Kosova në mediat e Tiranës

Mujë Buçpapaj

Në fillim të viteve 1990 shumica e mediave të Tiranës nuk përfillën ndryshimet, të cilat shumë shpejt do të shndërronin në gërmadhë ish-Federatën Jugosllave, ndërsa do të zhysnin në luftëra të njëpasnjëshme popujt e këtij rajoni.
Indiferenca me të cilin mediat e Tiranës ndoqën këto zhvillime është e çuditshme kur dihej se skena ku po zhvilloheshin luftërat për territore, shtete të reja dhe spastrime etnike ishte kryesisht hapësira shqiptare në ish-Federatën Jugosllave.
Në kushtet kur mediat shqiptare në Prishtinë ishin mbyllur prej verës së vitit 1990 dhe komunikimi me opinionin kryhej nëpërmjet disa gazetave që botoheshin në Perëndim, mediat e Tiranës zgjodhën të fokusoheshin në konfliktet e brendshme dhe shpesh banale, duke i afruar një tjetër prioritet perspektivës së zhvillimeve kombëtare.
Pas rënies së Murit të Berlinit dhe rënies së regjimit komunist në Tiranë, në skenë kishte dalë çështja shqiptare. Qeveria demokratike po përpiqej të siguronte një mbështetje të nevojshme ndërkombëtare për të rimëkëmbur ekonominë e vendit tërësisht të rrënuar nëpërmjet reformave të thella të tregut, në përpjekje për të faktorizuar Tiranën në hapësirat ballkanike.
Një shtet i rrënuar ekonomikisht dhe pa asnjë motivim për qytetarët e tij e kishte të vështirë të kompensonte kohën e humbur dhe të ecte përpara. Izolimi i gjatë e kishte lënë Shqipërinë dhe shqiptarët pa miq dhe aleatë të vërtetë në Perëndim, duke u lëshuar terren armiqve të shqiptarëve në rajon, të cilët i kishin prezantuar konfliktet me shqiptarët gjithmonë sipas interesave të tyre.
Në vitet 1992-1996 ndërsa Shqipëria po shtonte me shpejtësi prezencën e saj në kancelaritë perëndimore, si dhe forumet prestigjioze ndërkombëtare si OSBE, Këshilli i Europës, NATO etj., mediat e shkruar me frymëzim të majtë, bënin thirrje që Tirana të qëndronte larg zhvillimeve rajonale. Ato ndikuan që Shqipëria të mos kishte një qëndrim konsensual për çështjen e Kosovës, sido që Parlamenti pluralist i vitit 1991, me insistimin e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, atëherë në opozitë, nëpërmjet një rezolute pati njohur Republikën e Kosovës.
Siç dihet, më 28 mars 1989 Kuvendi i Serbisë pati miratuar amendamentet kushtetuese, duke shpallur të ashtuquajturën “Serbi unike”. Pushtimi i Kosovës dhe mohimi i të drejtës për të qenë elementë konstituivë i ish-Federatës Jugosllave qe parë nga Perëndimi si përgatitje e Millosheviçit dhe serbëve për fillimin e luftës për të kontrolluar federatën dhe vendosjen e diktatit të tyre të hekurt mbi popujt e ish-Jugosllavisë.
Ndërsa në Beogard festohej aneksimi i Kosovës në Serbi, shqiptarët e kundërshtuan ashpër këtë vendim. Në vitet 1988-1989 u vranë rreth 80 protestues paqësorë shqiptarë, me mijëra të tjerë u burgosën apo keqtrajtuan nëpër stacionet e policisë serbe.
Ndërsa Ballkani po kërcënohej nga çmenduria serbe, mediat e majta bënë çdo përpjekje për të goditur imazhin e qeverisë së re demokratike në Perëndim, duke e paraqitur atë si “nacionaliste”, për pasojë edhe si “një kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal”.
Kuptohet se pas këtyre tezave qëndronin interesa ngushtësisht partiake, të cilat për fat të keq patën pasoja negative në raportet e Shqipërisë me fqinjët, kryesisht me Serbinë dhe Greqinë.
Këto dy vende filluan ofensivën diplomatike për të minuar mbështetjen e qeverisë demokratike, kryesisht atje ku ajo ishte më e fortë, në Uashington.
Të nxitura nga një kulturë izolacioniste, marksiste, gazetat e majta kishin prirje për të trajtuar çështjen e rreth 3 milionë shqiptarëve si çështje të brendshme të Jugosllavisë dhe problemin e Kosovës vetëm si një çështje të të drejtave të njeriut.
Në vitet 1992-1996 ato për fat të keq shkuan deri aty sa të denonconin politikat sipas tyre “vasale” të Presidentit Berisha ndaj SHBA-ve, si dhe të formulonin akuza të tilla sikur “Berisha po na çon në luftë me fqinjët për Kosovën”. Në fakt Shqipëria po ndiqte një kurs tërësisht paqësor dhe të koordinuar mirë me faktorin perëndimor, duke treguar maturi dhe vendosmëri në trajtimin e çështjes së Kosovës.

