Kosova drejt reformave apo drejt zgjedhjeve?

Ndërsa zgjedhjet e parakohshme po shihen gjithnjë e më tepër si një prej opsioneve reale, në nivelet më të larta politike në Kosovë është ngritur fillimisht nevoja e përmbylljes së reformave zgjedhore.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur një tryezë bisedimesh me partitë politike, institucionet e angazhuara në procesin zgjedhor dhe shoqërinë civile, për të trajtuar pikërisht çështjen e reformave.
Për herë të parë, Thaçi ka propozuar që Kuvendi i Kosovës të zvogëlojë numrin e ulëseve nga 120 në 100, si dhe të sigurojë dy ulëse për komunitetet pakicë, përkatësisht për komunitetin kroat dhe atë malazez.
“Është mundësia e zvogëlimit të numrit të deputetëve nga 120 në 100, apo edhe më pak. Si dhe mundësia e dytë, që të shtohen edhe dy deputetë të komuniteteve të tjera, pra të ndodhë përfaqësimi i komunitetit malazez dhe atij kroat”, tha Thaçi.
Sipas tij, këto ndryshime duhet të ruajnë përfaqësimin aktual të partive shqiptare dhe pakicave, duke ruajtur parimet e përcaktuara me Pakon e presidentit Ahtisaari, si dokumenti gjithpërfshirës mbi bazën e të cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës.
Për realizimin e reformave zgjedhore, Presidenti Thaçi tha se do të jenë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese e ligjore. Ai tha se reformat duhet të japin një përgjigje nëse në të ardhmen Presidenti do të zgjidhet përmes votës së drejtpërdrejtë të popullit. Po ashtu, Thaçi tha se me anë të këtyre reformave duhet të përcaktohet se sa zona zgjedhore do të ketë Kosova dhe a do të shkohet në votime me lista të hapura apo të mbyllura.
Ndërkohë, sa u përket zgjedhjeve lokale, në debat u tha se reformat aty janë më të lehta, pasi që kërkohet vetëm ndryshim i ligjit dhe nuk ka nevojë për amandamentime kushtetuese.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se deri në këtë fazë Kosova kaloi përmes procesit të shtetndërtimit dhe se tani ka nevojë për reforma, ku zgjedhjet zënë një vend të rëndësishëm.

Artikulli paraprakA ka nanë në botë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet
Artikulli tjetërRrëzim i Ramës dhe shtetit të burgut