KQZ fshehu krimin e Prengës, nisin hetimet

Armando Prenga gjeti mbështetje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kur tentoi ta fshehë dënimin për falsifikim dokumentesh nga gjykata shqiptare. Sipas Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurori, në dokumentet që solli KQZ për deputetin socialist, nuk ishte e qartë si u përgjigj deputeti pyetjes, nëse kishte një dënim gjykate apo jo.
“Në shkresën KQZ, datë 14.02.2017, sjellë për verifikim të thelluar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, nuk specifikohet që subjekti i është përgjigjur me ‘JO’ pyetjes nëse ka një vendim penal të formës së prerë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë që rreshton disa shkelje të tjera të juristëve të KQZ në lidhje me çështjen e Armando Prengës.
“Informohemi nga KQZ se subjekti nuk ka deklaruar një vendim të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Këtë informacion, KQZ e ka disponuar më 27.05.2016 me anë të një vërtetimi të gjendjes gjyqësore. KQZ duhet të kishte bërë kallëzim penal menjëherë pas këtij konstatimi, pra në maj 2016, pasi subjekti ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Deri më sot, KQZ nuk e ka kryer këtë detyrim ligjor”, thotë Prokuroria. Pra, sipas Prokurorisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë një vesh shurdh e një sy qorr për Armando Prengën dhe jo vetëm. Në disa raste të tjera, KQZ është treguar e gatshme të pranojë një formular tjetër të vetëdeklarimit edhe për një deputet dhe dy kryetarë bashkie.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për një deputet dhe për dy kryetarë bashkie ka pranuar dorëzimin e një formulari të dytë tej afateve ligjore. Afati i dorëzimit të formularëve është brenda dy muajve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit 17/2016. Afati i fundit për të gjithë subjektet, ka qenë data 4.05.2016. Nga dokumentacioni i përcjellë rezulton se për këta tri subjekte KQZ, në kundërshtim me ligjin, ka pranuar një formular të dytë, me të dhëna shtesë, në qershor 2016”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pasi ka gjetur këto shkelje në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërKudo që të shkojë do të japë llogari për çdo të zezë