2.

Mediat që përfillnin tematikën e Kosovës ishin të pakta. Në verë të vitit 1991 një grup intelektualësh si Hysamedin Ferra, Skënder Buçpapaj, Myftar Gjana, Murat Gjonballa, Bedri Myftari, autori i këtyre radhëve etj., themelojnë gazetën javore “Kosova”, e cila kishte në fokus çështjen e Kosovës dhe zhvillimeve të reja rajonale. Gazeta ishte organ i shoqatës “Kosova”. Po atë vit themelohet edhe gazeta javore “Atdheu”, e cila edhe pse me një tirazh të kufizuar përpiqej të bënte prezente perspektivën e zhvillimeve ballkanike. Një tjetër gazetë me qëndrim të hapur politik, pro çështjes së Kosovës ishte “Kombi” i drejtuar nga Hydajet Beqiri. Kjo gazetë shihej e lidhur me diasporën kosovare në Europën Perëndimore, por kishte një liri editoriale. Në pranverë të vitit 1991 në këtë gazetë pata botuar shkrimin e gjatë “Kosova është Shqipëri”. Analiza pati marrë shumë komente, pasi trajtonte një temë deri atëherë tabu për mediat e Tiranës.
Një ndjeshmëri të lartë për zhvillimet në Kosovë kishte edhe gazeta “Rilindja Demokratike”, organ i Partisë Demokratike, aleate e ngushtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës e drejtuar nga Dr. Ibrahim Rugova.  “Rilindja Demokratike” do të ruante këtë kurs prej atëherë dhe deri në ditët e sotme.

3.++++

Në fillim të viteve 1990 gazetat e majta kishin zgjedhur për të pasqyruar temën e Kosovës, sipas një praktike të aplikuar për dekada me radhë nga regjimi komunist, botimin e artikujve të shtypit perëndimor për Kosovën. Editorialet e rralla të këtyre gazetave të majta për Kosovën fillonin me një keqardhje për tragjedinë e vëllezërve kosovarë që po vuanin nën regjimin e egër serb, vazhdonin me thirrje për njohjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe përfundonin me sigurinë që i jepnin Serbisë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme. Në qershor të vitit 1993 shtypi i majtë i pati bërë jehonë të madhe një marrëveshjeje të arritur në Greqi mes Partive Socialiste të Shqipërisë, Greqisë dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nëpërmjet sloganit “Ballkani i ballkanasve” kërkonte nga SHBA-të, që të qëndronin jashtë implikimit në rajon. Kjo do të thoshte përveç të tjerave që të ruhej dominimi serb në ish-Jugosllavi, i mbështetur në një fuqi të vërtetë ushtarake, si dhe pushtimi serb i Kosovës. Këtë apel drejtoi edhe këto ditë ministri i Jashtëm grek.
E njëjta tezë qe përdorur në pranverë të vitit 1999 nga diplomacia serbe dhe aleatët e tyre në rajon, duke i bërë rezistencë qëndrimit të prerë amerikan për të përdorur forcën ushtarake kundër pushtuesve serbë në Kosovë.

4.

