Pep: Nuk e ndryshoj stilin e lojës

Pep Guardiola nuk ka ndërmend të ndryshojë dhe këmbëngul se do t’i qëndrojë besnik stilit të tij të lojës që i ka sjellë 21 trofe në shtatë vjet si trajner. Në konferencën për media para ndeshjes së të dielës ndaj Southemptonit në Premier Ligë, tekniku i Mançester Sitit thotë se pa gjëra të mira edhe në humbjen 4-0 në Barcelonë të mërkurën.
“Nuk kam ndërmend ta ndryshoj stilin tim të lojës. Kam fituar 21 tituj në shtatë vite. Në Barcelonë pashë shumë gjëra pozitive: Stons, Sterling, Gyndoan, De Brujn… Ishte hera e parë që ata luanin në Barcelonë dhe treguan goxha personalitet. Janë të rinj dhe kjo do t’u shërbejë për të ardhmen në klub dhe me Anglinë”, tha 45-vjeçari para gazetarëve.
Duke u rikthyer te disfata 4-0 ndaj ish-ekipit të tij, tekniku nga Katalunja komentoi: “Shumë skuadra që pësojnë gol në 20 minutat e para në Barcelonë dalin jashtë loje që para pushimit. Por ne u mbajtëm mirë dhe u përpoqëm të luanim derisa mbetëm me dhjetë lojtarë”.
Në atë ndeshje Guardiola la në stol mbrojtësin Kompani dhe sulmuesin Aguero, vendim për të cilin ka marrë një lumë kritikash. Ja si e arsyeton ai këtë zgjedhje: “Kompani nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë. Sa për Agueron, më duhej dikush që luan në qendër dhe De Brujn lëviz mirë me shpinën nga porta. Qëllimi ynë ishte ta mbanim topin në ‘Kamp Nou’. Fola me Agueron para ndeshjes dhe e kuptoi vendimin tim”.

Artikulli paraprakKosova në mediat e Tiranës
Artikulli tjetërWenger kërkon Niang te Arsenali