Inter-Milan, “San Siro” i tejmbushur

Inter-Milan shënon një tjetër rekord. Derbi i Madoninës pritet të gjejë një stadium të mbushur plot e përplot dhe entuziazmi nga ana e tifozerive të të dyja skuadrave është i madh. Përtej këtij fakti, një tjetër element jo pak i rëndësishëm është edhe shuma që do të arkëtohet nga shitja e biletave. 4 milionë euro është shifra e përfituar, një rekord absolut ky në Seria A. Kjo shumë kalon ndjeshëm atë të shtatorit të vitit të kaluar, në një tjetër derbi, Inter-Juventus, ku nga shitja e biletave u regjistruan 3.943.000 euro.
Derbi i “Madoninës” do të luhet në orën 12:30 dhe në Itali kjo është e para herë që një ndeshje e një niveli të tillë për nga rëndësia do të luhet në këtë orar. Përballja ka shkaktuar interes të madh nga ana e tifozëve kinezë, të cilët janë përfshirë edhe më shumë në futbollin italian që pas marrjes në zotërim të këtyre dy klubeve nga dy bashkëkombas të tyre, siç janë Suning te Interi dhe së fundmi Li Yonghong tek Milani. Në total Inter-Milan do të shikohet nga 862 milionë telespektatorë nga mbarë bota. Gjasat janë që kjo përballje mund të shndërrohet në sfidën më të ndjekur, falë 39 platformave dixhitale që do ta transmetojnë.

Artikulli paraprakBesart Berisha shënon gol me vlerë 3 pikë
Artikulli tjetër“Krisje” te Barcelona