Harta e Ballkanit kishte ndryshuar me shpejtësi. Në qershor 1991 Millosheviçi kishte sulmuar Slloveninë, në gusht 1991 armata serbe pushton 40% të territorit kroat, në vetëm pak ditë në mars të vitit 1992 diktatori serb pushtoi Bosnjen.
Që kur Millosheviçi kishte hipur në pushtet, në vitin 1987, Jugosllavia kishte marrë rrugën e luftës. Ish-Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Serbisë dhe President i Serbisë, ishte bërë zëdhënës i politikave ultranacionaliste serbe. Millosheviçi kishte kërcënuar të gjithë kombet e tjerë të ish-federatës duke deklaruar se, “askush nuk do të guxojë më të prekë serbët” apo se “aty ku ka serbë është Serbi”. Kjo platformë pati çuar në luftëra të përgjakshme dhe në shpërbërjen e Jugosllavisë. Sllovenia kishte shpallur pavarësinë, po kështu edhe Kroacia, Maqedonia dhe Bonje-Hercegovina. Serbia kishte krijuar shtetin e dytë serb në të ashtuquajturën Republika Srbska, ndërsa kroatët shtetin e dytë në Hercegovinë. Vetëm shqiptarët ishin gjendur papritur të ndarë në tri shtete të sapokrijuara rishtaz, duke e bërë situatën edhe më të rëndë se sa gjatë kohës së federatës.
Për fat të keq mediat e Tiranës e shmangën sërishmi çështjen e Kosovës. Shumë gazetarë, publicistë apo historianë morën një ofensivë të vërtetë kundër çdo zëri të pavarur që kërkonte pavarësinë e Kosovës. Trajtimi i çështjes së Kosovës u quajt “folklorizëm”, “primitivizëm” dhe “një temë arkaike”, “e papërshtashme për kohët moderne”. Një grup publicistësh u përfshinë në formulimin e tezave të rënda dhe fyese ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke u bërë nganjëherë jehonë edhe tezave antishqiptare të prodhuara sistematikisht në Beograd, si “kombi shqiptar dhe kombi kosovar”, “revanshi i veriut ndaj jugut etj.”.
Ashtu siç të vjen keq për këto shkrime dritëshkurtra, antikombëtare të shkruara sistematikisht gjatë regjimit komunist dhe deri më 24 mars 1999, sot të vjen mirë që shumë autorë të këtyre komenteve tani më 2016 kanë ndryshuar koncepte. Disa prej tyre tani i shikon nga njëri televizion në tjetrin duke folur për rëndësinë e pavarësisë së Kosovës apo edhe për bashkimin kombëtar, për kombëtaren e futbollit etj., apo nëpër faqet e gazetave, sido që me pak njohuri rreth kësaj çështjeje dhe me pak sinqeritet ndaj vetvetes. Unë nuk besoj që këta tipa e bëjnë këtë ndryshim thjesht për të qenë në qendër të një debati të përbotshëm, siç është ai për Kosovën apo për shkak të portretit të tyre prej analistësh, por që vërtet ata si çdo shqiptar i gëzohen pavarësimit të gjysmës së kombit shqiptar. Vetë fakti që edhe serbofilët dhe grekofilët e Tiranës, biles edhe kozmopolitët tani flasin edhe për bashkimin kombëtar është vërtet diçka mjaft domethënëse.

5.

