Kosovë, rikthehen mashtruesit e aviobiletave

Qytetarë nga Kosova, por që kanë regjistruar agjenci kryesisht në Gjermani dhe në Zvicër, edhe sivjet kanë filluar t’i mashtrojnë qytetarët duke iu ofruar aviobileta me çmime tejet të lira. Deri më tash janë më shumë se 50 mijë qytetarë, të cilët kanë rënë viktimë e mashtruesve të aviobiletave. Agjenci të shumta të regjistruara nëpër shtete të ndryshme të botës, mbrapa të cilave qëndrojnë kryesisht persona nga Kosova, edhe sivjet kanë filluar t’i mashtrojnë qytetarët, duke u dërguar nëpër telefonat e tyre përmes “Viber”-it oferta super të lira për pushime verore në Turqi, por edhe në shtete të tjera, por edhe oferta për bileta avioni në vende të ndryshme të Evropës, por edhe më gjerë. “Rezervoni më herët dhe përfitoni çmime më të lira. Hotel me 4 yje, ‘All Inclusive’ prej 299 eurosh për shtatë net, hotel me 5 yje, ‘All Inclusive’ prej 370 euro për 7 net. Për rezervime na kontaktoni përmes numrave të telefonit apo edhe uebfaqes”, thuhet në një mesazh që u është dërguar shumë qytetarëve nga platforma “Viber” nga një numër i telefonit të Rusisë. Përveç kësaj edhe agjenci të tjera përmes “Viber”-it po promovojnë oferta shumë të lira për të udhëtuar me avion për në Gjermani e Zvicër me çmime minimale. Për të qenë sa më bindës individët e njëjtë, por duke ndërruar emrat e agjencive, përdorin edhe “Call Center” ilegalë që operojnë në vendin tonë. Të njëjtit deri sa arrijnë t’i marrin paratë nga qytetarët promovojnë zyrat dhe numrat e telefonit në vendin tonë. Por, në momentin kur e arrijnë qëllimin, zyrat e tyre mbyllen, e numrat e telefonit nuk funksionojnë fare. Bazuar në të dhënat e fundit llogaritet se deri më tash më shumë se 50 mijë qytetarë janë viktimë e këtyre agjencive mashtruese, të cilët kanë paguar mjetet, por nuk kanë arritur të fluturojnë pasi që agjencitë e tilla në momentet e fundit kanë anuluar fluturimet. Gjatë vitit 2015, nën dyshimin se kanë mashtruar qytetarët me aviobileta, Policia e Kosovës kishte arrestuar një pronar të një agjencie që funksiononte në vendin tonë, por përkundër kësaj, mashtrimi ndaj qytetarëve nuk ishte ndalur fare.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërShpenzimet e parealizuara buxhetore janë keq, jo mirë