Kosovë, kalon në Kuvend çështja e Demarkacionit

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të procedojë për në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Projektligjit i janë bashkuar edhe të gjeturat e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, i cili pas një pune disa javëshe ka konstatuar se Marrëveshja aktuale është e gabuar.
Procedimit të Demarkacionit në Kuvend i ka paraprirë një prezantim nga ana e Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror para Qeverisë së Kosovës. Anëtarët e Komisionit kanë konstatuar se, Marrëveshja e arritur me Malin e Zi në gusht të vitit 2015, nuk është në përputhje me vijat ekzistuese kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës.
Por, rreth këtyre të gjeturave, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës tha se, ato vetëm sa e kanë komplikuar situatën dhe nuk kanë prezantuar fakte dhe argumente bindëse që vërtetojnë se Marrëveshja e vitit 2015, me Malin e Zi ka qenë e dëmshme apo e gabuar.
“Unë dëgjova vlerësime shumë të përgjithshme, pa ndonjë provë materiale dhe jo ndonjë fakt konkret. Nuk ishit konkret, nuk pashë ndonjë qartësi të re. Kur kemi marrë vendim në mbledhje të qeverisë kam thënë se, kur tema janë komplekse. Është detyrë e komisioneve dhe politikës që t’i thjeshtojë. Sot e kam përshtypjen që e keni komplikuar edhe më shumë situatën”, tha Hoxhaj.
Ndërkaq, kryesuesi i komisionit, Shpejtim Bulliqi tha se, ish-komisioni shtetëror nuk ka përdorur shumë fakte, të cilat i kanë pasur dhe janë pajtuar vetëm me ato që ka ofruar Mali i Zi.
“Si rezultat i të gjitha këtyre të gjeturave, në punën e ish-Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen Kufirit shtetëror, Komisioni ynë ka konstatuar në mënyrë unanime se vija kufitare në Marrëveshje për kufirin e shtetit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e arritur më 26 gusht 2015, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”, tha Bulliqi.
Anëtare e komisionit gjatë prezantimit të të gjeturave dhe prezantimit të hulumtimeve thanë disa herë se ish-komisioni ka tejkaluar kompetencat, duke i lejuar vetes t’i futet përcaktimit të vijës së re mes Kosovës dhe Malit të Zi, pa një marrëveshje ndërkombëtare paraprake.
Aty u theksua se ish-komisioni ka qenë i thirrur të shënjojë vijën e dikurshme kufitare dhe në asnjë mënyrë të shënjojë vijë të re kufitare me Malin e Zi.
Komisioni i ri për vijën kufitare është emëruar pas zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës, nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili e kishte kundërshtuar që nga fillimi Marrëveshjen për Demarkacionin, të cilën në gusht të vitit 2015, e kishin nënshkruar ish-ministri i Jashtëm dhe Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-Kryeministri Isa Mustafa.
Sidoqoftë, fjalën përfundimtare rreth Demarkacionit pritet që ta japë Kuvendi i Kosovës. Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare bëhet me dy të tretat e votave të deputetëve, apo 80 vota për nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.

Thaçi: Deputetët të ratifikojnë Marrëveshjen
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka mirëpritur dhe përgëzuar qeverinë e Republikës së Kosovës për vendimin e sotëm për ta proceduar për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës Marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Thaçi u ka bërë thirrje deputetëve që të ratifikojnë Marrëveshjen e Demarkacionit.
“Dua të besoj në vullnetin politik dhe shtetëror të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve, por njëkohësisht ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që të jenë të bashkuar në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndër-shtetërore”, ka shkruar Presidenti Thaçi në llogarinë në Facebook.
Sipas Thaçit, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do t’i japë “fund izolimit të vendit tonë, duke mundësuar heqjen e regjimit të vizave, por edhe e forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë”.

 

 

Artikulli paraprakRoli në rritje i Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis
Artikulli tjetërRusi: Prokurorët kërkojnë dënim me burg për ish-ministrin