Në vitet 1995-1996 Shqipëria kishte bërë përparime të rëndësishme në fushën e reformave ekonomike, por edhe ushtarake. Vendi ishte bërë anëtar i Partneritetit për Paqe, si dhe kishte forcuar lidhjet me SHBA edhe në sektorin e sigurisë kombëtare. Siç thuhej shteti shqiptar i kishte afruar SHBA-ve aeroportin e Gjadrit në mbështetje të përpjekjeve amerikane për të ndaluar masakrat serbe në Bosnje. Këto lëvizje strategjike, të cilat i shërbenin vendosjes së paqes në rajon, qenë keqinterpretuar nga disa gazeta të majta të Tiranës dhe publicistë. Ato akuzuan kryetarin e shtetit të asaj kohe S.Berisha për “vasalitet ndaj SHBA-ve” dhe politikë që “do të fuste vendin në konflikt me fqinjët”.
E vërteta është se mediat e majta kishin gabuar. Vetëm ndërhyrja ushtarake e kërkuar fort nga Presidenti Berisha dhe nga qeveria demokratike e drejtuar nga Aleksandër Meksi do t’i jepte fund agresionit serb në Ballkan, si dhe do të shpallte Kosovën një vend të lirë.
Në vjeshtë të vitit 1997 dukej qartë se Serbia po përgatiste luftën e Kosovës. Mediat e majta të Tiranës, ashtu si në fillim të viteve 1990, u distancuan nga problemet e Kosovës duke u përqendruar në sherrnajat e brendshme dhe në platformat e spastrimit të vendit nga demokratët, të cilët e kishin humbur pushtetin pas zgjedhjeve të 29 qershorit të vitit 1997, zgjedhje të cilat erdhën si pasojë e ngjarjeve dramatike që pasuan rënien e skemave mashtruese piramidale.
Ofensiva serbe për spatrimin etnik në Kosovë në fund të shekullit të kaluar e gjeti politikën shqiptare të përçarë, opinionin të papërgatitur për të krijuar një reagim gjithkombëtar, si dhe mediat të fokusuara në të tjera probleme dytësore.
Në rast se mediat e Tiranës do të kryenin rolin e tyre, fillimi i luftës së Kosovës prej 28 shkurtit të vitit 1998 deri 12 qershor 1999 nuk do ta gjente të papërgatitur në atë mënyrë shtetin shqiptar, i cili kishte pësuar gati një rrënim total gjatë kryengritjes komuniste të pranverës së vitit 1997.
Fillimi i spastrimit etnik në Kosovë në fillim të qershorit të vitit 1998 i dha fund çdo hamendje se lufta do të mund të shmangej.
Ndërsa më 4 qershor 1998 mbi 20 mijë refugjatë kosovarë mësynë Tropojën për t’i shpëtuar gjenocidit dhe zhdukjes masive, shtypi zyrtar i Tiranës thuajse e injoroi këtë tragjedi.
Prej qershorit të vitit 1998 shumica e televizioneve amerikane dhe europiane filluan të transmetonin direkt nga Tropoja, por për çudi RTSH nuk transmetonte thuajse asnjë lajm për jetën e vështirë të rreth 45 mijë refugjatëve të luftës që kishin gjetur strehim në familjet e varfëra të Tropojës.
Në vend që media të sensibilizonte qeverinë dhe opinionin për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve të tyre, me përjashtim të “RD”-së dhe radio “Kontakt”, mediat e tjera heshtën.
Për fat të keq ndonjë gazetë bëri thirrje që këta refugjatë lufte të mos kalonin Alpet për të shkuar drejt Shqipërisë Qendrore, pasi sipas tyre “ata ishin mbështetës të Berishës”.
Një pjesë e publicistëve, që sot janë bërë superpatriotë gjatë kësaj kohe dhe sidomos pas spastrimeve etnike masive në pranverë të vitit 1999, habitën botën kur kërkuan që refugjatët e luftës që vinin të tmerruar nga Kosova të izoloheshin në geto klasike. Ata i sugjeronin qeverisë së majtë që këta refugjatë të mos lejoheshin të zbrisnin nga Tropoja dhe Kukësi në brendësi të vendit, pasi sipas tyre do të ndryshonin raportet njerëzore në favor të demokratëve. Ata në mënyrë të pabesë kërkuan që mijëra gra dhe fëmijë të lodhur nga udhëtimi i gjatë, të kequshqyer dhe të tmerruar nga ato që kishin parë dhe lënë në Kosovë, të mos strehoheshin në Jug, sepse siç pati thënë një zëdhënës i Ministrisë së Jashmte greke “zhvendosja e tyre në jug, do të cenonte interesat e Greqisë” e të tjera përralla të ngjashme.
Krejt ndryshe do të reagonin shqiptarët. Nga Tropoja deri në Sarandë me mijëra familje do të hapnin shtëpitë dhe zemrat për vëllezërit e tyre nga Kosova, duke ndarë me ta dhembjen e pafund për njerëzit e humbur në luftë, për shtëpitë dhe trojet e braktisura.
Edhe vetë qeveria Majko ishte mosbesuese ndaj këtyre refugjatëve. Sido që ish-Kryeministrit Majko i ka pëlqyer gjithnjë të marrë pozat e heroit të kësaj lufte e vërteta është krejt ndryshe. Vetëm pas ultimatumit të fortë amerikan dhe presionit të opozitës së djathtë qeveria e koalicionit të majtë filloi trajtimin e refugjatëve të luftës, si dhe organizimin e akomodimit të tyre në të gjithë vendin. Po kjo qeveri në mënyrë të ligë nuk u përfshi në luftë në mbështetje të UÇK-së, jo vetëm duke humbur një shans historik, por edhe duke dëshmuar se ishte qartë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Për këtë temë kam shkruar qysh në atë kohë me qindra artikuj në shtypin e djathtë të Tiranës, me thirrjen se tani është koha e bashkimit kombëtar dhe e implikimit të ushtrisë shqiptare në këtë luftë direkt në terren, por historia dihet, kjo qeveri u mjaftua vetëm me shpërndarjen skandaloze dhe korruptive të ndihmave ndërkombëtare për refugjatët. Shpesh duke vjedhur edhe bukën e fëmijëve të Kosovës.
Faktet janë fakte. Kësaj çështje i ëshë rikthyer pas kaq vitesh edhe diplomati i shquar amerikan dhe miku i shqiptarëve, Kristofer Hill.
Ai në një intervistë të këtyre ditëve shkruan se, Shqipëria nuk e dëshironte bashkimin kombëtar. Hill shprehimisht thotë: “Padyshim që Ballkani është një proces i papërfunduar. Mendoj se është bërë përparim. Kam punuar në Shqipëri dhe më vonë kur bisedoja me negociatorin e Kosovës, një gjë e kuptova më mirë se të tjerët: që Shqipëria nuk donte të ishte një vend me Kosovën; e kuptova se ishin dy vende me të ardhmen e vet. Asnjëherë nuk shqetësohesha si të huajt e tjerë mbi krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqetësimi kryesor për mua ishte të arrihej mbizotërimi i ligjit, ngritja e institucioneve demokratike, të cilat ishte shumë vështirë të krijoheshin. Tani që pashë përparimin e Shqipërisë jam shumë i kënaqur me këtë. Në Kosovë ka ende shumë për të bërë”. (Panorama, 3 tetor 2016)
Pra, koha e bashkimit kombëtar ishte atëherë, por u pengua nga qeveria e majtë, e cila punoi kundër këtij opsioni, thënë më qartë e tradhtoi çështjen tonë kombëtare. Në atë kohë, duke qenë në dijeni të shumë fakteve që po dalin tani pas 25 vjetësh, kam shkruar librin e mirënjohur “Kombi i tradhtuar”, sepse shqiptarët siç thotë Krist Hill u tradhtuan. Të tjerat janë dokrra.
Por sot në Tiranë dhe Shqipëri kanë ndryshuar gjërat, konceptet dhe ideologjitë për sa i përket çështjes së bashkimit kombëtar. Sipas sondazhit të fundit të GALLUP-it bërë katër-pesë vjet më parë, rreth 73% e shqiptarëve të Shqipërisë janë për bashkim kombëtar dhe ky është zhvillim shumë domethënës, të cilit nuk mund t’i shmanget asnjë qeveri në Tiranë apo Prishtinë, duke i besuar kështu edhe konkluzionit të Krist Hill se, “Ballkani është një proces i papërfunduar”.

