojnë në rrugën e rritjes. Objektivat? Duhet të luajmë edhe 7 ndeshje dhe vlerësimin do ta bëjmë në fund të sezonit”, deklaroi Pioli.

Artikulli paraprak“Krisje” te Barcelona
Artikulli tjetërTurqia e ndarë në prag të referendumit