6.

Duke ju rikthyer kronologjisë së ngjarjeve pas 24 marsit 1999 mediat e Tiranës do të ndryshonin qëndrim ndaj Kosovës. Urdhri i Presidentit amerikan, Bill Klinton për të nisur sulmet ajrore mbi Serbi, me qëllim shkatërrimin e makinës ushtarake të Millosheviçit kishte ndarë historinë e Ballkanit. Lajmet nga zonat e luftës në Kosovë, por edhe vuajtjet e refugjatëve në Kukës, Has e Tropojë hapnin edicionet e lajmeve anembanë botës. Në këtë periudhë disa televizone të Tiranës filluan të transmetonin lajme nga lufta e Kosovës, konferencat e shtypit të Presidentit amerikan, Bill Klinton, të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, si dhe të NATO-s. Televizioni “Arbëria” filloi emisionin e njohur “Luftë apo paqe në Kosovë”, “Shijak” televizion ndërtoi disa emisione me tema nga Kosova, radio “Kontakt” etj.
Kursi ideologjik i TVSH-së dhe disa gazetave të majta në Tiranë bëri që ato të përfshiheshin në sulme të pabesa ndaj Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova të marrë peng nga Millosheviçi në kulmin e luftës së Kosovës në pranverë të vitit 1999. Në të njëjtin kor me politikën zyrtare mediat e majta nxituan të shpallnin “Tradhtar” Rugovën dhe “bashkëpunëtor të Millosheviçit”. Tirana zyrtare në këtë kohë prodhoi një qeveri të dytë në emigracion, duke mohuar atë të Bukoshit. Kjo la një shije të keqe në Perëndim, i cili ishte përfshirë në një luftë të ashpër për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb.
Mediat e majta nuk do të kishin këtë opinion për Rugovën, ndërsa ai do të fitonte të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në Kosovë pas çlirimit të vendit nga NATO dhe UÇK, më 12 qershor 1999 dhe në vazhdim. Por ky qëndrim ekstremist do të bënte që Rugova për disa vite të mos vizitonte Tiranën.
Në vitet 1999-2016, duke përjashtuar nxitimin e këtyre ditëve të fundit, mediat e Tiranës kanë qenë të matura ndaj zhvillimeve në Kosovë. Ndërsa qeveritë e majta u implikuan në krijimin e të majtës në Kosovë apo sipas raporteve ndërkombëtare dhe të eksportimit të trafiqeve dhe disa krimeve etj., mediat vepruan në një mënyrë më të ekuilibruar. Ato megjithatë, vetëm pas formulimit të “Paketës së Ahtisarit” dhe vizitës së Presidentit amerikan Geroge W. Bush në Tiranë më 10 qershor 2007, shprehën besimin e tyre për Pavarësinë e Kosovës.

7.

Aktualisht Kosova është tema kryesore e mediave të Tiranës pavarësisht politikave editorialiste dhe ngjyrimeve politike që përfaqësojnë pronarët e tyre. Ata që për vite me radhë kishin përqeshur dhe sulmuar egërsisht çdo shkrim që bënte thirrje për pavarësinë e Kosovës apo bashkimin kombëtar, tani i ke idhtarë të fortë të kësaj pavarësie, biles këta tipa thirren thuajse në çdo tryezë për zhvillimet në Kosovë për të folur si ekspertë, si analistë apo thjesht për modë, pavarësisht pse e njohin në mënyrë sipërfaqësore këtë çështje dhe shpesh bëhen qesharakë me ato që thonë apo shkruajnë siç ndodhi edhe gjatë këtyre ditëve me një koment të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Për fat të keq këta analistë nuk u panë të bëjnë asnjë reagim për deklaratën kërcënuese të ministrit të Jashtëm grek për luftë ndaj Shqipërisë, nuk patën asnjë prononcim për deklaratën luftënxitëse të ministrit të Jashtëm të Serbisë “për pushtimin e Kosovës”, ndërsa u morën në mënyrë jo profesionale vetëm me deklaratën e nxituar të Hoxhajt.
Unë mendoj se klasa politike në Tiranë dhe Prishtinë duhet të tregojë më shumë pjekuri dhe mos përfshihet kurrë më në deklarata emocionale dhe të panevojshme, të amplifikuara edhe nga mediat përkatëse.
Është vërtet gabim reagimi nervoz i zotit Hoxhaj për deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë apo vizitën e tij në Beograd apo Nish, pavarësisht rolit parësor të Shqipërisë në rajon, por është po kaq gabim anashkalimi i Kosovës si palë e domosdoshme në marrëveshjen për autostradën Nish-Prishtinë-Durrës, si edhe moskoordinimi i zotit Rama me udhëheqjen legjitime të Kosovës të qëndrimeve dhe kërkesave ndaj Beogradit, është gabim reagimi i disa analistëve në Prishtinë dhe akoma dhe më i madh i disa komentuesve në Tiranë.
Serbët dhe mediat e tyre, për të gjitha qëndrimet nacionale flasin me një zë, si serbët në Serbi, në Mitrovicën e Veriut, në Republikën Srbska në Bosnje, në Kroaci apo edhe në Mal të Zi.

***

Edhe ky shënim nuk ka si qëllim për të hidhëruar askënd, as ata që e kanë quajtur “UÇK-në prodhim të Millosheviçit”, as ata që dënuan sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbi, as ata që Kosovën e dëshironin vetëm si pjesë e Serbisë “me autonomi thelbësore”, as ata që shpikin “kombin kosovar”, as ata “që i tremben bashkimit kombëtar” e kështu me radhë. Shënimi ka si qëllim për të sjellë një dëshmi të thjeshtë të koherencës së shtypit të Tiranës, rolit të tij të humbur apo të fituar në momentet kruçiale të një kombi, për t’i vendosur përballë një pasqyre ku secili do të shohë vetveten.
Në fund të fundit e rëndësishme ka qenë dhe është bindja e komunitetit perëndimor për suksesin e pavarësisë së Kosovës dhe në vijim të shtetit të lirë të Kosovës, në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor dhe Europës. Ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët.

Artikulli paraprakMashtrimi ndaj bizneseve, qeveria tërhiqet nga amnistia
Artikulli tjetërPep: Nuk e ndryshoj stilin e lojës